TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Tetor 2023, 17:21

Pse Izraeli nuk e ka nisur ofensivën tokësore në Gaza?

Shkruar nga Pamfleti

Pse Izraeli nuk e ka nisur ofensivën tokësore në Gaza?

Ndonëse u deklarua se Izraeli do të hynte ushtarakisht në Gaza, pas 12 ditësh, nuk është ndërmarrë një operacion i tillë. Pyetja që lind është: Pse u tërhoq ushtria izraelite?

Çfarë të bëjmë tani: Të fillojmë pushtimin tokësor apo të vazhdojmë me bombardimet?

Kjo është dilema me të cilën po përballet komanda izraelite pas masakrës së 7 tetorit. Fillimisht u duk se do të ndërmerrej një prej operacioneve më të fuqishme për të eliminuar një herë e mirë aparatin ushtarak dhe politik të Hamasit në Gaza, por operacioni nuk ka nisur.

Dhe dyshohet se në mes kanë hyrë amerikanët, pasi inteligjenca amerikane nuk është e sigurt mbi atë që mundtë sjellë ky operacion. Dhe vizita e Biden në Izrael konfirmoi zgjedhjen e Shtëpisë së Bardhë për të ftuar kryeministrin izraelit dhe kabinetin e tij që të jenë të kujdesshëm dhe të mos nxitojnë me sulmin.

Tashmë të njëjtët zëdhënës ushtarakë në Tel Aviv po përsërisin se "disa opsione mbeten në tryezë".

Ne po përgatitemi për fazat e ardhshme të luftës. Nuk kemi thënë se çfarë do të jenë. Të gjithë flasin për ofensivën tokësore. Mund të jetë diçka ndryshe”, u tha gazetarëve të martën njëri prej tyre, Richard Hecht. Dje në qarqet e Ministrisë së Mbrojtjes dhe zëdhënësve të qeverisë u tha se për momentin duhej të mbretëronte heshtja. “Nëse gazetarët pyesin për ofensivën tokësore, përgjigjuni pa koment”, ishte udhëzimi.

Duke shkuar në zonat afër Rripit të Gazës për të vizituar një nga vendet ku janë vendosur bateritë e kupolës së famshme Iron Dome (sistemi izraelit antiraketë), folëm me nënkolonelin Peter Lerner në krye të shërbimit të informacionit, i cili “dredhoi”. “Ishin mediat dhe komentuesit që theksuan se do të hynim në Gaza. Ne në ushtri nuk e kemi specifikuar kurrë këtë zyrtarisht. Por situata mbetet jashtëzakonisht dinamike. Na duhet kohë për ta vlerësuar dhe vepruar në përputhje me rrethanat”, tha ai.

Megjithatë, të paktën dy elementë duket se ndikojnë në vendosmërinë izraelite për të vënë "çizmet në tokë". E para është fati i 200 pengjeve të mbajtura nga militantët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik. Një çështje që për qeverinë po bëhet më e madhe me kalimin e orëve dhe me familjet e pengjeve që kërkojnë fillimin e negociatave me të njëjtat organizata që Izraeli ende deklaron se dëshiron t'i shkatërrojë. Një faktor i dytë është çështja e rreth 360,000 rezervistëve të thirrur. Ashtu si të gjitha konfliktet e tjera të së shkuarës, tani lind fantazma e krizës ekonomike. Sa kohë mund të përballojë Izraeli të paralizojë pjesë të mëdha të fuqisë punëtore? Qeveria duhet të vendosë shpejt nëse do t'i përdorë rezervistët për sulmin ose do t'i dërgojë në shtëpi. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”

Lini një Përgjigje