TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shtator 2024, 17:12

E gjithë bota po armatoset, Kina kryen prova me raketa balistike në Paqësor

Shkruar nga Pamfleti

E gjithë bota po armatoset, Kina kryen prova me raketa balistike në

Kina kreu një provë me një raketë balistike ndërkontinentale, me mbushje mësimore joluftarake, në Oqeanin Paqësor, njoftoi të mërkurën Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.

"Raketa ra në zonat e parashikuara detare" tha ministria në një njoftim për shtypin të postuar në faqen e saj të internetit. “Prova ëshë pjesë e një plani vjetor rutinë stërvitjeje. Ajo u krye në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe praktikat ndërkombëtare dhe nuk synonte asnjë vend apo objektiv”, shtuan më tej zyrtarët kinezë.

Kina "informoi vendet e interesuara paraprakisht", sipas një njoftimi të bërë nga agjencia e lajmeve ‘Xinhua’, i cili nuk specifikoi trajektoren që përshkoi raketa ose vendin ku ajo ra në Paqësor.

Më këtë lëshim u provuan në mënyrë efektive fuqia e armëve dhe pajisjeve si dhe niveli i përgatitjes së trupave, njoftoi ‘Xinhua’.

Sipas agjencisë ‘Associated Press’ në vitin 1980, Kina lëshoi një raketë balistike në pjesën jugore të Paqësorit. Agjencia vuri në dukje se një hartë e botuar në gazetat kineze të asaj kohe, tregonin se zona e synuar ishte hapësira mes ishujve Solomon, Nauru, Gilbert, Tuvalu, Samoa, Fixhi dhe Hebridet e Reja.

Një analist i tha agjencisë së lajmeve ‘France-Presse’ se Kina zakonisht ka kryer prova të tilla në hapësirën e saj ajrore.

"Kjo është jashtëzakonisht e pazakontë dhe ka të ngjarë të jetë hera e parë në dekada që shohim një provë të tillë", tha Ankit Panda, ekspert i institutit të politikave për Paqe Ndërkombëtare ‘Carnegie’.

Prova me gjasë është tregues i modernizimit të vazhdueshëm bërthamor të Kinës shtoi ai.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të mërkurën se kishte zbuluar 23 avionë ushtarakë kinezë që operonin rreth Tajvanit, dhe se së fundmi kishte pikasur gjithashtu lëshime "intensive" të raketave kineze e stërvitje të tjera.

Tajvani ka dërguar forcat e veta ajrore dhe detare për të vëzhguar, thanë zyrtarët tajvanezë. /VOA

Lini një Përgjigje