
Një avion rus dyshohet se ka pasur kontakt me një dron amerikan mbi Detin e Zi, por ngjarja ka shumë mister brenda...
Pentagoni ka mbajtura një konferencë urgjente për shtyp pas rrëzimit të dronit të tyre mbi Detin e Zi. Për herë të parë që pas nisjes së luftës në Ukrainë, ka ndodhur përplasja e parë SHBA-Rusi. Droni u dëmtua nga një avion rus dhe për pasojë SHBA u detyrua të rrëzonte në det. Por ka shumë mister mbi atë se çfarë ndodhi realisht mbi ujërat e Detit të Zi.
Gjenerali i forcave ajrore amerikane, Pat Ryder që mban njëkohësisht dhe postin e sekretarit të shtypit në Pentagon foli për incidentin duke dhënë versionin e tij mbi atë se çfarë ndodhi.
“Përafërsisht në orën 7.03 të mëngjesit, një nga avionët rus Su-27 goditi helikën e MQ-9, duke bërë që forcat amerikane të rrëzojnë MQ-9 në ujërat ndërkombëtare. Disa herë para përplasjes, Su-27 hodhi karburant dhe fluturoi përpara MQ-9 në një mënyrë të pamatur dhe joprofesionale. Ky incident tregon mungesë kompetence, përveç të qenit i pasigurt dhe joprofesional”, tha ai.
Gjenerali shtoi gjithashtu se përplasja e avionit luftarak rus me dronin amerikan mund të ketë shkaktuar disa dëme dhe në aeroplanin rus.
“Ajo që pamë ishte avionë luftarakë që hidhnin karburant përpara këtij UAV dhe më pas iu afruan aq shumë avionit saqë në fakt dëmtoi helikën e MQ-9. Vlerësojmë se ka të ngjarë të ketë shkaktuar dëme edhe në avionët rus”, shtoi ai.
I pyetur nga gazetarët se nëse droni përdorej për të përgjuar, ai tha se përgjimet me dron nuk janë të rralla, por shtoi se sjellja fatkeqe dhe e pasigurt e Moskës është diçka e pazakontë. Ai gjithashtu u pyet nëse droni kishte shkelur hapësirën territoriale të Ukrainës apo të Rusisë, por gjenerali hodhi poshtë diçka të tillë dhe tha se droni po fluturonte mbi ujërat ndërkombëtarë.
Ndërsa sa i takon operacionit për rikuperimin e dronit dhe rrezikun e rënies së tij në duart e rusëve së bashku me informacionin e mbledhur, Gjenerali refuzoi të përgjigjej por shtoi se droni nuk është në duart e Rusisë. Ai refuzoi gjithashtu të komentojë nëse droni MQ-9 kishte armë në bord.
Nga ana tjetër Moska mohon incidentin. Me anë të një deklarate për shtyp Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se avionët luftarakë rusë nuk ranë fare në kontakt me dronin amerikan që u rrëzua mbi Detin e Zi.
Në deklaratë thuhet se droni amerikan është manovruar nga pilotët e tij shumë ashpër dhe kjo ka çuar në humbjen e lartësisë dhe më pas përplasjen e MQ-9 me ujin.
Ministria ruse tha gjithashtu se Droni po fluturonte drejt kufirit rus me transponderët e tij (pajisjet e komunikimit me valë) të fikura dhe shtoi se avionët rusë ishin në zonë vetëm për të identifikuar objektin./Pamfleti
Lini një Përgjigje