TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2024, 22:30

Gara e dytë e armëve bërthamore, kush do të triumfojë mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës?!

Shkruar nga Jessica T.Mathews

Gara e dytë e armëve bërthamore, kush do të triumfojë

Me rizgjedhjen e Donald Trump në krye të vendit, ka pak dyshime nëse vendi do të përgjigjet në mënyrë agresive ndaj asaj që e sheh si një kërcënim serioz nga Kina. 

Në samitin e Gjenevës të vitit 1985, presidenti amerikan Ronald Regan dhe udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbachev, folën hapur mbi skenarin e tmerrshëm të një lufte të mundshme bërthamore me të cilën po përballeshin vendet e tyre duke shpenzuar qindra miliarda dollarë. “Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet nga asnjë palë, dhe s’duhet të zhvillohet kurrë!”- deklaruan ata.

Megjithatë, lanë jashtë pa përmendur edhe diçka tjetër: edhe një garë armësh bërthamore nuk mund të fitohet. Gjithsesi ajo deklaratë unike në aspektin e ndershmërisë, ia doli të forcojë argumentet në favor të kontrollit të armëve dhe të angazhimeve të mëvonshme për mospërhapjen e këtyre armëve.

Dekada negociatash kanë krijuar një strukturë komplekse traktatesh, marrëveshjesh dhe madje edhe nismash të njëanshme mbi çështjen e armëve bërthamore sulmuese dhe mbrojtëse me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë, të kompletuara me dispozita për kontrollet dhe inspektimet, madje edhe për mundësinë e udhëtimit në territoret përkatëse për të vëzhguar gjendjen e armatimeve.

Shpeshherë, të dyja palët hoqën dorë vetëm nga sistemet për të cilat nuk kishin më nevojë. Po ashtu, gjuha e drunjtë e këtyre marrëveshjeve, është bërë jo rrallë shkak për fërkime. Për më tepër, në Shtetet e Bashkuara kostoja politike e ratifikimit të traktateve nga Senati ka qenë ndonjëherë shumë e lartë.

Por me gjithë kufizimet, numri i armëve bërthamore në duart e 2 superfuqive u reduktua nga 60.000 në rreth 11.000 (numri i saktë mbetet sekret). Sipas traktatit më të fundit, NEW START ose Fillimi i Ri (më saktë Traktati i Reduktimit të Armëve Strategjike), i nënshkruar në vitin 2010, arsenalet e të dy vendeve do të kufizohen në 1550 bomba secila.

Pjesa tjetër e armëve duhet të ruhet në magazina. Pra reduktimi me 80 për qind (95 për qind, nëse merren parasysh vetëm bombat në gatishmëri) është një arritje e madhe. Ose të paktën ishte. Por Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga traktati kundër raketave balistike (ABM) në vitin 2002, ndërsa në vitin 2026 skadon NEW START, dhe Uashingtoni dhe Moska do të jenë të lira për herë të parë në gjysmë shekulli nga çdo lloj kufizimi mbi arsenalet e tyre bërthamore.

Dhe me rritjen e tensioneve mes fuqive të mëdha, sot duket se po nis një garë e re armësh. Epoka e re bërthamore, do të jetë shumë më e rrezikshme se e para, sepse do të ketë 3 protagonistë (sot është edhe Kina), dhe do të jetë shumë më e paparashikueshme se ajo e Luftës së Ftohtë.

Për më tepër, do të përforcohet nga shfaqja e armëve teknologjike, inteligjenca artificiale, militarizimi i mundshëm i hapësirës dhe inovacione të tjera. Pas disa dekadave me një arsenal bërthamor modest, vetëm si një mekanizëm parandalues modest, Kina po e zgjeron me shpejtësi atë.

Vlerësohet se sot ajo ka 500 bomba bërthamore, të cilat mund të arrijnë në 1.000 deri në fund të dekadës dhe në 2035-në të arrijnë nivelet e SHBA-së dhe Rusisë. Për momentin, Uashingtoni mund të përpiqet vetëm të hamendësojë arsyen e lëvizjeve të Kinës. Në fakt Pekini, nuk ka dashur asnjëherë të marrë pjesë në negociatat për kontrollin e armëve, dhe qeveria amerikane ka pak të dhëna të detajuara mbi strategjinë e saj bërthamore.

Ndoshta Kina po përgatitet për një luftë të për rimarrë Tajvanin, apo më në përgjithësi po përpiqet të imponojë hegjemoninë e saj në Indo-Paqësor. Ndoshta po kundërpërgjigjet ndaj asaj që e sheh si një agresion të SHBA-së. Ose ndoshta po ndërmerr hapa që i konsideron të nevojshme për një fuqi të madhe.

Edhe Rusia i ka modernizuar armët e saj bërthamore. Gjatë një fjalimi me tone agresive në vitin 2018, presidenti Vladimir Putin prezantoi armët e reja bërthamore, duke i quajtur ato një përgjigje ndaj tërheqjes së SHBA nga traktati ABM dhe sistemit të saj të mbrojtjes raketore, pasi beson se ai synon të neutralizojë raketa e Kremlinit.

Paradoksalisht, pavarësisht përpjekjeve dhe shpenzimeve të mëdha të bëra për dekada, mbrojtja anti-raketore amerikane nuk ka qenë kurrë në gjendje ta bëjë këtë. E shumta ajo mund të kapë një numër të vogël raketash të Koresë së Veriut, por në asnjë mënyrë një sulm rus në shkallë të gjerë.

E vërteta është se vendimi për të dalë nga traktati ABM, ishte i gabuar. Nga pikëpamja e sigurisë, por mbi të gjitha sepse e zemëroi Rusinë. Ndër armët e reja të shpallura nga Putin është dhe një raketë lufte hipersonike ndërkontinentale, e cila mund të ndryshojë trajektoren gjatë fluturimit.

Së fundmi, Kremlini e ka ulur pragun në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nuk ka dyshim se kërcënimi i një reagimi dërrmues të SHBA-së ndaj çdo përdorimi bërthamor, vazhdon të jetë një pengesë efektive për Rusinë. Uashingtoni ka nisur një proces ambicioz të modernizimit të treshes së saj strategjike (armëve ajrore, tokësore dhe detare), që përfshin bomba të reja dhe transportues të tyre (bombardues, nëndetëse, raketa), dhe sisteme mbështetëse komanduese e kontrolluese.

Duke supozuar se nuk do të jetë tejkalime të mëtejshme, kostoja e zhvillimit, ndërtimit dhe funksionimit të sistemeve të reja do të jetë të paktën 1.5 trilion dollarë. Por në verën e këtij viti, disa zyrtarë amerikanë paralajmëruan se kërcënimi bërthamor në rritje, mund ta detyrojë vendin të zëvendësojë idenë e modernizimit të arsenalit të tij bërthamor, me atë të forcimit të ndjeshëm të tij.

Kjo do të çonte në “një epokë të re bërthamore”, tha zyrtari i lartë i Pentagonit Vipin Narang më 1 gusht. “Në mungesë të ndryshimit të kursit në qëndrimin e Rusisë dhe të Kinës, amerikanëve mund t’u duhet të lënë pas vitet e pas Luftës së Ftohtë”- shtoi ai.

Por për momentin, nuk dihet me siguri nëse direktivat sekrete të nënshkruara nga Biden në mars 2024, përfshijnë riorientimin e planifikimit bërthamor rreth Kinës. Duke e rritur nivelin e kërcënimit, qeveria amerikane po përpiqet ndoshta të shtyjë Moskën dhe Pekinin në një rrugë tjetër.

Me rizgjedhjen e Donald Trump në krye të vendit, ka pak dyshime nëse vendi do të përgjigjet në mënyrë agresive ndaj asaj që e sheh si një kërcënim serioz nga Kina. Verën e shkuar, Robert C. O’Brien, këshilltari i katërt dhe i fundit i Trump për sigurinë kombëtare në mandatin e tij të parë, tha se “Shtetet e Bashkuara duhet të ruajnë epërsinë numerike mbi rezervat e kombinuara bërthamore të Rusisë dhe Kinës”.

Prandaj duket se ka filluar një garë e re armatimi, e ndikuar fuqishëm nga një konkurrent i tretë – Kina - si dhe nga teknologjitë e reja. Është e lehtë të parashikosh se si do të zhvillohet dhe si do të përfundojë ajo. Çdo vend do të shpenzojë shuma të mëdha për t’iu përgjigjur hipotezave më pesimiste për lëvizjet e kundërshtarëve të tij.
Devijimi i fondeve nga synimet e tjera të brendshme dhe rritja e borxhit publik, do t’i dobësojë të gjitha palët. Kjo garë do të vazhdojë derisa frika, mes liderëve politikë, dhe ndoshta në opinionin publik, do të nxisë mendjet më të qarta drejt diplomacisë dhe kontrollit negociuar të armëve.

Shënim: Jessica T.Mathews, eksperte amerikane e marrëdhënieve ndërkombëtare. Gjatë viteve 1997-2015, ka qenë presidente e qendrës së studimit Carnegie Endowment for International Peace./ Përshtati "Pamfleti" nga “Internazionale”

Lini një Përgjigje