
Sipas Prokurorisë Publike të Milanos, platforma e Elon Musk dyshohet se përdorte të njëjtin model tatimor si ai i gjetur në hetimin Meta, të mbyllur në dhjetor.
Pas hetimeve të kryera nga Guardia di Finanza e Milanos, Agjencia e të Ardhurave ka akuzuar Twitter International UK , tashmë i njohur si X, për mospagesën e 12.5 milionë euro TVSH midis 2016 dhe 2022.
Prokuroria e Milanos dhe Guardia di Finanza, në bashkëpunim me Agjencinë e të Ardhurave, kanë kërkuar nga Elon Musk një shumë prej 12.5 milionë eurosh, pas dyshimeve për “deklarim të rremë” të kryer nga drejtuesit e mëparshëm të Twitter. Hetimi nisi si rezultat i një kontrolli fiskal të GDF, i përfunduar në prill 2024, mbi platformën amerikane – tani e quajtur "X". Dosja është nën mbikëqyrjen e prokurorit Giovanni Polizzi, i cili më parë ka hetuar gjigantët e teknologjisë.
Hetimi fokusohet në një koncept kyç: kur një përdorues i ofron të dhënat e tij – edhe në mënyrë falas – platformave sociale, këto duhet të paguajnë TVSH, pasi përfitojnë të ardhura nga informacionet e anëtarëve të tyre. Sipas prokurorisë, regjistrimet e përdoruesve kanë vlerë ekonomike, sepse lejojnë profilizimin dhe shënjestrimin e tyre për reklama. Kjo marrëdhënie shkëmbimi, sipas akuzës, duhet të jetë subjekt i TVSH-së. Megjithatë, gjigantët e teknologjisë e kundërshtojnë fuqimisht këtë teori.
Twitter International UK akuzohet për mosshlyerjen e TVSH-së për periudhën 2016-2022. Hetimi fiskal i GDF përfundoi në prill 2024 dhe Agjencia e të Ardhurave në janar 2025 i dorëzoi kompanisë gjetjet e saj. Tashmë, çështja është në duart e Elon Musk, dhe avokatët e tij kanë afat deri në fillim të prillit për t’iu përgjigjur kërkesave ose për t’i kundërshtuar ato.
Ky nuk është rasti i parë që autoritetet italiane ndjekin një kompani të teknologjisë për evazion fiskal. Në dhjetor 2024, Prokuroria e Milanos përfundoi një hetim mbi Meta, duke ngritur për herë të parë çështjen e vlerës ekonomike të të dhënave të përdoruesve në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram. Meta është nën hetim për mospagimin e TVSH-së nga 2015 deri në 2021, për një shumë totale prej mbi 877 milionë eurosh.
Meta ka kundërshtuar akuzat, duke deklaruar se “nuk pajtohet me idenë që qasja e përdoruesve në platformat online të jetë subjekt i TVSH-së”. Kompania ka theksuar se ka bashkëpunuar me autoritetet italiane dhe do të vazhdojë të ndjekë legjislacionin europian dhe kombëtar.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Europiane dhe autoriteteve italiane, Meta Platforms Ireland Limited, përmes Facebook dhe Instagram, ka ofruar "shërbime dixhitale për përdoruesit italianë" në këmbim të të dhënave të tyre personale, të cilat përdoren për qëllime tregtare. Për këtë arsye, prokuroria argumenton se kjo shkëmbim duhet të tatohet si çdo transaksion tjetër tregtar.
Lini një Përgjigje