TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Tetor 2023, 20:27

Frika e përshkallëzimit të konfliktit në Gaza, SHBA njofton nisjen e operacionit për evakuimin e shtetasve të saj

Shkruar nga Pamfleti

Frika e përshkallëzimit të konfliktit në Gaza, SHBA njofton

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Qeveria amerikane do të nisë operimin e fluturimeve për evakuimin e amerikanëve që duan të largohen nga Izraeli, përderisa Izraeli ka paralajmëruar se po përgatitet të përshkallëzojë aksionin hakmarrës ndaj militantëve palestinezë të Hamasit në Rripin e Gazës.

Fluturimet nga Izraeli, me amerikanët që duan të largohen, pritet të nisin të premten, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Qeveria amerikane është përgatitur që të realizojë të paktën katër fluturime në ditë nga Izraeli për në Frankfurt, Gjermani, thanë burimet e afërta me këtë çështje për agjencinë Associated Press.

Ky njoftim vjen në kohën kur Shtëpia e Bardhë tha se numri i amerikanëve të vrarë gjatë dhunës mes Izraelit dhe Hamasit tashmë ka arritur në 27.

Mijëra persona janë vrarë në Izrael dhe Gaza që kur Hamasi nisi sulmin e befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli u kundërpërgjigj ashpër me sulme në Rripin e Gazës.

Katërmbëdhjetë shtetas amerikanë në Izrael konsiderohen të zhdukur. Shtëpia e Bardhë po ashtu ka konfirmuar se disa amerikanë janë në mesin e dhjetëra personave që Hamasi ka marrë si pengje.

Më 12 tetor, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi Izraelin, ku u takua me kryeministrin e këtij shteti, Benjamin Netanyahu.

irani izraeli

Lini një Përgjigje