TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Korrik 2025, 18:41

Gara për pasardhësin e Trump-it: Kush do jetë kandidati i Republikanëve në 2028?

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net
Gara për pasardhësin e Trump-it: Kush do jetë kandidati i
JD Vance & Donald Trump /

Manovrat për pasardhësin e Trump-it në Iowa: Kush do të marrë bekimin e ish-presidentit?

Ndonëse Donald Trump është ende në gjashtëmujorin e parë të mandatit të tij të dytë presidencial, brenda Partisë Republikane kanë nisur lëvizjet e para për të gjetur kandidatin që do e pasojë në vitin 2028. Në Iowa, shtetin e njohur për rëndësinë vendimtare në zgjedhjet paraprake, pretendentët potencialë kanë filluar fushatën për të fituar zemrat e republikanëve, raporton Financial Times.

Sipas sondazheve, zëvendëspresidenti JD Vance është favorit i qartë mes votuesve republikanë, duke marrë mbështetjen e 43% prej tyre, ndërsa i biri i Trump-it, Donald Trump Jr., ndjek nga larg me 11%. Trump ka shprehur simpati edhe për figura të tjera, si sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, por ende nuk ka një vendim publik për të mbështetur një kandidat specifik.

Në Iowa fillon loja politike për post-Trump

Në darkën tradicionale "Lincoln Dinner" në Iowa, kandidatë të mundshëm si guvernatori i Virxhinias, Glenn Youngkin, nisën të testojnë mbështetjen mes votuesve. Youngkin, një ish-shefi ekzekutiv në sektorin privat me një pasuri prej rreth 500 milionë dollarësh, fitoi vëmendjen pasi triumfoi në Virxhinia, një shtet ku Joe Biden kishte fituar më parë bindshëm.

Disa emra të tjerë, si ish-zëdhënësja e Trump dhe tani guvernatore e Arkansas-it, Sarah Huckabee Sanders, si dhe senatorët Ted Cruz e Eric Schmitt, po planifikojnë gjithashtu vizita intensive në Iowa dhe shtete të tjera kyçe, duke treguar qartë ambicien për të qenë kandidatë.

Pasuesi i Trump: Me apo pa bekimin e tij?

Presidenti Trump ka lënë të kuptohet se nuk do kandidojë për një mandat të tretë, pavarësisht thirrjeve të disa figurave ekstreme si Steve Bannon për një lëvizje të tillë. Gjithsesi, ai ka treguar qartë se do preferonte një kandidat të afërt me filozofinë e tij politike.

Jeff Kaufmann, drejtues i republikanëve në Iowa, është shprehur se çdo kandidat duhet të tregojë mbështetje ndaj Trump-it për të pasur sukses në këtë shtet. "Nuk shoh ndonjë hapësirë për kandidatët anti-Trump ose për ata që kanë qenë kundër tij," tha ai, duke sinjalizuar qartë drejtimin e garës.

Megjithatë, gara duket e hapur dhe shumë figura janë duke bërë llogaritë për 2028-ën, ndërkohë që Trump shijon momentalisht një popullaritet të fortë brenda partisë./Pamfleti  

gara për pasardhësin e trump kandodati i republikanëve për vitin 2028

Lini një Përgjigje