TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Janar 2026, 20:06

Erdogani dhe Ballkani, një “America First” në version turk!

Shkruar nga Pamfleti
Erdogani dhe Ballkani, një “America First” në version
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan

Samiti i sotëm në Stamboll nuk ishte thjesht një mbledhje formale, por një manifestim i ambicies së Turqisë për të krijuar një qendër të re pushteti, ku Ankaraja shfaqet si boshti kryesor, duke lënë në hije ndikimin tradicional të Brukselit dhe Uashingtonit...

Në fillim të këtij viti, diplomacia rajonale po përjeton një kthesë të rrezikshme që po e riformëson mënyrën se si Ballkani pozicionohet në hartën gjeopolitike. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan duket se po ndjek një strategji që i ngjan doktrinës “America First” të Donald Trumpit, por të përshtatur për realitetin ballkanik, duke e shndërruar në një “Balkans First” nën kujdesin e Ankarasë.

Takimi i dytë i Platformës së Paqes në Ballkan, i mbajtur sot në Stamboll, ishte një mbledhje e ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit, e organizuar nga Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan.

Erdogani dhe Ballkani, një “America First” në version
Takimi i dytë i Platformës së Paqes në Ballkan

Ky i fundit, për shumë vite shef i shërbimit sekret turk (MIT), ka ndërtuar raporte të mira me Uashingtonin dhe shihet gjerësisht si pasardhësi i mundshëm i Erdoganit, gjë që i jep peshë të veçantë rolit të tij në këtë nismë të provomuar që në korrik të vitit të kaluar.

Samiti i radhës, nuk ishte thjesht një mbledhje formale, por një manifestim i ambicies së Turqisë për të krijuar një qendër të re pushteti, ku Ankaraja shfaqet si boshti kryesor, duke lënë në hije ndikimin tradicional të Brukselit dhe Uashingtonit.

Në këtë kontekst, koncepti i “pronësisë rajonale” u prezantua nga Fidan si një parim themelor: vendet e Ballkanit duhet të zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre pa ndërmjetës të huaj. Ky është një mesazh i qartë kundër burokracisë së BE-së dhe ndërhyrjeve amerikane, duke e pozicionuar Turqinë si ‘primus inter pares’, të parë mes të barabartëve, ashtu si Trumpi sfidonte organizatat ndërkombëtare në emër të interesave kombëtare.

Dhe Erdogan po e shoqëron këtë qasje me një diplomaci pragmatike të bazuar në projekte konkrete dhe jo retorikë ideologjike.

Samiti i Stambollit u përqendrua edhe në sigurinë energjetike, duke synuar ta shndërrojë Turqinë në një nyje strategjike për gazin dhe energjinë ballkanike; në dixhitalizim dhe teknologji të lartë, ku Turqia ka investuar shumë, veçanërisht në dronë dhe teknologji ushtarake; si dhe në infrastrukturë dhe logjistikë, duke kontrolluar korridoret e transportit që lidhin Azinë me Evropën përmes Ballkanit.

Ky është një shembull i politikës së “marrëveshjes”, ku në vend të kërkesave për reforma të dhimbshme gjyqësore apo standarde abstrakte, ofrohen investime konkrete në teknologji dhe siguri kufitare. Njëherazi, njoftimi për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga KFOR-i ka krijuar një vakum të dukshëm në rajon, të cilin Erdogani po e shfrytëzon me shpejtësi.

Platforma e Paqes në Ballkan, po prezantohet si një forcë plotësuese, por realiteti tregon se Turqia po synon të krijojë një mini-Shengen gjeopolitik nën ndikimin e saj, duke mbledhur në një tryezë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Kjo qasje ndaj BE-së, është në fakt një mënyrë për t’i thënë Brukselit se çdo marrëveshje për Ballkanin duhet të kalojë fillimisht nga Ankaraja. Gjithsesi, ky projekt përballet me sfida të mëdha. Migracioni i parregullt mbetet një problem i mprehtë, dhe Turqia po e përdor menaxhimin e kufijve si një instrument presioni dhe bashkëpunimi, duke e pozicionuar veten si garantues i sigurisë së Ballkanit.

Ashtu si Trumpi e ktheu murin në kufirin me Meksikën në simbol të sovranitetit, Turqia po e përdor kontrollin e kufijve si një mjet për të forcuar rolin e saj rajonal. Strategjia e Ankarasë nuk synon prishjen e marrëdhënieve me BE-në, por rinegocimin e tyre nga një pozicion më i fortë.

Në këtë kuadër, Erdogan nuk po e kopjon Trumpin në formë, por në substancë. Ai po  e kupton se në një botë multipolare, është vendimtar kontrolli i oborrit të shtëpisë. Me krijimin e Platformës së Paqes në Ballkan, Turqia po i ofron rajonit një alternativë ndaj pritjes së gjatë në dyert e BE-së.

Pyetja që ngrihet për udhëheqësit ballkanikë, është nëse kjo qendër e re pushteti do të shërbejë si garanci për stabilitetin e rajonit, apo thjesht si një instrument që Ankaraja do ta përdorë si ‘monedhë këmbimi’ në lojërat e saj të mëdha me fuqitë globale.

Në këtë pikë shtohen edhe disa pyetje të tjera të natyrshme, që e vendosin nismën e Stambollit jo thjesht si një projekt rajonal, por si një test për mënyrën se si fuqitë e mëdha do të ripozicionohen në Ballkan.

Si do të reagojë Brukseli ndaj Platformës së Paqes, duke pasur parasysh se BE tradicionalisht e ka parë veten si ndërmjetësin kryesor të stabilitetit rajonal? A do ta shohë Uashingtoni këtë nismë si një sfidë ndaj rolit të tij historik në Ballkan, apo si një mundësi për të ndarë barrën e sigurisë me një aleat shpesh problematik si Turqia?

Deri ku mund të shkojë Turqia në rinegocimin e marrëdhënieve me BE-në, duke e përdorur Ballkanin si një kartë strategjike? A është kjo qasje një version i ri i doktrinës së Ahmet Davutoglu për “zero konflikte me fqinjët”, apo një transformim i saj në një formë më të ashpër të real-politikës?

Çfarë nënkupton mungesa e Greqisë në këtë tryezë? A është kjo një zgjedhje e qëllimshme për të shmangur tensionet e hapura, apo një sinjal se Turqia po synon të krijojë një arkitekturë rajonale, ku Athina mbetet jashtë?

Si do të ndikojë ky konfigurim në marrëdhëniet e brishta mes vendeve të Ballkanit, sidomos në raportet Kosovë-Serbi dhe Shqipëri-Maqedoni e Veriut? A do të pranojnë vendet e rajonit që Turqia të shfaqet si “garantuesi” i stabilitetit, apo do ta shohin këtë si një formë të re varësie politike?

Këto dilema e bëjnë të qartë se Platforma e Paqes në Ballkan, nuk është thjesht një nismë diplomatike, por një projekt ambicioz që synon të riformësojë arkitekturën e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal.

Nëse do të shndërrohet në një garanci për stabilitet apo në një instrument të ri të politikës së fuqisë së Turqisë, kjo mbetet për t’u parë në reagimet e Brukselit, Uashingtonit dhe vetë kryeqyteteve ballkanike.

Por një gjë është e sigurt: rritja e ndikimit turk në Shqipëri dhe në Ballkan po merr përmasat e një strategjie të mirëfilltë neo‑otomaniste, ku Ankaraja synon të rikthehet si aktori dominues në hapësirën që dikur ishte pjesë e perandorisë së saj.

 

ballkani erdogan

2 Komente

  1. A
    Arben

    Turqia eshte nje vend autokratik,bie shpejt nga krizat politike dhe ekonomike,vend me interesa gjeopolitike nderkombetare, qe per interesa ekonomike fuqite grabitqare biles edhe ato qe e mbajne veten per demokratike,per nje thele,nuk e kane problem te izolojne vende me te vogla nen diktate te llojit te semure te Bosforit,sepse fatkeqesisht me ate mentalitet vazhdon e ece Turqia, nuk eshte nga Azia e afert, as nga Europa.

    1. F
      Feti Dema

      "Platforma e Paqes"për zgjidhjen paqësore të konfliktit Izraelito-Palestinez me palë të interesuara për paqe dhe me VETO nga Tramp për çdo vendimarrje, mesa duket do shoqërohet me të njëjtin mekanizëm për zgjidhjen e konfliktit ndër ballkanik:"Platforma e Paqes në Ballkan". Mesa duket të drejtën e vetos do ta ketë Erdogan. Palë të interesuara do jenëcSHBA- Rusi dhe vënde të tjera Europiane. Greqia ndaj e refuzoi kërkesën e Tramp për në "Bordin e Paqes" në Davos. Ka hallin e preçedentit.

      Lini një Përgjigje