TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Mars 2026, 19:29

“Duam paqe me Izraelin”, Presidenti i Libanit del kundër Hezbollahut

Shkruar nga Pamfleti

“Duam paqe me Izraelin”, Presidenti i Libanit del kundër

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta me Izraelin si pjesë e një plani për t’i dhënë fund përshkallëzimit të konfliktit në jug të vendit dhe për të rikthyer stabilitetin në rajon.

Sipas një deklarate të zyrës së tij, Aoun paraqiti propozimin gjatë një takimi virtual me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, ku theksoi nevojën për një rrugë drejt “sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm në kufijtë e Libanit”. Një zëdhënës i presidentit tha se Libani është i gatshëm të negociojë, por jo ndërkohë që vendi vazhdon të jetë nën sulmet e Izraelit.

Plani i propozuar nga presidenti libanez përfshin katër pika kryesore, mes të cilave një armëpushim i plotë, çarmatosjen e Hezbollahut dhe mbështetje ndërkombëtare për Forcat e Armatosura Libaneze në mënyrë që të rimarrin kontrollin në zonat e tensionit përgjatë kufirit me Izraelin. Paralelisht me këto masa, Libani dhe Izraeli do të mund të nisnin negociata të drejtpërdrejta nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Presidenti Aoun theksoi se lufta ka pasur pasoja të rënda për vendin. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 700 mijë persona janë zhvendosur, përfshirë rreth 200 mijë fëmijë, ndërsa qindra njerëz kanë humbur jetën nga sulmet izraelite gjatë ditëve të fundit.

Në deklaratat e tij, Aoun kritikoi ashpër edhe Hezbollahun, duke e akuzuar grupin e mbështetur nga Irani se ka vepruar kundër interesave kombëtare të Libanit dhe se e ka tërhequr vendin drejt një konflikti më të gjerë rajonal.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë kanë treguar pak gatishmëri për negociata. Ambasadori i Izraelit në Francë, Joshua Zarka, deklaroi se përfundimi i luftës do të ishte i mundur vetëm nëse Hezbollahu çarmatoset, duke theksuar se deri tani nuk ka vendime konkrete për nisjen e bisedimeve.

Tensionet janë rritur ndjeshëm pas përfshirjes së Hezbollahut në konflikt, kur grupi lëshoi raketa dhe dronë drejt veriut të Izraelit, duke deklaruar se veprimi ishte një reagim ndaj sulmeve izraelite dhe zhvillimeve në konfliktin rajonal.

Ndërkohë, për civilët në Liban, përshkallëzimi i luftimeve ka sjellë një valë të re pasigurie. Familje të shumta janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të strehohen në shkolla apo qendra emergjente në kryeqytetin Bejrut.

Lini një Përgjigje