
Programi Botëror i Ushqimit deklaroi se asnjë ndihmë nuk ka hyrë nëpër vendkalimet jugore të Gazës në dy ditë, ndërsa frika rritet se lëvizjet e Izraelit në Rafah do të mbytin më tej përpjekjet për të futur ushqim në enklavë.
Drejtori Palestinez i ‘WFP’, Matthew Hollingworth, tha se mijëra njerëz janë në lëvizje dhe kanë mungesë të ushqimit dhe karburantit.
"Depoja jonë kryesore tani është e paarritshme. Në 2 ditë nuk ka hyrë asnjë ndihmë nga vendkalimet jugore. Vetëm 1 furrë buke është ende në punë. Furnizimi me ushqim dhe karburant në Gaza do të zgjasë vetëm 1-3 ditë. Pa to, operacionet tona do të ndalen”, shkroi Hollingworth në platformën “X”.
Por Izraeli i kundërshtoi këto paralajmërime të enjten, duke këmbëngulur se ndihma kishte arritur në Gaza. Agjencia izraelite që miraton kalimin e ndihmave humanitare në Gaza – COGAT – tha më herët se pasi u mbyll për disa ditë, kalimi Kerem Shalom ishte i hapur, ashtu si dhe kalimi Erez në veri.
Më vonë të enjten, Forcat Mbrojtëse të Izraelit pohuan se dhjetëra kamionë me ndihma humanitare hynë në Gaza përmes kalimit Kerem Shalom ditën e sotme.
"Izraeli e mban të hapur këtë vendkalim pavarësisht nga gjuajtjet e vazhdueshme me raketa të Hamasit në drejtim të zonës. IDF bën çdo përpjekje për të ofruar një fluks të vazhdueshëm ndihme për civilët ndërsa Hamasi qëllon në mënyrë të përsëritur në Kerem Shalom", tha IDF në X.
Lini një Përgjigje