Edhe pse është ende herët për ta nxjerrë plotësisht Orbanin jashtë loje, është e rëndësishme të ndalemi te masa në të cilën orbanizmi dhe, në vazhdim, trumpizmi, si edhe eksperimente të ngjashme në politikën nacionaliste radikale dhe revolucionare, janë treguar si një rrugë pa krye, si politikisht ashtu edhe në përmbajtje…
Rruga përpara për qeverinë e re të Hungarisë, që pritet të formohet në ditët në vijim nga partia Tisza e Péter Magyar-it, nuk është e lehtë. Vendi po përballet me probleme ekonomike në përkeqësim: inflacion të lartë, rritje të ngadaltë dhe financa publike në rënie. Pas 16 vitesh sundimi të pakontrolluar, partia e mposhtur Fidesz do të vazhdojë të ketë besnikë në poste kyçe në biznes, administratën publike, gjyqësor dhe gjetkë.
Megjithatë, e diela ishte një ditë madhore për politikën evropiane dhe atë amerikane. Forma e nacionalizmit populist përçarës, e udhëhequr fillimisht nga Viktor Orban dhe më pas e çuar në një nivel të ri nga Donald Trump, u mposht bindshëm në kutitë e votimit. Për më tepër, ajo u mposht me një diferencë aq të madhe, saqë çdo përpjekje për ta përmbysur rezultatin do të kishte qenë e destinuar të dështonte.
Pavarësisht pretendimeve për blerje votash dhe parregullsi të tjera, të shprehura ditën e zgjedhjeve nga drejtori politik i Viktor Orbanit, Balazs Orban, shefi i tij vendosi ta mbyllte mandatin në një notë të lartë, duke e pranuar humbjen dhe duke uruar kundërshtarin. Duke vepruar kështu, ai shpresohet të ketë dhënë një shembull që ndjekësit e tij amerikanë do të vendosin ta ndjekin kur të vijë momenti, ndryshe nga ajo që ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Edhe pse është ende herët për ta nxjerrë plotësisht Orbanin jashtë loje, është e rëndësishme të ndalemi te masa në të cilën orbanizmi dhe, në vazhdim, trumpizmi, si edhe eksperimente të ngjashme në politikën nacionaliste radikale dhe revolucionare, janë treguar si një rrugë pa krye, si politikisht ashtu edhe në përmbajtje.
Sërish, Fidesz nuk i ka humbur zgjedhjet me një diferencë të vogël. Në fund të numërimit të votave të dielën në mbrëmje, epërsia e Tisza-s dukej se ishte rreth 16 për qind, dukshëm mbi mesataren e sondazheve, duke i dhënë kryeministrit të ri shumicën prej dy të tretash, të nevojshme për t’u shkëputur më vendosmërisht nga trashëgimia e 16 viteve të fundit.
Rreth një dekadë më parë, ideja e Orbanit për “demokracinë joliberale” mund t’u jetë dukur disave si një mënyrë e freskët, kundër rrymës, për t’iu përgjigjur dështimeve dhe pikave të verbra të “internacionalistëve liberalë”, “neoliberalëve” ose “establishmentit”.
Sot, për një shumicë vendimtare hungarezësh, ky slogan është një përmbledhje e keqqeverisjes, stanjacionit ekonomik dhe afrimit me disa nga regjimet më të këqija në planet. Pavarësisht magjepsjes së konservatorëve socialë amerikanë me Hungarinë, politikat e Orbanit nuk kanë sjellë as ripërtëritje të jetës familjare dhe të fesë së organizuar, por përkundrazi rënie demografike dhe zbehje të frekuentimit të kishës.
Nxjerrja e përfundimeve nga një zgjedhje e vetme është e mbushur me rreziqe, por pas zgjedhjeve hungareze, projekti i udhëhequr nga figura si Orbani dhe Donald Trump tashmë nuk ka më kampionë vërtet me ndikim. Robert Fico, nxënësi sllovak i Orbanit dhe kryeministri actual, me lidhje miqësore me Kremlinin, nuk ka bindje të mirëfillta ideologjike (përveç nostalgjisë sovjetike), është i konsumuar dhe gjithashtu një aktor i parëndësishëm në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Giorgia Meloni e Italisë është dëshmuar si një aktore politike krejtësisht normale, jo revolucionare. Mund të mos biesh dakord me pikëpamjet e saj për martesën homoseksuale ose emigracionin, por nëse ajo do të bëhej mishërimi i formës së re të politikës së djathtë në gjithë Perëndimin, as demokracitë tona dhe as sistemi ynë i aleancave nuk do të ishin në rrezik.
Jordan Bardella, kreu i Tubimit Kombëtar të Francës, ka vendosur sa më shumë distancë të jetë e mundur mes vetes dhe lëvizjes MAGA, dhe gjithashtu shfaqet në një mënyrë jo kërcënuese. Ende ekzistojnë Alternativa për Gjermaninë, me prirjen e saj të skajshme të djathtë, Partia e Lirisë e Austrisë, Reform UK e Nigel Farage-it dhe shumë aktorë të tjerë. Megjithatë, radikalizmi i tyre, por edhe tërheqja e tyre elektorale, ka të ngjarë të formësohen nga suksesi, ose mungesa e tij, te kampionët e tjerë të së njëjtës kauzë.
Duke lënë mënjanë vështirësitë e brendshme të Trumpit dhe mënyrën si ai i ka menaxhuar keq situata të rëndësishme ndërkombëtare, si Irani, presidenti amerikan 79-vjeçar duket më pak si pionier i një lëvizjeje të re politike në rritje dhe më shumë si një figurë, rëndësia e së cilës i ka kaluar afati. I braktisur gjithnjë e më shumë nga figura si Tucker Carlson dhe Alex Jones, Trumpi tani ka humbur të vetmin model ndërkombëtar të besueshëm për stilin e tij të qeverisjes.
Mundësia që ofron humbja e Orbanit dhe pranimi i rezultatit prej tij i jep Evropës një shans për të lënë pas periudhën e politikës së jashtëzakonshme, në të cilën vetë ekzistenca e BE-së dhe e demokracisë në shtetet e saj anëtare ishte nën kërcënim.
Mbetet të shpresohet që humbjet e njëpasnjëshme të versionit aktual të Partisë Republikane në kutitë e votimit, si edhe largimi eventual i Trumpit nga jeta politike amerikane, do t’i sjellin Shteteve të Bashkuara, institucioneve të tyre politike dhe aleancave të tyre një shkallë të ngjashme lehtësimi. /Përshtatur nga The Spectator/
Alex Jones deri dje eshte quajtur konspiracionist, è cuditerisht ju te pamfletit se keni permendur asnjehere. Sdq, si Jones, Carlson, Owens, Logan etj., nuk kane qene asnjehere dhe nuk jane figura kryesore qe e kane mbeshtetur Trump, thjeshte pi ti kishte qene per keta ai as governator nuk mund te ishte zgjedhur e jo me president. Pavaresisht gjithshkaje, e gjithe situata duhet pare me gjere e jo ngushte, besoj Trump do fitoje mazhorancen ne zgjedhjet e mesme ne Nentor 2026.