TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Korrik 2024, 22:48

Çfarë po "gatuhet" në Pekin?

Shkruar nga Pamfleti

Çfarë po "gatuhet" në Pekin?

Tek e fundit, një burokraci e sapo-forcuar, mund të përfundojë duke shtrënguar më tej qytetarët, veçanërisht nëse siç ka parashikuar Xi, autoritetet lokale do të mbajnë mbi supe një pjesë të barrës së mbështetjes së teknologjive dhe industrive të reja.

Ndërsa Kina po përballet me një krizë të strehimit, papunësi të lartë të të rinjve, një kolaps të besimit të biznesit dhe të konsumatorëve dhe me një oqean borxhesh të qeverive lokale, mund të pritej që qeveria kineze të ofrojë gjithçka që ka në plan për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.

E megjithatë takimi i udhëheqësve të lartë këtë muaj, synon të ndërmarrë një sërë reformash shumë të ndryshme. Në vend se të fokusohet tek problemet aktuale të Kinës, Plenumi i Tretë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) - i quajtur kështu sepse është në sesionin e tretë të mandatit 5-vjeçar të komitetit - do ta përgatisë Kinën për një përplasje të fortë me Shtetet e Bashkuara.

Plani parashikon ndërtimin e industrive të nxitura nga investimet masive në teknologjitë më moderne. Ai synon të forcojë kontrollin e partisë në shoqërinë kineze, dhe të ngrejë lart figurën e liderit suprem Xi Jinping, gabimet politike të të cilit, duke filluar nga qasja e “Zero Raste” me Covid -19, deri tek goditjet ndaj kompanive të mëdha, kanë prodhuar një situatë ekonomike shumë të vështirë.

Po ashtu, ai do të nënvizojë zhvendosjen e Kinës nga strategjia e saj afatgjatë ekonomike e rritjes për hir të rritjes ekonomike. Ndër politikat që pritet të shpallen në Plenum, i cili filloi të hënën dhe përfundon të enjten, do të jenë reformat që ristrukturojnë politikat fiskale, si dhe një koordinim më të madh të zhvillimit ekonomik rajonal.

Që të dyja këto janë lëvizje që do të forcojnë rolin e qeverisë qendrore në drejtimin e zhvillimit. Ndërkohë, do të ketë edhe deklarata mbështetjeje për sektorin privat të Kinës, i cili përbën më shumë se 60 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe më shumë se 80 për qind të punësimit në zonat urbane.

Por Xi dhe vartësit e tij, e kanë theksuar shpeshherë se lavjerrësi politik, po lëkundet me vendosmëri drejt zgjidhjeve statiste. Kjo strategji, do të ofrojë pak lehtësim për një popullsi mezi po e përballon jetesën e përditshme, por edhe për kompanitë që e kanë humbur vullnetin apo mjetet për të investuar.

Ecja para e Pekinit drejt asaj që ai e quan një “ekonomi tregu socialiste të nivelit të lartë”, të bazuar tek “forcat prodhuese të një cilësie të re”, do të nxitet nga dëshira e Xi për të parë popullin kinez, veçanërisht të rinjtë e tij, “të hanë hidhërim” në ndjekje të idealeve të tyre kombëtare.

Burimet e qeverisë do të drejtohen për kërkimin, zhvillimin dhe subvencionet e industrive, dhe jo për programet sociale. Nuk duhet të cilësohet ndonjë befasi që me afrimin e Plenumit, mediat kineze nisën të bënin thirrje për një “zhvillim të përbashkët”.

Një slogan egalitar që nga epoka e Mao Ce Dunit, të cilin Xi e riktheu në vëmendje gjatë goditjes që i bëri gjigantëve të shitjes me pakicë të Kinës vitet 2021- 2022. Ndërsa ajo fushatë më vonë u zbeh, gazeta “People’s Daily” e drejtuar nga partia, botoi një artikull të gjatë më 24 qershor “që promovon me vendosmëri prosperitetin e përbashkët në zhvillim me cilësi të lartë”.

Kontributi kryesor ishte i Sekretarit të përgjithshëm të Akademisë kineze të Shkencave sociale, që mbrojti synimin e Kinës për t’u “distancuar nga tendenca e gabuar e vendosjes në plan të parë të kapitalit, materialeve dhe parasë”.

Kjo qasje është shumë larg thirrjes së liderit të ndjerë Deng Xiaoping gati 5 dekada më parë, për të “lejuar që disa të pasurohen të parët”. Po ashtu, përbën një ndryshim të qartë nga direktivat bazë të plenumeve të mëparshme, që shpallnin politika ekonomike të orientuara drejt tregut.

Largimi i Deng nga lufta e klasave maoiste dhe kthesa e tij drejt modernizimit, ndodhi në Plenumin e Tretë të vitit 1978. Mbështetja e tij për hapjen totale të Kinës ndaj ekonomisë globale, ishte tema e takimit të vitit 1993. Madje edhe Plenumi i këtij llojit për Xi-në në vitin 2013, bëri thirrje për më shumë se 300 reforma të lidhura me tregun (shumica e të cilave nuk u zbatuan kurrë).

Megjithatë, që nga ajo kohë është kthyer vala ideologjike. Plenumi i vitit 2018, ratifikoi eliminimin e kufizimeve të mandatit për Sekretarët e Përgjithshëm të PKK, duke i dhënë mundësi Xi-së të mbajë pushtetin për një kohë të pacaktuar, dhe duke paralajmëruar një ndryshim të dukshëm në drejtimin politik.

Fjalimet dhe artikujt e fundit të Partisë Komuniste, kanë paraqitur një “sallatë” fjalësh të zhargonit marksist-leninist, që justifikon politikat e reja etatiste dhe që e lavdëron pa pushim Xi-në. Por propaganda përkthehet në një kontroll më të madh të ekonomisë nga qeveria. Pekini e justifikon si të nevojshme këtë ndryshim politikash, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, ose asaj që Këshilli i Shtetit e quajti në fillim të plenumit si “konkurrencë gjithnjë e më e ashpër ndërkombëtare” nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, teksa këto të fundit po forcojnë kontrollet mbi rrjedhën e teknologjisë dhe kapitalit kinez.

Për pasojë, Pekini po i jep përparësi “vetë-mjaftueshmërisë teknologjike të nivelit të lartë”, duke investuar dhjetëra miliarda dollarë në kërkime tek gjysmëpërçuesit e përparuar, llogaritjen kuantike, llojet e reja të energjisë së rinovueshme dhe në shumë fusha të tjera.

Kjo strategji me një kosto me shumë zero nga pas, parashikon që qeveria të mbështesë ndërmarrjet shtetërore, dhe të zgjedhë si fitues të subvencioneve midis kompanive private për të garantuar rritje të shpejtë përmes përparimit teknologjik.

Sigurisht, zyrtarët kinezë janë të kufizuar që të flasin mbi mënyrën sesi si të trajtohen vështirësitë aktuale ekonomike, dhe Plenumi ka të ngjarë të trumbetojë synimin e tij për të adresuar krizën e strehimit dhe problemin e mosbesimit të biznesit tek perspektiva ekonomike e vendit.

Por ndërsa Pekini po flet prej muajsh për një “model të ri” të pasurive të paluajtshme dhe nevojën për ta zgjeruar kërkesën e brendshme, ka pak shenja të hapave të mëdha për t’i ndjekur këto qëllime. Në vend të kësaj, Plenumi do të çojë përpara reformën e politikës fiskale.

Ai do të synojë dërgimin e më shumë fondeve tek provincat, qytetet dhe qarqet me borxhe të mëdha, burimi kryesor i të cilave, shitja e tokës, u shter gjatë krizës së strehimit. Me ekonominë kineze në vështirësi, dhe me rënien e të ardhurave nga taksat, Pekini nuk do të jetë në gjendje të kompensojë diferencën, pavarësisht më shumë burimeve të qeverisë qendrore që do të ndahen me qeveritë lokale.

Tek e fundit, një burokraci e sapo-forcuar, mund të përfundojë duke shtrënguar më tej qytetarët, veçanërisht nëse siç ka parashikuar Xi, autoritetet lokale do të mbajnë mbi supe një pjesë të barrës së mbështetjes së teknologjive dhe industrive të reja. Po ashtu, plenumi pritet të shpallë masat për të reduktuar kufizimet në lëvizjen e kinezëve nga fshatrat në qytete, dhe të ofrojë mundësi të reja për miliona njerëz, që deri tani nuk kanë përfituar nga rritja ekonomike e vendit. Por nuk duket se Pekini ka politika për të krijuar vende pune për ta.
Ai nuk po merr as masat e duhura, dhe nuk po zbaton as programe sociale apo stimul fiskal për të rritur konsumin, gjë që do të ndihmonte të gjithë ata që vuajnë nga papunësia e të rinjve, të ardhurat e ulëta, çmimet në rënie të shtëpive, zvogëlimi i fuqisë së korporatave dhe një bursë vendase që ka qenë jo pak në vështirësi kohët e fundit.

Një përpjekje shumë e propaganduar për të subvencionuar blerjet e makinave dhe pajisjeve të reja, ka rënë në vesh të shurdhër. Kina ka vendosur qartazi që t’i drejtojë të gjitha burimet e disponueshme drejt teknologjive të gjeneratës së ardhshme, duke neglizhuar mbështetjen e shumicës dërrmuese të popullsisë që mezi po mbijeton jashtë sektorit të teknologjisë. Kjo tregon se Xi Jingping, do të ketë industri të reja plot shkëlqim, por të ndërtuara mbi një bazë ekonomike të dobët. /Përshtati "Pamfleti" nga “Opinione.it”

Lini një Përgjigje