Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani pas një takimi me kryeministren Giorgia Meloni, ka dalë me një hipotezë sesi mund të mbyllet lufta në Izrael.
Antonio Tajani ka thënë se për të neutralizuar Hamasin, Izreali duhet t'i jepë shpresë popullit palestinez.
Sipas tij nga provat e inteligjencës italiane me ato të vendeve të tjera, nuk ka asnjë provë për përgjegjësinë e Izraelit për bombardimin e spitalit në Gaza .
“Askush nuk është në gjendje të bëjë parashikime, është shumë herët. Është e kotë të pretendosh se asgjë nuk ka ndodhur: të gjithë e dimë shumë mirë se Izraeli ka përgatitur mijëra ushtarë për të hyrë në Gaza , për të goditur terroristët e Hamasit . Shpresoj që të krijohen shpejt kushtet për rikthim në negociatat politike. Ne jemi duke punuar për këtë. Ndërkohë, Izraeli dhe Egjipti duhet të lejojnë ofrimin e furnizimeve dhe ndihmave për popullatën e Gazës dhe të lejojnë evakuimin e të huajve nga Rripi, duke mbrojtur jetën e të gjithë pengjeve”., tha ai.
I pyetur nëse kjo tragjedi e fundit të jetë mundësia e duhur për zgjidhjen e konfliktit mes dy popujve, Tajani thotë se një zgjidhje për një shtet palestinez tani është praktikisht e pamundur.
“Dëshiroj të ndaj këtë shpresë, se shtytja për përmirësim mund të vijë nga një krizë shumë e thellë. Por ne nuk mund të lejojmë të jemi naivë: jemi ende në mes të krizës ushtarake. Është e qartë se mund të ketë vetëm një drejtim: të ecim drejt një zgjidhjeje që respekton sigurinë dhe aspiratat e dy popujve . Shumë thonë se një zgjidhje për një shtet palestinez tani është praktikisht e pamundur: nuk dua ta besoj, vullneti politik ende mund të ofrojë zgjidhje. Për Izraelin, mënyra më e mirë për të neutralizuar projektin e Hamasit është t'i japë shpresë konkrete popullit palestinez.", thekson Tajani.
Ndërsa i pyetur nëse e imagjinon situatën për Gazën dhe Bregun Perëndimor me atë çfarë u bë në Kosovë, me një protektorat ndërkombëtar dhe një kontingjent paqeruajtës, ai tha:
“Është një pyetje interesante, është pyetja e vërtetë: ne të gjithë po punojmë në mënyrë dramatike për të frenuar mundësinë e një rritjeje të re të luftës. Por pas? Kush do ta sundojë Gazën? Izraelitët? Nuk e besoj. Pra kush? Kombet e Bashkuara? Një koalicion i vullnetarëve? Por edhe para kësaj, kush do të hyjë në Gaza për t'u kujdesur për jetën e 2 milionë njerëzve ? Edhe pa veprime të reja ushtarake , Gaza është tashmë një makth , ne duhet të bashkohemi dhe të përgatitemi për t'iu përgjigjur kësaj emergjence, më mirë se në të kaluarën."
Lini një Përgjigje