TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2024, 19:00

Paqeruajtës evropianë në Ukrainë? Një ide e tmerrshme, do të binim në grackën e Putinit!

Shkruar nga Anatol Lieven

Paqeruajtës evropianë në Ukrainë? Një ide e tmerrshme,

Ideja e trupave perëndimore në Ukrainë është po aq e papranueshme për qeverinë dhe establishmentin rus sa edhe anëtarësimi në NATO i Ukrainës.

Raportohet se presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, po çon përpara idenë se një forcë paqeruajtëse e madhe dhe e armatosur rëndë nga vendet e Evropës (por duke përfshirë anëtarët e NATO-s), mund të futet në Ukrainë si pjesë e një zgjidhjeje paqësore.

Është e rëndësishme që kjo ide tejet e pamend të rrëzohet, përpara se të dëmtojë seriozisht perspektivat për një paqe të hershme, dhe t’i shkaktojë Ukrainës humbje të mëtejshme njerëzore, ekonomike dhe territoriale. Sipas gazetës amerikane Wall Street Journal, dhe asaj franceze Le Monde, kjo ide u shfaq për herë të parë në bisedimet private midis zyrtarëve francezë dhe britanikë në nëntor.

Ajo u diskutua të enjten e javës së kaluar nga Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s në Bruksel. Ndërsa vetë Trump, ia bëri këtë sugjerim presidentit francez Emmanuel Macron dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky në takimin që zhvilluan së bashku në Paris më 7 dhjetor.

Më pas Macron shkoi në kryeqytetin polak Varshavë, për të diskutuar një plan për dërgimin në Ukrainë të 40.000 “paqeruajtësve” evropianë të armatosur rëndë. Por deri më tani zyrtarët e qeverisë polake nuk kanë shfaqur ndonjë entuziazëm për këtë nismë.

Vetë kryeministrit polak Donald Tusk u shpreh: “Për t'i dhënë fund spekulimeve për praninë e mundshme të këtij apo atij vendi në misionin paqeruajtës në Ukrainë pas arritjes së armëpushimit ... po ju them se vendimet në lidhje me Poloninë do të merren vetëm në Varshavë. Tani për tani, nuk po planifikojmë një lëvizje të tillë”.

Nga kjo ide është distancuar edhe Friedrich Merz, kreu i Kristiandemokratëve gjermanë (CDU), dhe që gati me siguri do të jetë kancelar pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të ardhshëm. Në pamje të parë, kjo ide mund të duket sikur është një rrugë e mesme kompromisi në lidhje me disa pika kontradiktore mbi procesin e paqes në Ukrainë: Kërkesa e Rusisë për një traktat që do ta pengojë përgjithmonë hyrjen e Ukrainës në NATO; kërkesa e Ukrainës për garancinë Perëndimit kundër agresionit të ardhshëm rus; vendosmëria e Trump për të mos dërguar trupa amerikane në Ukrainë apo për të ndërmarrë angazhime shtesë dhe të përhershme ndaj Ukrainës; dhe nevoja reale për një forcë të konsiderueshme ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin.

Por ka vetëm një problem: Sipas çdo zyrtari dhe eksperti rus, me të cilin unë dhe kolegët e mi kemi folur (më së fundi të enjten), ideja e trupave perëndimore në Ukrainë është po aq e papranueshme për qeverinë dhe establishmentin rus sa edhe anëtarësimi në NATO i Ukrainës.

Në fakt, vetë rusët nuk shohin ndonjë ndryshim thelbësor midis të dyjave. Nga këndvështrimi i Moskës, një “forcë paqeruajtëse” perëndimore, do të ishte thjesht një njësi ushtarake pararojë e NATO-s, që do siguronte mbulim për futjen graduale të forcave të tjera të aleancës.

Në fakt, ndërsa presidenti Zelensky ka deklaruar se Ukraina “mund ta marrë parasysh” idenë e paqeruajtësve, ajo do ta bëjë këtë vetëm nëse i jepet në të njëjtën kohë një afat i qartë për anëtarësimin e ardhshëm në NATO. Nëse ky propozim paraqitet nga gjenerali Kellogg, i zgjedhur nga Trump si i dërguari i tij në Ukrainë, në negociatat për paqen, pala ruse do ta refuzojë atë pa mëdyshje.

Dhe nëse këmbëngulet tek kjo pikë, atëherë është e sigurt se bisedimet do të dështojnë. Por ka të ngjarë që sapo institucionet evropiane - dhe popullatat - të kenë kohë për të reflektuar mbi këtë ide, ato do ta lejojnë rrëzimin e saj. Sepse ushtarët në këtë forcë paqeruajtëse do të vendoseshin para një rreziku të konsiderueshëm, të cilin nuk ka gjasa ta tolerojnë bashkëqytetarët e tyre.

Kur Macron përmendi për herë të parë mundësinë e dërgimit të trupa franceze në Ukrainë në fillim të këtij viti, sondazhet treguan se shumica e qytetarëve francezë ishin kundër kësaj ideje. Rreziqet e kësaj nisme janë më se të dukshme.

Nga njëra anë, të vendosur për të rifituar territoret e humbura duke provokuar një luftë të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë, ukrainasit do të kishin çdo lloj nxitje për të provokuar përplasje të armatosura, në të cilat do të tërhiqeshin edhe “paqeruajtësit” perëndimorë.

Nga ana tjetër, nëse Moska do të dojë vërtet të testojë NATO-n dhe të përfitojë nga përçarjet brenda Perëndimit, këtë mund ta arrijë shumë mirë duke kërcënuar “paqeruajtësit” e NATO-s në Ukrainë dhe jo në territorin e NATO-s, duke shmangur referimin ndaj Nenit 5 të mbrojtjes kolektive.

Midis zyrtarëve dhe ekspertëve perëndimorë me një qasje radikale ndaj Moskës dhe që paralajmërojnë vazhdimisht mbi një kërcënim të supozuar të ardhshëm rus për të “testuar vendosmërinë e NATO-s” në shtetet baltike, ka ose një moskuptim të madh të situatës ose një pandershmëri po aq e madhe.

Ata propozojnë që t'i jepet Rusisë një mundësi shumë më të madhe dhe më të besueshme për ta bërë këtë në Ukrainë. Në këto rrethana, që qeveritë evropiane dhe krerët e ushtrive të tyre të bien dakord për një propozim të tillë, qoftë edhe në parim, do të kërkonin garanci të forta dhe publike nga administrata Trump, se ushtria amerikane do të ndërhynte me forcë të plotë për të shpëtuar “paqeruajtësit”, nëse ata do të binin pre e sulmeve ruse.

Kjo do të nënkuptonte llojin e angazhimit ndaj Ukrainës dhe ndaj luftës së mundshme me Rusinë, që Trump dhe anëtarët kryesorë të ekipit të tij janë të vendosur ta shmangin. Siç e thekson artikulli i WSJ, “zyrtarët francezë, e kanë bërë të qartë se ideja do të duhej të përfshinte një lloj mbështetjeje të SHBA-së, dhe nuk është e qartë nëse kjo do merret në konsideratë nga administrata e re e Trump”.

Këta faktorë vështirë se janë të paqartë ose të vështirë për t’u kuptuar. Edhe nëse kjo ide është vetëm sa për testuar ujërat, mbetet ende shqetësues. Sepse shfaqja e kësaj ideje, tregon se Trump dhe qeveritë evropiane kanë marrë informacione shumë të pasakta nga këshilltarët e tyre mbi pozicionet bazë të Rusisë.

Kjo sugjeron ose një punë të dobët të shërbimeve sekrete, ose që këshilltarët në fjalë po synojnë qëllimisht të sabotojnë arritjen e paqes. Nëse po, atëherë ata nuk janë miq me Ukrainën; sepse çdo tregues sugjeron se sa më gjatë të vazhdojë kjo luftë, aq më e keqe do të bëhet pozita e Ukrainës./Përshtati "Pamfleti" nga  “Responsible Statecraft”.

Lini një Përgjigje