Që nga 24 shkurti 2022, puna e oficerit të rangut të lartë ishte ajo e mbjelljes së frikës në vetë popullsinë ruse, duke demonizuar ukrainasit...
"Mushkonjat e infektuara të lëshuara nga dronët amerikanë janë një kërcënim i tmerrshëm për ushtarët tanë".
Kështu deklaronte një herë e një kohë gjenerali rus Igor Kirillov, i vrarë sot në mëngjes në Moskë nga një mjet shpërthyes, teksa po largohej nga shtëpia.
Ai ishte njeriu që duhej t'i trembte rusët. Ishte ai që u mor me menaxhimin e Covidit, teksa tani i dhanë një lugë bosh, duke e emëruar kreun e mbrojtjes bërthamore, radiologjike, kimike dhe biologjike. Lugë bosh sepse politika "atomike" menaxhohet nga Këshilli i Sigurimit, pra drejtpërdrejt nga Kremlini.
Që nga 24 shkurti 2022, puna e oficerit të rangut të lartë ishte ajo e mbjelljes së frikës në vetë popullsinë ruse, duke demonizuar ukrainasit dhe duke u bërë kështu një nga figurat më të urryera në Kiev.
Kirillov fliste në Dumën ruse dhe në televizion çdo muaj, për “djallin ukrainas”. Ai kishte filluar duke denoncuar ekzistencën e bio-laboratorëve të sponsorizuar nga SHBA në tokën ukrainase, ku krijoheshin "bomba kimike e biologjike". Në qershor 2022, ai deklaronte se një virus që mund të transmetohej përmes mushkonjave Aedes, të mbartura nga dronët e SHBA, ishte tani gati dhe përmes tij përhapeshin lloje të ndryshme të etheve, malarias dhe infeksioneve të tjera, mes ushtarëve rusë të angazhuar në front.
Vetëm dy muaj më parë, gjatë një takimi në Ministrinë e Mbrojtjes, Kirillov kishte akuzuar përsëri qeverinë e Kievit, këtë herë për përdorimin e më shumë se katërqind substancave helmuese, mjeteve të ndaluara kimike dhe substancave të tjera toksike, sipas tij, të përdorura nga njësitë e trupave ukrainase për të "kryer akte terroriste", si përdorimi i thalliumit për "akte sabotimi kundër një sërë ekspertësh në televizionin shtetëror".
Lista e alarmeve të nisura nga Kirillov në vitet e fundit përfshin gjithashtu përdorimin e gazit mustard, dhe përdorimin e minjve kamikazë, me ngarkesa shpërthyese të dërguar përtej vijës së parë. Mund të duken detaje paradoksale, por ato përmbushën funksionin e monsterifikimit të Ukrainës, duke u kujdesur për një prirje që tashmë ekziston në Rusinë e thellë.
Por puna e Kirillovit nuk ishte propagandë e thjeshtë në frontin vendas, të paktën sipas Ukrainës, e cila e akuzoi atë se kishte autorizuar përdorimin në masë të një sërë armësh kimike në Donbass, si granatat luftarake K-1, të cilat janë të pajisura me substanca toksike dhe irrituese dhe për këtë arsye ndalohen nga traktatet ndërkombëtare. Kombinimi i këtyre dy aktiviteteve, e kishte bërë atë një objektiv të veprimtarive të kundërzbulimit të Kievit. Ai ishte subjekt i sanksioneve nga Bashkimi Evropian, teksa dje Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës njoftoi hapjen e një çështjeje penale në mungesë kundër tij, duke e bërë atë përgjegjës për dhënien e "më shumë se 4,800" urdhrave trupave ruse për të përdorur municione kimike në frontet lindore dhe jugore të konfliktit.
Kishte shumë elementë për të besuar se një sulm ndaj tij ishte i mundur. Gjë që tregon se Rusia po bëhet gjithnjë e më e perceptueshme.
Më 12 dhjetor, një person i armatosur vrau inxhinierin Mikhail Shatsky në një park të Moskës, që besohet të jetë arkitekti i modernizimit të raketave Kh-59 dhe Kh-69 të përdorura kundër Ukrainës. Dy ditë më parë, Sergei Jevsivkov, drejtor i burgut të Olenivkës në kohën kur u godit nga një raketë ruse që vrau dhjetëra të burgosur ukrainas, hodhi veten në erë ndërsa ishte pas timonit të makinës së tij në qendër të Donetskut. Këto janë krime që për momentin nuk kanë asnjë pretendim, por të paktën motivi duket i qartë.
Kirillov u vra nga një mjet shpërthyes me rreth treqind gramë tritol, e vendosur në hyrje të rezidencës së tij në Moskë. Ai po largohej herët në mëngjes, për të shkuar në Ministrinë e Mbrojtjes, ku do të mbante një fjalim. Ai jetonte në Riazan Prospect, në pjesën jug-lindore të Moskës, një periferi e vogël borgjeze. /Përshtati “Pamfleti” nga "Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje