
Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias ka reaguar sërish për arrestimin dhe mbajtjen në burg të kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri, çështje për të cilën tha se Greqia nuk do ta të lërë të kalojë lehtë.
Në një intervistë për mediat greke, Dendias kërcënoi se çështja e Belerit do të ndikojë në marrëdhëniet me Shqipërinë.
“Çështja Beleri nuk do të fshihet nën tavolinë. Shpresoj që marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë të përmirësohen, por kjo është një pengesë shumë e madhe. Ata e kanë gabim nëse mendojnë se diçka e tillë lehtë mund të vihet nën tavolinë, të injorohet ose të harrohet”, është shprehur Dendias në një intervistë televizive për mediat greke.
Ai vazhdoi më tej duke thënë se arrestimi i Belerit rrezikon të krijojë probleme edhe për rrugën e Shqipërisë drejtë BE-së duke dhënë indicie se Greqia do të jetë kundër. Denduias tha se pala greke ka analizuar dosjen dhe sipas tij provat nuk e justifikojnë arrestimin e Belerit.
“Është diçka jashtëzakonisht e pakëndshme. Do të krijojë tensione në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kam frikë të them se do të krijojë edhe probleme në rrugën e Shqipërisë drejt Evropës, diçka që Greqia po e mbështet dhe po e ndihmon. Arrestimi i një kryetari të zgjedhur, në një shtet ligjor evropian, nuk është diçka e pranueshme. E pamë dosjen e tij, e analizuam dhe provat që figurojnë të përfshira nuk justifikojnë ndalimin e përkohshëm të një kryetari të zgjedhur”, është shprehur më tej ai.
Lini një Përgjigje