
Teksa Turqia po përgatitet për balotazhin presidencial të 28 majit, me sa duket kandidati i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu po luan gurët e fundit për të rrëmbyer një fitore kundër presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan.
Kiliçdaroglu po përpiqet të tërheqë votuesit nacionalistë me qëndrime kundër refugjatëve dhe mbi çështjet e sigurisë.
Kandidati i opozitës në Turqi, po premton të kthejë në shtëpi miliona refugjatë sirianë dhe të mbrojë vendin nga kërcënimet terroriste. Qëndrimi i ashpër i Kiliçdaroglu, një distancim nga përqëndrimi tek demokracia dhe problemet ekonomike të Turqisë, është një reagim ndaj suksesit në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Presidentit Erdogan, që ishte shumë pranë fitores që në raundin e parë.
“Erdogani i ka ofruar popullit turk një pozicion të bazuar në identitetin e Turqisë si një vend i fortë, me shumë armiq rreth tij. Të paktën ky është perceptimit i tij, dhe se çdo gjë tjetër është dytësore. Pra, ky është identiteti që preferohet mbi problemet e përditshme”, tha Can Selcuki, drejtues i organizatës Kërkimi Ekonomik i Stambollit.
Gjatë fushatës, Erdogan përdori video të rreme me gjuhë të ashpër që supozohet se tregonin se si udhëheqësit e separatistëve kurdë brohorisnin në mbështetje të Kiliçdaroglu. Videot u shfaqën ndërsa Kiliçdaroglu mori mbështetjen e Selahattin Demirtas-it, ish-udhëheqësit të burgosur të partisë pro-kurde PKK.
Kjo mbështetje i largoi disa votues që favorizonin partinë CHP të Kiliçdaroglu.
“Vëmendja e zotit Kiliçdaroglu ndaj problemit kurd, pritja e mirë që i bëhej në zonat kurde, mbështetja e vazhdueshme e zotit Demirtas me postime në Twitter, ndikuan që një pjesë e votuesve të CHP-së ndoshta të largoheshin. Kjo shkaktoi një reagim nga mbështetësit nacionalistë dhe të krahut patriotik i CHP-së”, thotë analisti Atilla Yesilada nga organizata GlobalSource Partners.
Analistët besojnë se disa mbështetës të pakënaqur të Kiliçdaroglu kaluan tek kandidati presidencial nacionalist i linjës së ashpër Sinan Ogan, i cili befasisht mori 5 për qind të votave në raundin e parë.
Sinan Ogan po mbështet Erdoganin në balotazhin e 28 majit, por është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbështetje.
"Sinan Ogan ka një bazë të përzier mbështetësish dhe nuk jam i sigurt nëse ai mund t'i lëvizë këta njerëz në ndonjë drejtim të caktuar, pavarësisht nga prirjet fillestare të tyre", u shpreh analisti.
Duke marrë parasysh votuesit e Ogan, Kemal Kiliçdaroglu tani po mban një qëndrim të ashpër për sigurinë, duke u zotuar se kurrë nuk do të negociojë me separatistët kurdë, ndërsa analistët thonë se Kiliçdaroglu po rrezikon duke larguar votuesit kurdë.
“Në fakt, Kiliçdaroglu duhet të fillojë përsëri nga e para. Ai duhet të bindë të tjerët. Ai gjithashtu duhet të bindë Sinan Oganin, votuesin nacionalist dhe, natyrisht, ai duhet të mbajë kurdët në anën e tij. Pra, ky është një ekuilibër shumë delikat. Nuk është e pamundur, por është shumë, shumë më e vështirë se raundi i parë”, u shpreh Sezin Oney nga portali PolitikYol.
Lini një Përgjigje