TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Mars 2025, 16:44

Economist: Arrestimi i Imamoglu, si po goditet sistemi ekonomik në Turqi

Shkruar nga Pamfleti

Economist: Arrestimi i Imamoglu, si po goditet sistemi ekonomik në Turqi

Banka qendrore ka mjetet për të mbrojtur lirën në afat të shkurtër, por në të ardhmen, bankës mund t'i duhet të ndalojë ose të ndryshojë lehtësimin e normave të interesit për të mbrojtur monedhën dhe për të shmangur një rritje të re të inflacionit, vlerëson Economist.

Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu dhe protestat në mbështetje të tij po ndikojnë në ekonominë turke, thuhet në një artikull të revistës britanike Economist.

Indeksi i tregut të aksioneve të Turqisë po stabilizohet pasi ra me 16.3% në tre ditët pas arrestimit të Imamoglu. Edhe lira turke duket se po ngrihet sërish në këmbë.

Por nuk ka qetësi në rrugët e qytetit më të madh të Turqisë. Protestat kanë vazhduar për 6 ditë rresht, pavarësisht ndalimit të tubimeve publike. Më shumë se 1100 persona, përfshirë dhjetë gazetarë, janë arrestuar.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën para bashkisë së Stambollit më 23 mars, pasi Imamoglu u arrestua, ndërsa Gjykata vendosi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për të.

Siç njoftoi CHP në zgjedhjet paraprake të mbajtura në të njëjtën ditë, rreth 15 milionë votues mbështetën Imamoglun si kandidatin e Partisë Popullore Republikane (CHP) në opozitë për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Në prapaskenë, autoritetet turke po bëjnë përpjekje të mëdha për të mbrojtur ekonominë nga tërmeti më i madh politik i vendit në vite. Rregullatori i tregjeve të kapitalit të Turqisë ka ndaluar shitjet e shkurtra në bursë. Dhe në vetëm tre ditë javën e kaluar, banka qendrore vlerësohet të ketë konsumuar deri në 26 miliardë dollarë nga rezervat valutore për të parandaluar një valë të madhe sulmesh ndaj lirës turke.

Gjatë dy viteve të fundit, ekipi ekonomik i Turqisë, i udhëhequr nga ministri i Financave, Mehmet Simsek, ka arritur të parandalojë disa nga dëmet e shkaktuara në ekonomi si pasojë e politikave të mëparshme të Erdoganit. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2023, Erdogan u fokusua në stimulimin e rritjes duke mbajtur normat e interesit të ulëta, pavarësisht pasojave të rënda për inflacionin dhe kursin e këmbimit. Nën Simsek, qeveria shkurtoi shpenzimet dhe kufizoi rritjen e pagës minimale. Banka qendrore rriti në mënyrë dramatike normat e interesit dhe plotësoi rezervat valutore të varfëruara më parë prej rreth 97 miliardë dollarësh.

Kjo solli rezultate. Investitorët e huaj dhe vendas janë arratisur drejt lirës, ​​zhvlerësimi i së cilës ka vazhduar, por me ritme shumë më të ngadalta. Inflacioni, i cili po i afrohej shifrave treshifrore në vitin 2022, ka rënë në vetëm 39%, duke i lejuar bankës qendrore të vazhdojë me ulje të kujdesshme të normave të interesit.

 “Shumë investitorë të huaj kishin besuar në zhvendosjen drejt politikave ortodokse”, thotë Piotr Matys nga InTouch Capital Markets, një firmë e analizave financiare, duke theksuar se pas zhvillimeve të fundit besimi i tyre është lëkundur seriozisht.

Banka qendrore ka mjetet për të mbrojtur lirën në afat të shkurtër, por në të ardhmen, bankës mund t'i duhet të ndalojë ose të ndryshojë lehtësimin e normave të interesit për të mbrojtur monedhën dhe për të shmangur një rritje të re të inflacionit, vlerëson Economist.

Ky ilaç do të ishte i vështirë për t'u tretur nga lideri i Turqisë, vazhdimi i protestave dhe shtypja brutale e Erdoganit do të tronditnin më tej besimin në ekonomi, thekson revista britanike.

Sipas artikullit, turqit e zakonshëm, ndoshta edhe vetë Erdogani, mund të paguajnë përfundimisht çmimin për arrestimin e Imamoglu, pasi protestat nuk tregojnë shenja zbutjeje. /Përshtati Pamfleti/

Lini një Përgjigje