
Trump e ka kthyer atë që dikur ishte kombi i domosdoshëm në një lojtare grindavece të radhës në një botë kaotike, e cila pa udhëheqjen amerikane do të bëhet edhe më e rrezikshme dhe e çrregullt...
Shtetet e Bashkuara u përpoqën për më shumë se 100 vjet - që kur hymë në Luftën e Parë Botërore në prill 1917 - për të qenë udhëheqëse e botës së lirë. Donald Trumpit iu desh vetëm një muaj për të hequr dorë nga ajo udhëheqje, duke shkatërruar gjithçka që paraardhësit e tij - nga Woodrow Wilson, Franklin D.Roosevelt deri tek Ronald Reagan - kishin ndërtuar përmes dy konflikteve globale, Luftës së Ftohtë dhe krijimit të aleancës perëndimore të pas Luftës së Dytë Botërore.
Trump mendon se është i fortë dhe po e bën më të fortë Amerikën. Por sjellja brutale ndaj Ukrainës dhe kapitullimi ndaj Vladimir Putinit, na bëjnë më të dobët. Ajo nasjell një humbje të reputacionit dhe pushtetit, të cilat nuk kanë gjasa të rifitohen ndonjëherë.
Amerikanët dashamirës ndaj Ukrainës, kanë qenë prej kohësh të shqetësuar se Trump do të kthehej kundër vendit në fund të agresionit brutal të Rusisë. Por sjellja e presidentit javën e fundit habiti shumëkënd.
Presidenti amerikan, ka degraduar në fyerje duke e quajtur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky një “komedian mediokër”, “diktator” dhe “hajdut”. Udhëheqja globale e Amerikës - dhe ai që quhej dikur me admirim Shekulli Amerikan - mbështetej tek 3 shtylla.
Ne ishim flamurtarë të vlerave perëndimore: lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit të ligjshëm midis shteteve. Dhe ne e përdorëm forcën tonë për të garantuar rendin dhe stabilitetin, që krijoi terrenin për një lulëzim të jashtëzakonshëm të tregtisë dhe investimeve globale, duke na pasuruar shumë dhe rritur standardin e jetesës për miliarda njerëz në mbarë botën.
Politika e jashtme e Trump po tallet me të treja këto shtylla. Ashtu si të gjitha fuqitë e mëdha, Amerika përdor fuqinë ushtarake dhe ekonomike për të dominuar në botë. Ne nuk kemi jetuar gjithmonë sipas vlerave tona, dhe nuk jemi të imunizuar nga kolonializmi apo shfrytëzimi.
Por përdorimi i pushtetit prej nesh, është diktuar tradicionalisht nga vlerat tona. Ne kemi mësuar t’i projektojmë vlerat me fuqi të butë - diplomacia publike, ndihma e huaj, kultura dhe turizmi për të bashkëpunuar dhe jo u imponuar të tjerëve.
Ekziston një arsye e fortë pse u pamë si një “superfuqi dashamirëse” dhe “kombi i domosdoshëm” në botë. Forca jonë mbështetej po aq tek vlerat sa edhe fuqia jonë dhe si rregull, ne përpiqeshim ta përdornim fuqinë tonë për qëllime të denja.
Trump nuk ka asnjë interes për këtë. Ashtu si një fuqi e madhe tradicionale, ai e barazon forcën me forcën brutale - aftësinë për të imponuar vullnetin e tij te të tjerët. Presidenti i 47-të e ka vënë në pikëpyetje prej kohësh vlerën e aleancave, NATO-s dhe të tjerëve. Ai i përbuz organizatat ndërkombëtare. Me urdhrat e tij të parë ekzekutivë, SHBA-ja u largua nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe disa agjenci të OKB-së. Ai duket i vendosur t’i japë fund ndihmës së huaj të SHBA-së, duke filluar me çmontimin e USAID.
Dhe nuk heziton të kërcënojë aleatët e traktatit - Kanadanë, Meksikën, Panamanë dhe Danimarkën - me imponim ekonomik dhe përdorimin e forcës. Madje nuk bën as përpjekjen më të vogël për të fshehur motivet e kësaj sjelljeje: interesi personal.
Në mandatin e tij të dytë dhe të fundit, ai dëshiron të lërë trashëgiminë e tij historike duke zgjeruar e territorin e SHBA-së, edhe nëse kjo do të thotë shkelje me të dyja këmbët e vlerave, përfshirë paprekshmërinë e kufijve dhe integritetin territorialtë shteteve që i kemi mbrojtur me gjak dhe para në dy luftëra botërore.
Shtylla e dytë e udhëheqjes globale të Amerikës, ishte çuarja përpara jo vetëm e idealeve fisnike në Kushtetutë dhe Kartës së OKB-së, por edhe i vlerave që dikur i shihnim si thelbin e karakterit tonë kombëtar. Dikur krenoheshim që ishim të drejtë, të denjë, të vërtetë dhe të besueshëm
Dhe në përgjithësi u përpoqëm të vepronim në këtë mënyrë në botë, duke përfshirë edhe luftën për lirinë e të tjerëve dhe ndërmjetësimin e paqes. Ndanim të dhënat e inteligjencës tonë me vendet e tjera dhe promovuam zhvillimin e tyre.
Njerëz nga vende më cinike, na cilësonin nganjëherë naivë, megjithatë ngjallnim respekt dhe admirim, dhe kombet e tjera aspironin të ishin si ne, të lirë dhe demokratikë. Sigurisht, nuk ishim vetëmohues por nuk i shihnim marrëdhëniet ndërkombëtare si një lojë me shumën zero.
Forca e aleatëve tanë nuk na pakësonte. Ndonjëherë ne fitonim, vetëm sepse ata fitonin. Nëse Trump beson në ndonjë nga këto gjëra, ai ende nuk e ka treguar. Temperamenti i tij nuk i ngjan aspak idealit tipik amerikan, që nuk është vetëm i drejtë, por edhe shpresëdhënës, duke përfshirë edhe njerëzit e tjerë. Ai është aq shumë i etur të arrijë një marrëveshje me Rusinë, sa që duket se nuk i intereson nëse ajo është apo jo e drejtë.
Gënjeshtrat e tij për Ukrainën - kush e filloi luftën, sa ka shpenzuar SHBA-ja për të mbështetur Kievin dhe popullariteti i Zelenskyt, që të gjitha të huazuara nga propaganda e Kremlinit - tallet me të vërtetën dhe reputacionin tonë si një ndërmjetës të ndershëm.
Në fakt, vendet evropiane kanë dhënë 139 miliardë dollarë, ndërsa SHBA-ja 120 miliardë dhe jo 350 miliardë dollarë, siç pretendon Trump. Dhe Zelensky shihet në mënyrë të favorshme nga 57 për qind e ukrainasve, jo 4 për qind, siç thotë Trump.
Sjellja e vrazhdë e javëve të fundit, e ka shkatërruar besimin e botës ndaj nesh, dhe do të duhet të kalojë një kohë e gjatë - nëse do të ndodhë ndonjëherë - para se dikush të na konsiderojë përsëri një partner të besueshëm.
Shtylla e tretë e fuqisë amerikane, duhet të ketë më shumë kuptim për Trumpin. Edhe pse jo saktësisht përllogaritëse, ishte më transaksionale. Lufta e Parë Botërore ishte në vitin e saj të tretë, kur Woodroë Wilson vendosi më në fund t’i bashkohej, i nxitur jo nga vlerat apo aleancat, por nga rifillimi i sulmeve të nëndetëseve gjermane ndaj anijeve të pasagjerëve dhe tregtare në Atlantikun e Veriut.
Pra ne luftuam për të “mbajtur hapur rrugët detare”, kryesisht për tregti. Ishte një parim që së bashku me vlerat tona, do të mbështeste politikën e jashtme amerikane për vitet në vijim, duke mundësuar tregtinë dhe investimet që prodhonin fitime për ne dhe rritje ekonomike në nivel global.
Më e rëndësishmja: ajo ndihmoi në ruajtjen e paqes. Në epokën e pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja i mbajti rrugët detare të hapura, dhe garantoi paqen kryesisht me kërcënimin e armëve të saj bërthamore. Pa ombrellën tonë, shumë nga aleatët tanë në Evropë dhe Azi por edhe shumë kundërshtarë, do të kishin zhvilluar armët e tyre bërthamore.
Dhe në pak javë, Trump e ka kthyer atë që dikur ishte kombi i domosdoshëm në një lojtare grindavece të radhës në një botë kaotike, e cila pa udhëheqjen amerikane do të bëhet edhe më e rrezikshme dhe e çrregullt.
Evropa do të përpiqet të na zëvendësojë, por nuk ka gjasa të mbushë boshllëkun, pasi nga ai do të përfitojnë kundërshtarët tanë./Pamfleti nga “Washington Monthly”
Lini një Përgjigje