Luftë pa fund: Rusia e Putinit, Europa e ndarë dhe ëndrrat e dështuara të Trump-it
Konferenca maratonë e presidentit rus Vladimir Putin më 19 dhjetor, e kthyer tashmë në një ritual vjetor, nuk dha asnjë shenjë se Moska do të tërhiqet nga objektivat e shpallura që prej nisjes së “operacionit special ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt 2022: aneksimi i plotë i Donetskut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Khersonit.
Ashtu siç pritej, Putin nuk u tregua aspak i shqetësuar që, pothuajse katër vite nga nisja e luftës, ushtria ruse ka arritur të pushtojë plotësisht vetëm Luhanskun, një rajon që e kontrollonte pjesërisht që nga viti 2015, ashtu si edhe Donetskun.
Qëndrimi i pandryshuar i Putinit nuk është befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma ruse miratoi ligje që shpallnin këto katër rajone si pjesë të territorit rus. Këtë muaj, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe zëvendësi i tij Sergei Ryabkov konfirmuan edhe një herë pretendimet territoriale të Kremlinit.
Kjo vijë e ashpër bie ndesh me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trump për të arritur një marrëveshje politike para Krishtlindjes. Në përpjekje për të përmbushur këtë afat, Trump ka ushtruar presion mbi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të dorëzuar zonat e mbetura të Donetskut që ende kontrollohen nga Kievi. Edhe pse Zelensky e refuzoi këtë kërkesë, ai ka shprehur gatishmëri për të hequr dorë nga anëtarësimi në NATO dhe të shpallë neutralitet, në këmbim të garancive të forta të sigurisë nga Perëndimi.
Putin nuk bindet, lufta e tij nuk lidhet vetëm me NATO-n
Ky kompromis nuk ka gjasa të kënaqë Putinin. Shqetësimet e Moskës ndaj zgjerimit të NATO-s janë më të vjetra se vetë Putini. Por lufta e vitit 2022 nuk lidhet thjesht me NATO-n, pasi nuk ka asnjë provë që Ukraina ishte më afër anëtarësimit në prag të pushtimit, sesa në vitin 2008, kur NATO në Samitin e Bukureshtit premtoi një anëtarësim të ardhshëm pa afat.
Ndryshe nga Finlanda dhe Suedia, që u pranuan me shpejtësi në NATO pas aplikimit në maj 2022, Ukraina ka mbetur peng i përçarjes së vendeve anëtare, përçarje që kërkon unanimitet për pranime të reja. Pra, për të kuptuar motivet e Putinit, duhet parë më thellë në narrativën historike të tij.
Putini ka deklaruar vazhdimisht se rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm, se ndarja mes tyre pas rënies së Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi, dhe se jugu e lindja e Ukrainës i përkasin historikisht Rusisë. Në thelb, ai beson se Rusia është “vjedhur”.
Trump, partneri i padukshëm i Putinit?
Në konferencën për shtyp, Putini lavdëroi sinqeritetin e Trump-it për të nisur negociata paqeje dhe tha se Rusia është ende e gatshme për to, nëse merren seriozisht interesat e saj.
Por ky “lavdërim” nuk është pa qëllim. Trump ka cilësuar Putinin si “gjeni”, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës dhe ka shfaqur interes për marrëveshje të përbashkëta miliarda dollarëshe me Rusinë. Ai ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelensky të zhvillojë zgjedhje presidenciale, pavarësisht luftës, për të legjitimuar pushtetin e tij.
Ashtu si Putini, edhe Trump shfaq përbuzje ndaj Europës dhe preferon një marrëveshje që anashkalon kontinentin dhe vetë ukrainasit. Prandaj, Moska e sheh Trump-in si një “derë të hapur” për t’i shkëputur SHBA-në nga Europa dhe për të dobësuar frontin perëndimor.
Përballë kësaj lufte pa kompromis, Bashkimi Europian ka bërë një lëvizje strategjike për të mos lejuar kolapsin e Ukrainës. Edhe pse dështoi plani për të përdorur interesat nga 210 miliardë euro të aseteve të ngrira ruse, BE-ja gjeti një rrugë alternative: do të marrë borxh 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vitet e ardhshme – një borxh që nuk do të shlyhet, përveç nëse Rusia paguan dëmshpërblime (diçka që askush nuk e pret).
Media europiane u përqendrua te përçarja mes vendeve të BE-së, por lajmi i vërtetë është se 27 shtete, me interesa të ndryshme, arritën të bashkohen për të shmangur rënien e Ukrainës. Nëse deklaratat e Putinit tregojnë se lufta do të vazhdojë, vendimi i BE-së e bën edhe më të qartë këtë realitet.
Europa i ka hedhur Ukrainës një litar shpëtimi, por s’mund të mashtrohemi. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë pas murit, përballë një armiku me burime shumë më të mëdha, dhe një udhëheqës që “kompromisin” e kupton vetëm si dorëzim të palës tjetër.
Për aq kohë sa Putini nuk lëshon pe për territorin, Trump nuk do të marrë dhuratën e Krishtlindjes që dëshiron. Dhe përkundër përpjekjeve diplomatike, gjithçka tregon se lufta do të zgjasë edhe gjatë vitit që vjen. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Guardian”
Lini një Përgjigje