Grupi Hezbollah, i mbështetur nga Irani, është sot objektivi i sulmit më të madh të koordinuar të Izraelit ndaj Libanit që nga fillimi i luftës, pavarësisht një armëpushimi të arritur me Iranin.
Ekspertët vlerësojnë se kjo mund të jetë përpjekja e fundit e Izraelit për të dobësuar më tej organizatën, e cilësuar terroriste nga Shtetet e Bashkuara, përpara se presidenti amerikan Donald Trump të ushtrojë presion për të kufizuar sulmet izraelite.
“Ajo që po shohim sot në Bejrut mund të jetë akti përfundimtar i Izraelit për të goditur çdo objektiv të Hezbollahut në të gjithë Libanin dhe në Bejrut, jo vetëm në periferitë jugore”, deklaroi për CNN Firas Maksad, drejtor për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Eurasia Group.
Analistët theksojnë se, pa presionin e Trump, Izraeli mund të mos e ndalë fushatën e tij ushtarake në Liban.
“Pika thelbësore është se pa ndërhyrjen e Trump dhe pa presionin e tij ndaj Netanyahut, dyshoj shumë që Benjamin Netanyahu do ta ndalë luftën në Liban”, tha për CNN Fawaz Gerges, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në London School of Economics.
Gjatë 24 orëve të fundit, zyrtarët e përfshirë në negociata kanë dhënë deklarata kontradiktore lidhur me përfshirjen e Libanit në armëpushimin e shpallur gjatë natës.
Pakistani, që ndërmjetësoi marrëveshjen, deklaroi se Libani ishte pjesë e saj. Megjithatë, Izraeli ndërmori të mërkurën fushatën më të madhe ushtarake kundër vendit dhe lëshoi urdhra për evakuim masiv.
“Sfida kryesore për Izraelin në Liban është nëse presidenti Trump do të ushtrojë presion ndaj homologut të tij izraelit për të ndalur sulmet”, shtoi Gerges për CNN.
Lini një Përgjigje