
Vatra e re e luftës në Siri, është lidhja e ngushë midis konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme. Objektivi është Rusia, e cila në këtë skenar të ri do të detyrohet të angazhohej në një front të ri për të mbrojtur aleatin e saj Bashar Al Assad.
Kështu mendon Marco Bertolini, gjeneral i ushtrisë italiane dhe ish-komandant i operacioneve të shumta speciale në Liban, Somali, Kosovë dhe Afganistan. Sipas tij, sulmi i ditëve të fundit të milicisë Hayat Tahrir Al Sham në Aleppo, vendos në vështirësi jo vetëm Moskën por edhe Iranin, aleatët historikë të liderit aktual sirian, të cilët e kanë mbështetur në luftën civile që donte ta rrëzonte nga froni.
Një aleancë që nuk i pëlqen SHBA-së dhe që synon, ashtu si në Ukrainë, ta vendosë presidentin e ri Donald Trump përballë faktit të kryer, pra të një lufte me rusët e cila nuk mund të ndalet. Ndërkohë në Damask, ka zëra që flasin për një grusht shteti. Apo që është vrarë udhëheqësi i rebelëve Abu Mohammad Al-Julani. Megjithatë këta të fundit po vazhdojnë përparojnë drejt Homsit.
A ka lidhje rifillimi i luftës në Siri me luftën në Ukrainë? Një reagim i fortë i Joe Biden për t’i vënë rusët në vështirësi?
Nuk e di nëse vetë Joe Biden e dëshiron një situatë të tillë. Por zhvillimet e fundit, mund të shihen në kuadrin e një konflikti që nuk lindi me luftën në Ukrainë dhe as me protestat e Euromaidanit. Le të mos harrojmë se pas pushtimit të Irakut, Siria mbeti aleati i vetëm i rusëve në Lindjen e Mesme. Më pas filluan kryengritjet e Pranverës Arabe, të cilat që nga viti 2011 prekën Libinë dhe Egjiptin, por e dëmtuan shumë më rëndë Sirinë.
Pse gjithçka fillon nga atje?
Le të vazhdojmë me analizën historike. Në vitin 2014, në skenë u shfaq papritur ISIS, Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, që lëvizi nga veriu i vendit drejt Bagdadit, duke u shndërruar më pas në ISIS. Kur amerikanët kërcënuan me një ndërhyrje ushtarake në Siri, duke e akuzuar Assadin për përdorimin e gazit nervor kundër popullatës së tij, ata u detyruan të tërhiqen pasi një njësi detare ruse shkoi nga Sevastopoli në Krime për t’u ankoruar para bregdetit sirian, ku Moska ka një bazë, Tartusin.
Ndërkohë në vitin 2015 rusët ndërhynë drejtpërdrejt në konflikt, teksa Hezbollahu i dha mundësi ushtrisë siriane të rivendoste nën kontroll territorin në bregun e djathtë të lumit Eufrat. Ai në të majtë mbeti nën kontrollin e kurdëve, të mbështetur nga amerikanët.
Pse ngjarjet e ditëve të fundit, na nxitin të mendojmë se luftërat në Ukrainë dhe Gaza, duhet të “bashkohen” në Siri?
Kjo lidhje ekzistonte që në vitin 2013, kur lufta në Siri nuk përjetoi ndonjë përshkallëzim sepse anijet ruse mbërritën në brigjet siriane nga Sevastopoli. Tre muaj më vonë, në nëntor 2013, nisi kriza e Euromaidanit, dhe në prill 2014 nisi lufta në Ukrainë, kur Rusia aneksoi Krimenë. Këto fakte lidhen edhe nga pikëpamja kronologjike. Në atë periudhë, ky destabilitet u krijua në dy zona, në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë.
Pse sulmi i ri në Siri ndodhi menjëherë pas armëpushimit në Liban?
Hezbollahu ishte një protagonist në luftën e Sirisë, duke ee mbështetur Assadin, së bashku me Rusinë. Në luftën ndaj Izraelin, ai humbi liderin e vet karizmatik, Hasan Nasrallah, por edhe shumë luftëtarë nga sulmet në Bejrut dhe në luginën Beka.
Dhe kriza e Hezbollahut i dha terroristëve të HTS mundësinë që ta rimerrnin Alepon, të çliruar nga ushtria siriane në dhjetor 2016, pasi kishte qenë skena e vrasjeve, kryqëzimeve dhe prerjeve të kokave nga terroristët islamikë.
Cili është objektivi i vërtetë i këtij fronti të ri në konfliktin e Lindjes së Mesme?
Ofensiva e ditëve të fundit, është pjesë e nevojës për të siguruar zgjerimin e një konflikti që përfshin Rusinë, e cila po i ndihmon tashmë sirianët të përballen me një sulm që synon të përparojë drejt jugut të vendit.
Synimi është që Moska të hapë një front në Lindjen e Mesme, ndërsa po përparon në frontin e Ukrainës. Qëllimi është të provokohet një zgjerim i frontit, në mënyrë që Rusia të detyrohet të zhvendosë forcat nga diku tjetër, duke përfituar edhe nga fakti se Hezbollahu është aktualisht në krizë.
A ka Hayat Tahrir al Sham mbështetjen e SHBA-së? Tek e fundit, amerikanët janë përpjekur t’i përdorin fondamentalistët islamikë në avantazhin e tyre, si për shembull talebanët dikur...
Aksioni i HTS ndodh pas shumë ndërhyrjeve ajrore izraelite në Siri, dhe në të njëjtën kohë me rigjallërimin e Ushtrisë së Lirë Siriane në zonën Al Tanf, të pushtuar nga amerikanët. Izraelitët përballen vazhdimisht me sirianët në lartësitë Golan. Dhe këto nuk mund të jenë rastësi.
Dyshimi i vetëm që kam ka lidhje me Turqinë. Operacioni i ditëve të fundit, nisi nga një territor që është nën kontrollin e turqve, edhe pse Ankaraja ka deklaruar se nuk do të lejojë kurrë krijimin e një shteti terrorist në kufijtë e saj.
Megjithatë Turqia po synon të arrijë një marrëveshje me Assad...
Është folur vërtet për një afrim me Assadin, ose më saktë për një aleancë kundër grupit HTS. Sipas disave analistëve, kjo është edhe arsyeja e sulmit të fundit në Aleppo. Por ai nisi nga një territor nën kontrollin e Turqisë. Brenda disa ditësh do të mësojmë sesi është e vërteta.
A janë izraelitët të interesuar për hapjen e një fronti të ri për të goditur Hezbollahun dhe Iranin?
Hezbollahu është një realitet shumë i vogël, në një vend me vetëm 4 milionë banorë. Ndaj Assad është i vetmi aleat i mbetur i Rusisë në atë zonë. Sipas një zëdhënësi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, situata aktuale në Siri është krijuar për shkak të varësisë së saj nga Rusia dhe Irani.
Pra, sulmi në Aleppo synon t’i vërë në vështirësi rusët?
Po, për ta privuar Rusinë nga një aleat shumë i rëndësishëm në rajon si Siria. Pa një bazë në Mesdhe si ajo e Tartusit, do të dobësoheshin shumë edhe operacionet e flotës ruse në Krime. Nga ana tjetër, Rusia është shumë e angazhuar ushtarakisht në Ukrainë, dhe hapja e një fronti të dytë e dëmton atë. Mendoj se Moska është shumë e shqetësuar. Pastaj ekziston gjithmonë rreziku i përfshirjes në luftë edhe të Iranit.
Megjithatë, gjithçka që po ndodh nuk ka të bëjë fare me atë që ka në mendje Donald Trump?
Ajo që po ndodh është përballja e Trumpit me një fakt të kryer. Nga ky këndvështrim, ideale do të ishte lufta e hapur në Ukrainë, por Putin nuk është gati të tërhiqet. Ai u kundërpërgjigj ndaj sulmeve të kryera me armë perëndimore, duke lëshuar një raketë hipersonike me rreze të mesme veprimi, por nuk e ngriti nivelin e konfliktit, teksa vazhdon me planet e tij. Atje nuk ka përshkallëzim, ndaj diçka e tillë po tentohet të nxitet në Siri./Përshtati Pamfleti nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje