TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Dhjetor 2023, 19:42

'Fillimi i fundit' për Hamasin dhe kërcënimet ndaj pengjeve e civilëve

Shkruar nga Pamfleti

'Fillimi i fundit' për Hamasin dhe kërcënimet ndaj

Situata në Rripin e Gazës po del jashtë kontrollit, ku lufta ka hyrë në muajin e tretë dhe luftime të ashpra po zhvillohen në dy qytetet më të mëdha, ndërkohë mungesa e ndihmave humanitare po krijojnë një krizë të paprecedentë.

Ndërsa tanket izraelite kanë hyrë në zemër të qytetit të Gazës në veri dhe Khan Younis në jug, Hamasi ka bërë kërkesa të reja për lirimin e të burgosurve palestinezë. Ndërkohë që në të njëjtën kohë kërcënoi se do të vriste pengjet që mban në tunelet e Gazës.

Kërcënimet e Hamasit: Asnjë peng nuk do të largohet i gjallë

Hamasi paralajmëroi se asnjë peng nuk do të largohej i gjallë nga Gaza nëse kërkesat e tyre nuk plotësoheshin.

"As armiku fashist dhe lidershipi i tij arrogant, as mbështetësit e tyre, nuk mund t'i marrin pengjet të gjallë nëse nuk ka shkëmbim, negociata dhe marrëveshje për kushtet e rezistencës," tha zëdhënësi i Hamasit Abu Obaidah, në Telegram.

Presioni po rritet mbi fatin e 137 personave që ende mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura. Ndërsa, sipas aktivistëve, rreth 7000 palestinezë mbahen në burgjet izraelite.

Izraeli ka premtuar vazhdimisht se do të bëjë gjithçka që mundet për të shpëtuar pengjet e mbetura. Rreth 110 janë liruar në total, por një armëpushim shtatë-ditor që liroi dhjetëra pengje përfundoi javën e kaluar.

Katari po vazhdon ndërmjetësimin në një përpjekje për të liruar më shumë, por kryeministri i vendit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, tha për fat të keq, nuk ka vullnetin që kemi parë në javët e mëparshme.

Mesazhi i Netanyahut: Ky është fillimi i fundit tuaj

Deklarata e kryeministrit të Izraelit, i cili tha se dhjetëra luftëtarë të Hamasit po hedhin armët dhe po dorëzohen, solli tronditje në Gaza.

Duke folur të dielën, Benjamin Netanyahu shtoi se "lufta po shkon në rrugën e duhur" dhe humbja e plotë do të marrë më shumë kohë, por theksoi se ishte "fillimi i fundit për Hamasin".

“Unë u them terroristëve të Hamasit: Çdo gjë ka mbaruar. Mos vdisni për Sinwarin (kreun e Hamasit Jahja). Dorëzohuni tani!" tha ai.

“Gjueti” për ndihma humanitare

Kërcënimet në rritje nga Hamasi, si dhe ngërçi i afërt në bisedime, vijnë pasi presioni po rritet mbi forcat ushtarake izraelite kundër militantëve të Gazës. Ndërsa mungesa e ndihmave humanitare po e nxjerr jashtë kontrollit situatën për civilët në enklavën palestineze.

Banorët e Khan Younis thanë se tanket kishin arritur në rrugën kryesore veri-jug në Rripin që kalon nëpër qytet, pas luftimeve të rënda gjatë natës që ngadalësuan përparimin izraelit nga lindja. Ndërkohë, u raportua se avionë luftarakë po godasin zonën në perëndim të sulmit.

Në të njëjtën kohë, pak më në jug, në Rafah, në kufirin me Egjiptin, turma njerëzish po ngjiteshin mbi kamionë ndihmash që kalonin në përpjekje për të vjedhur furnizimet. Policia qëlloi në ajër për të shpërndarë turmën.

Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se mungesat e ushqimit dhe ilaçeve do të bëhen më të mprehta me fillimin e dimrit dhe shumica dërrmuese e popullsisë është zhvendosur.

Një total prej rreth 2.3 milionë njerëz jetojnë në Rripin e Gazës , 80% e banorëve janë të varur nga ndihma humanitare.

Që nga fillimi i luftës më 7 tetor, 18,000 palestinezë kanë vdekur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi.

Rreth 1200 njerëz u vranë në sulmin e armatosur të Hamasit në Izrael, i cili provokoi hakmarrje nga qeveria izraelite në Gaza.

hamas izrael palestinë gaza idf

Lini një Përgjigje