
Pushtimi rus i Ukrainës ka bërë NATO-n që të diskutojë nevojën për të forcuar kufijtë lindorë me Rusinë duke përqendruar pajisje dhe një kontingjent deri në 300,000 ushtarë, për të penguar zgjerimin e konfliktit nga Moska.
Aleanca e Atlantikut synon të ndalojë Rusinë nëse vendos ta zgjerojë luftën përtej Ukrainës dhe veprime të tilla do të kërkojnë koordinim dhe përpjekje të mëdha nga 30 anëtarët e NATO-s për të siguruar ushtarë, objekte trajnimi, sasi të mëdha armësh, pajisje dhe municione.
Por theksohet se koordinimi mund të jetë sfidues, pasi shumë aleatë tashmë janë të shqetësuar për rezervat e tyre të pamjaftueshme të municioneve, të cilat kërkojnë kohë dhe para për t’u rimbushur. Në këtë drejtim Politico shkruan se krerët ushtarakë të NATO-s do të paraqesin plane të përditësuara të mbrojtjes rajonale.
Zyrtarët e Aleancës po parashtrojnë idenë se kufijtë e saj me Rusinë duhet të ruhen nga deri në 300,000 trupa, raporton gazeta. Vihet re se grupi i parë i trupave të NATO-s mund të përbëhet nga rreth 100,000 ushtarë, gati për t’u vendosur brenda 10 ditëve. Ai mund të përfshijë trupa nga Polonia, Norvegjia, Estonia, Letonia dhe Lituania.
Skuadra e dytë e trupave, shkruan Politico, do të mbështesë këta ushtarë, të gatshëm për t’u dislokuar brenda 10-30 ditëve nga vende si Gjermania.
Lini një Përgjigje