Nuk duhet domosdoshmërisht të jesh aq sentimental sa Joe Biden, që të kuptosh arsyen pse një baba me fuqi faljeje unike, që tashmë ka humbur një djalë, do t’i përdorte ato për të shmangur burgun për djalin e vetëm që ka ende gjallë...

Presidenti 82-vjeçar në largim, vendosi në fillim që të mbante një nivel të lartë moral kur po rikandidonte për këtë post.
Kjo për të bërë dallimin me rivalin e tij Donald Trump, i cili e përdori lirshëm kompetencën për të falur disa ndihmës të dënuar, por edhe për vjehrrin e vajzës së tij Ivanka. Ai e përjashtoi mundësinë e faljes presidnciale për Hunter, dhe u zotua se do ta lejonte drejtësinë të vepronte pa ndërhyrje.
Zëdhënësja e Biden, Karine Jean-Pierre vazhdoi të këmbëngulte edhe më 8 nëntor, pas triumfit në zgjedhje të Donald Trump, se ai do të mbante premtimin e të tij. Por ndryshoi mendje në mbledhjen vjetore të familjes Biden për Ditën e Falënderimeve në Nantucket në Cape Cod, një traditë që daton që nga vitet 1970, kur Biden po mbante zi për humbjen e gruas së tij të parë dhe vajzës së vogël në një aksident automobilistik.
Në vitin 2015 ai humbi vëllanë e Hunter, Beau, si pasojë e kancerit në tru, dhe duroi shumë vite shqetësime, kur Hunter po përballej me varësinë nga droga. Biden ishte i shqetësuar se burgu do ta nxiste djalin e tij t’i rikthehej drogave, teksa ai sapo ka çelur një kapitull të ri në jetën e tij, me një grua të re dhe një fëmijë të sapolindur.
Hunter kishte të ngjarë të përballej me rreth 3 vjet burg për dy dënimet e tij, së pari për mashtrimin në formular gjatë blerjes së një arme, dhe së dyti për evazion fiskal. Për më tepër, Trump e kërcënoi në qershorin e vitit të kaluar, se nëse do të rizgjidhej do të caktonte një prokuror special “për të ndjekur penalisht presidentin më të korruptuar në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe të gjithë familjen kriminale Biden”.
Ky do të ishte një vazhdim i “zbatimit të ligjit”, prej të cilit ai ka qenë në shënjestër gjatë gjithë karrierës së tij politike. Kushtetuta e SHBA-së, i jep presidentit “fuqinë për të dhënë pezullime dhe falje për shkeljet e bëra kundër Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të rasteve të fajësimit (impeachment)”.
Vetëm dy presidentë amerikanë nuk e shfrytëzuan këtë kompetencë, dhe kjo ndodhi sepse të dy vdiqën para kohe (William Henry Harrison, që shërbeu vetëm një muaj para një sëmundjeje fatale dhe James Garfield, që u vra pas 6 muajsh nga marrja e detyrës).
Disa presidentë të mëparshëm i kanë falur të afërmit e tyre, si rasti i Bill Clinton që dekretoi faljen e vëllait të tij Roger, edhe pse kjo ndodhi shumë kohë pasi ai kishte vuajtur një dënim me burg për zotërim kokaine dhe trafik droge. Në atë kohë, ai akt u pa si shumë i diskutueshëm.
Megjithatë dyfytyrësia e Biden ndaj çështjes së djalit të tij, e dëmton më tej besimin e votuesve tek udhëheqësit e tyre politikë. Ai ka kaluar nga garancia kategorike, se nuk do të falte ndonjë të afërm, tek një akt që e lë zbuluar ndaj akuzës se është një gënjeshtar.
Akti i të dielës mbrëma, u shoqërua në një deklaratë të lëshuar pak çaste përpara se niste udhëtimin drejt Afrikës për një vizitë 3-ditore. Biden e përdori për kompetencën e tij për ngjarje që shtrihen që nga viti 2014, edhe pse akuzat ndaj Hunter erdhën nga veprimet e tij të gabuara në vitet 2016-2019.
Hunter nisi të punojë për kompaninë ukrainase të gazit Burisma në vitin 2014, një post shumë fitimprurëse, dhe e lidhur qartazi me postin e babait të tij si zv/presidenti përgjegjës për raportet me Kievin, duke krijuar përshtypjen se e imunizon veten dhe Hunter nga hetimet e ardhshme.
Biden i la mbështetësit që të mbrojnë aktin e tij, dhe ata e kundërshtuan atë me veprimet e fundit të Trump, që të shtunën e kaluar emëroi si ambasador të SHBA-së në Francë Charles Kushner, vjehrrin e falur tashmë të vajzës së tij Ivanka, i cili u burgos për manipulimin e dëshmitarëve dhe evazion fiskal.
Por, etiketimi nga Joe Biden i ndjekjeve penale ndaj djalit të tij si një “shkelje e drejtësisë”, i dha justifikimin e duhur Donald Trumpit dhe planeve të tij për faljet e diskutueshme. Presidenti i zgjedhur, ngriti menjëherë mundësinë e mëshirës për ata që janë burgosur me akuzën e pjesëmarrjes në mësymjen e dhunshme në ambientet e Kongresit amerikan më 6 janar 2021, të cilëve Trump i referohet si pengje.
“A përfshin falja e Joe për Hunter edhe pengjet J-6, të cilët janë të burgosur prej vitesh? Një abuzim dhe dështim i madh i drejtësisë!”- shkroi Trump në Truth Social. Fuqia e presidentit të Amerikës për faljen e të dënuarve, ka qenë gjithmonë e rrezikuar të bëhej vetëm një levë tjetër patronazhi.
Por kjo nuk duhet të jetë ndoshta dhe aq befasuese, në një sistem ligjor i cili është shumë i politizuar, nga lart poshtë, falë sistemit të tij të prokurorëve të zgjedhur dhe gjyqtarëve të emëruar politikisht. Por edhe disa demokratë janë të shqetësuar me mënyrën se si Biden e braktisi premtimin e tij, duke e dëmtuar më tej vlerën e premtimeve politike, pasi u zotua në fillim se do të rivendoste dinjitetin e postit të presidentit./Përshtati Pamfleti nga “Sunday Times”
Lini një Përgjigje