TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Dhjetor 2024, 16:55

Assad i strehuar në Moskë, Rusia largon asetet ushtarake nga Siria

Shkruar nga Pamfleti

Assad i strehuar në Moskë, Rusia largon asetet ushtarake nga Siria

Pas rënies së Assad, Moska ka nisur zhvendosjen e aseteve ushtarake nga Siria.

Një autokolonë e gjatë automjetesh të ushtrisë ruse u tërhoq nga qyteti perëndimor i Latakias, në Siri. Ato u drejtuan për në qytetin e afërt Tartus, ku Kremlini ka një bazë detare.

Kjo është hera e tretë brenda një jave që Moska largon nga vendi asetet e saj ushtarake. Kjo ka nxitur zëra për një tërheqje të mundshme të Rusisë, pak pasi aleati i saj i njohur, presidenti Bashar al Assad u rrëzua nga pushtet.

Zëdhënësi i qeverisë së re të tranzicionit në Siri ka folur për pozicionin e ri të vendit.

“Mendoj se Rusia duhet ta rishikojë praninë e saj në territorin sirian, bashkë me interesat e saj, që ishin të lidhura me regjimin kriminal të Assad”, tha Obeida Arnaout, zëdhënës i qeverisë siriane.

Thirrja për largimin e Rusisë nga Siria mund të interpretohet si një thirrje për ngritjen e urave të komunikimit me Perëndimin. BE njoftoi se ka vendosur kontaktet e para me rebelët sirianë, që nga rënia e Assad. Garantimi i një Sirie larg ndikimit rus është në agjendën e bllokut.

“Duhet të jetë një kusht për lidershipin e ri që të largojë influencën ruse, pasi Siria është kthyer në një bazë nga e cila ata kryejnë aktivitete në Afrikë dhe në fqinjët jugorë. Kjo është diçka që përbën shqetësim për sigurinë evropiane”, tha përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas.

Lëvizja rebele Hajat Tahrir al Sham ka deklaruar se plani i saj është ndërtimi i një vendi të bazuar tek uniteti dhe drejtësia. Por historia e grupit, e shënuar nga aktivitete terroriste, bën që shumë vende evropiane të tregohen të kujdesshme me të.

Lini një Përgjigje