TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Gusht 2024, 10:42

Fati ndihmon guximtarët! Çfarë synon realisht Kievi me sulmin brenda Rusisë

Shkruar nga Oleh Dunda

Fati ndihmon guximtarët! Çfarë synon realisht Kievi me sulmin

Historia është plot me shembuj të të gjitha llojeve të perandorive që bien përballë kundërshtarëve në dukje më të dobët. Nga beteja biblike midis Davidit dhe Goliatit dhe Lufta Amerikane për Pavarësi kundër Perandorisë gjigante Britanike, deri tek shembja e Perandorisë Sovjetike.

Fitorja e “Davidëve të dobët”, është dukur gjithmonë e papritur, ndërsa rënia e “Goliatëve të plotfuqishëm” ka qenë gjithmonë e bujshme. Ne jemi në prag të ngjarjeve të ngjashme, dhe operacioni i ushtrisë ukrainase ditët e fundit në rajonin Kursk në Rusi, është një manifestim i tyre.

Në fakt, ky operacion mban parasysh përvojën e marshimit të Yevgeny Prigozhin drejt Moskës në vitin 2023, e cila tregoi dobësinë dhe brishtësinë e brendshme të Rusisë. Në atë kohë, vetëm 5.000 luftëtarë të milicisë mercenare, ishin në gjendje të vendosnin nën kontroll rajonin e Rostov-on-Don me një popullsi prej më shumë se 1.1 milion njerëz, dhe të marshonin pa asnjë rezistencë deri afër Moskës.

Ajo ngjarje e bujshme, nxori në pah paaftësinë e Moskës për të zhvilluar një luftë të gjerë në territorin e saj. Që nga ai moment, ishte vetëm çështje kohe para se të kryheshin operacione të tjera, sikurse është edhe operacioni i ushtrisë ukrainase në Kursk. Për më tepër, këtë lëvizje të guximshme e kërkonte mbijetesa e Ukrainës si shtet.

Tek e fundit, në teatrin e luftës në të cilin ekziston një vijë fronti relativisht e palëvizshme, e ngjashme me Luftën e Parë Botërore, Rusia ka një avantazh strategjik ndaj Ukrainës. Prandaj për Kievin ishte jetike që ta transferonte betejën në territoret ruse, pavarësisht kundërshtimeve të partnerëve dhe aleatëve të tij perëndimorë.

Meqë ra fjala, këta të fundit kanë humbur luftëra të tilla përballë kundërshtarëve më të lëvizshëm. Operacioni në Kursk, synon vetëm një gjë: një lëvizje të guximshme për të “përmbysur tryezën”. Siç thotë shprehja e vjetër latine Fortis fortuna adiuvat, fati favorizon trimat.

Dhe në një kohë që të gjitha rrethanat ishin të favorshme për një operacion të tillë, Ukraina ishte në gjendje të grumbullonte trupat dhe mjetet e nevojshme në rajonin Sumy-Kharkiv, nën justifikimin e mbrojtjes nga një pushtim i ri i mundshëm rus. Prandaj ato u grumbulluan pa ngjallur dyshime nga ana e Moskës.

Njëkohësisht, Rusia po përdor të gjitha burimet e saj në kryerjen e operacioneve sulmuese në sektorët Donetsk dhe Zaporizhzhias. Për më tepër, mediat ukrainase zhvilluan një fushatë e suksesshme informuese për një ofensivë të mundshme ruse në veri të Ukrainës, e cila e vuri në gjumë akoma më tej vigjilencën e armikut.

Vetë operacioni po përgatitej prej disa muajsh. Dhe që në ditët e para të operacionit, mund të themi se gjithçka ishte planifikuar si duhet. Trupat ukrainase u ndeshën me një prapavijë pothuajse të zbrazët nga trupat ruse, të cilën Moska nuk ishte në gjendje ta mbronte.

Për këtë arsye, anëtarët e Këshillit të Sigurimit rus u shfaqën aq të hutuar para kamerave në mbledhjen e tyre të 7 gushtit. Ata nuk mund të bënin dot asgjë. Dhe të gjitha deklaratat e Vladimir Putinit mbi natyrën provokuese të operacionit ushtarak ukrainas janë vetëm fjalë boshe. 

Operacioni në rajonin Kursk, duhet të zgjerohet në ditët e ardhshme, me sulme në pjesën e pasme të frontit dhe akoma më në thellësi, përfshirë autostradën “Prigozhinskaya” M-4 dhe drejtimin drejt Chernihiv, me goditje mbi logjistikën dhe rrjetin e komunikimit midis frontit në Donetsk dhe Rusisë. Në fund të fundit, fati i ndihmon guximtarët.

Rezultati i këtij operacioni, dhe i sulmeve të mëvonshme, do të jetë një ndryshim i plotë i natyrës së luftës drejt lëvizshmërisë, ku Ukraina do të ketë avantazhin. Rusia është e paaftë për këtë lloj taktike, pasi ajo nuk ka burime të mjaftueshme për të mbrojtur të gjithë territorin e saj të gjerë.

Si të gjitha perandoritë para saj, Rusia është një kolos me këmbë prej balte, fati i të cilit është të rrëzohet. Për më tepër, të gjitha frikërat ndaj një sulmi të mundshëm hakmarrës e të paparashikueshëm nga Rusia kundër mbrojtjes së drejtë dhe pro-aktive të Ukrainës, janë provuar vazhdimisht të jenë boshe dhe të pajustifikuara. 

Një rezultat tjetër i rëndësishëm i operacionit në Kursk, është pamundësia absolute e negociatave të armëpushimit. Tani mbetet vetëm një pyetje ndaj aleatëve tanë: A jeni me ne apo jo?/ Marrë nga "Kyiv Post”, përshtati "Pamfleti"

Shënim:Oleg Dunda, deputeti ukrainas nga rajoni Dnipro, përfaqësues i partisë Shërbëtori i Popullit të presidentit Volodymyr Zelensky.

 

Lini një Përgjigje