
Deutsche Presse-Agentur raporton se koalicioni i ri i pritshëm midis unionit konservator CDU/CSU dhe partisë Social Demokrate nuk do të njihet më si një “koalicion i madh” , apo GroKo, siç njihej në vitet e Angela Merkelit
Fredrich Merz, lideri i CDU/CSU që fitoi zgjedhjet parlamentare të 23 shkurtit në Gjermani, po udhëheq negociatat për krijimin e Qeverisë së re. Me shumë gjasë kjo qeveri do të jetë një koalicion me socialdemokratët e Scholz, që renditen si partia e tretë nga këto zgjedhje.
“Nuk mund të them asgjë për përmbajtjen e bisedimeve sot, sepse është shumë herët për këtë. Por supozoj se do t'i intensifikojmë ato në ditët në vijim”, tha Merz, referuar bisedimeve.
Merz do të drejtojë bisedimet së bashku me kreun e CSU Markus Söder. Ai theksoi se qeveria e re do të përballet me çështje "urgjente" dhe kjo është arsyeja pse ai mendoi se ishte e rëndësishme "të hynte shpejt në bisedime".
Ai përsëriti edhe një herë tre prioritetet e tij – politikën e jashtme dhe të sigurisë, migracionin dhe ekonominë – dhe synimin për të formuar qeverinë deri në Pashkë, pra më 20 prill.
E përjavshmja gjermane Der Spiegel raportoi se Merz dhe Scholz biseduan për rreth 90 minuta, ndoshta kryesisht për fazën e tranzicionit midis qeverisë aktuale dhe asaj të ardhshme.
Ndërsa Deutsche Presse-Agentur, agjencia gjermane e lajmeve, raporton se koalicioni i ri i pritshëm midis unionit konservator CDU/CSU dhe partisë Social Demokrate nuk do të njihet më si një “koalicion i madh” , apo GroKo, siç njihej në vitet e Angela Merkelit.
Kjo për faktin se të dy nuk janë më partitë më të mëdha në Bundestagun e ri – pasi AfD, parti e së djathtës ekstreme, renditet e dyta, përpara SPD-së, pas zgjedhjeve të së dielës.
Duke u bazuar në një traditë paksa të pazakontë të emërtimit të koalicioneve duke iu referuar flamujve të vendeve të tjera, sugjerimet e para ishin ta quanin "koalicioni shqiptar" ose "koalicioni Angolan" (e zeza dhe e kuqja janë ngjyrat e dy partive, megjithëse në të dyja rastet ka disa elementë shtesë në flamujt e tyre).

Dhe në idetë e hedhura se si mund të quhet koalicioni qeveritar në Gjermani, u hodh edhe ajo se mund të ishte "Koalicioni Zero".
Sado argëtuese të jetë, gjetja e një emërtimi informal për koalicionin e ri ndoshta do të jetë më pak e rëndësishme se problemet që do të përballet dhe i duhet të zgjidhë.
Me mbledhjen e grupeve të partive parlamentare për herë të parë që nga zgjedhjet, numërimi mbrapsht ka nisur. Kancelari në pritje Friedrich Merz ka deklaruar se do të dëshironte të kishte qeverinë e tij përpara Pashkëve. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje