
Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan ka njoftuar këtë të premten se homologu rus, Vladimir Putin është dakord me propozimin e Turqisë për të zgjatur marrëveshjen e eksportit të grurit në Detin e Zi.
Në një deklaratë për gazetarët, Erdogan shprehu optimizëm se “marrëveshja do të zgjatet si rezultat i përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë”.
“Ne po përgatitemi të presim presidentin rus Vladimir Putin në Republikën Turke në gusht. Të njëjtin mendim kemi edhe për shtrirjen e eksportit të drithit nga Deti i Zi”, theksoi ai
Vihet re se zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Vershinin ka diskutuar në një bisedë telefonike për marrëveshjen e Detit të Zi me homologun e tij turk Burak Aksapar, njoftoi Ministria e Jashtme ruse.
Marrëveshja, e nënshkruar në korrik 2022 në Stamboll nga përfaqësues të Rusisë dhe Ukrainës nën kujdesin e Turqisë dhe OKB-së, lejoi që të eksportoheshin pothuajse 33 milionë tonë drithë ukrainase, pavarësisht nga lufta që shpërtheu nga fundi i shkurtit 2022.
Por eksportet janë ngadalësuar ndjeshëm që nga maji pasi inspektimet dhe regjistrimet e anijeve kanë rënë. Diplomatët kanë akuzuar më parë Rusinë për ngadalësim të inspektimeve.
OKB tha javën e kaluar se asnjë anije e re nuk është regjistruar për të kaluar Detin e Zi që nga 26 qershori në Qendrën e Përbashkët të Koordinimit në Stamboll, e cila mbikëqyr marrëveshjen.
Vladimir Putin ka argumentuar se Rusia do të tërhiqet nga marrëveshja e grurit të Detit të Zi, duke thënë se Perëndimi e ka mashtruar Moskën duke dështuar në përmbushjen e asnjë prej premtimeve të saj për të siguruar akses në tregjet botërore për produktet bujqësore ruse.
Lini një Përgjigje