TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Prill 2026, 15:42

Sulmet në Liban, Meloni pezullon marrëveshjen e mbrojtjes me Izraelin

Shkruar nga Pamfleti

Sulmet në Liban, Meloni pezullon marrëveshjen e mbrojtjes me Izraelin

Qeveria italiane ka vendosur të pezullojë rinovimin automatik të memorandumit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me Izraelin, një marrëveshje kornizë e nënshkruar në vitin 2003 dhe e hyrë në fuqi në 2006, e cila rinovohej çdo pesë vjet në mënyrë automatike.

Vendimi u formalizua nëpërmjet një letre që Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i dërgoi homologut të tij izraelit, Israel Katz. Kryeministrja Giorgia Meloni e konfirmoi lajmin gjatë një vizite në Verona, duke thënë se “në dritën e situatës aktuale, qeveria ka vendosur të pezullojë rinovimin automatik të marrëveshjes së mbrojtjes me Izraelin”.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini u shpreh dakord me pezullimin, por kur u pyet për arsyet konkrete, u përgjigj thjesht: “Nuk i di arsyet”.

Sipas burimeve izraelite, ky vendim nuk pritet të ketë ndikim praktik të rëndësishëm. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite deklaroi se me Italinë nuk kemi një marrëveshje sigurie, por vetëm një memorandum që kurrë nuk ka pasur përmbajtje konkrete.

Teksti i marrëveshjes përmban 11 nene dhe përcakton një kornizë bashkëpunimi që përfshin takime midis ministrave të mbrojtjes, shkëmbim informacioni dhe përvojash, ushtrime të përbashkëta ushtarake, ftesa vëzhguesish, aktivitete kulturore, si dhe mundësi për bashkëpunim industrial në sektorin ushtarak. Pezullimi vjen në një kontekst tensionesh në Lindjen e Mesme, pas zhvillimeve të fundit që kanë prekur edhe marrëdhëniet mes aleatëve perëndimorë.

meloni izraeli mbrojtja

Lini një Përgjigje