
Liri i ri vendos për herë të parë rregulla të njëjta në të gjithë Bashkimin Evropian për të goditur krimin financiar. Tashmë, vepra si ryshfeti apo abuzimi me detyrën do të ndiqen me të njëjtën rreptësi në çdo shtet anëtar, duke mbyllur shtigjet që deri dje mbronin të korruptuarit. Përtej dënimeve, direktiva sjell një sistem të rreptë parandalimi dhe monitorimi nga Brukseli, si një hap jetik për të mbrojtur paratë e publikut dhe për të kthyer besimin te drejtësia...
Për një kohë shumë të gjatë, lufta kundër korrupsionit në Evropë është bërë me “duar të lidhura”. Meqenëse çdo vend ka pasur standarde të ndryshme, jemi përballur me sisteme drejtësie të fragmentuara, procese që zvarriten pafund dhe një mungesë vullneti politik për t’i ndryshuar gjërat për mirë.
Ne në Maltë, e dimë më mirë se kushdo tjetër se sa kushton kjo paralizë. Kemi parë me sytë tanë se si korrupsioni mund t’i kalbëzojë themelet e demokracisë, se si drejtësia mund të vonohet për vite të tëra dhe se si një shoqëri e tërë mbetet në pritje të përgjigjeve që institucionet e saj nuk duan apo nuk munden t’i japin.
Qytetarët evropianë, kanë kërkuar prej kohësh një reagim më të fortë nga Brukseli. Dhe më në fund ia dolëm. Pas muajsh negociatash intensive, arritëm një marrëveshje historike për Direktivën e parë të BE-së Kundër Korrupsionit.
Ky dokument do të vendosë për herë të parë standarde të unifikuara për gjithë bllokun mbi mënyrën se si identifikohet, hetohet dhe ndiqet penalisht ky krim. Si negociatorë, ne kishim një mision të qartë: t’i jepnim fund pandëshkueshmërisë dhe të hartonim një ligj me “me dhëmbë”.
Ne besojmë se askush, pavarësisht pushtetit, nuk mund të jetë mbi ligjin. Deri më sot, ajo që konsiderohej krim në një vend, mund të interpretohej ndryshe në një tjetër. Ky ishte një “Thembër e Akilit” për drejtësinë ndërkufitare, pasi e bënte pothuajse të pamundur monitorimin e shteteve anëtare nga ana e BE-së.
Me përkufizimet e reja në nivel unioni, ky boshllëk ligjor mbyllet njëherë e mirë. Direktiva harmonizon rregullat për ryshfetin, përvetësimin e paligjshëm, tregtimin e ndikimit, pengimin e drejtësisë, pasurimin e pashpjegueshëm dhe abuzimin me funksionin publik.
Parlamenti Evropian u përpoq fort që këto krime të bëhen pjesë e detyrueshme e kodeve penale në çdo shtet anëtar, duke respektuar natyrisht traditat ligjore të secilit vend. Për ne në Maltë, kjo vjen si një përgjigje ndaj një nevoje urgjente.
Hetimi publik për vrasjen e gazetares Dafne Karuana Galizia, kërkoi masa ligjore që qeveria jonë i ka shpërfillur plotësisht. Tashmë, për raste si abuzimi me detyrën, qeveria malteze do të jetë e detyruar me ligj të kriminalizojë shkeljet e rënda.
Por kjo fitore shkon përtej një vendi të vetëm. Duke vendosur dënime maksimale të qarta dhe afate parashkrimi minimale, ne kemi krijuar një mburojë që parandalon kthimin prapa të shteteve anëtare në rrugën e tyre drejt ligjshmërisë.
Për më tepër, direktiva nuk mjaftohet vetëm me zhvillimet në sallën e gjyqit. Ajo sjell një paketë parandaluese, e cila i detyron shtetet të vlerësojnë rreziqet e korrupsionit në mënyrë gjithëpërfshirëse, përmes strategjive dhe fushatave konkrete, sidomos në sektorin publik.
Për herë të parë, Brukseli do të mbledhë të dhëna dhe do të monitorojë me imtësi se si punon aparati anti-korrupsion i çdo vendi. Pandëshkueshmëria, e gërryen besimin tek demokracia dhe godet vlerat tona më të shtrenjta.
Korrupsioni i kushton unionit miliarda euro çdo vit, dhe rrezikon parimet e qeverisjes së mirë për çdo qytetar. Kjo direktivë adreson pikërisht këto plagë, duke e bërë Evropën një vend më të sigurt dhe më të drejtë për të jetuar dhe punuar.
Rruga deri këtu nuk ishte e shtruar me lule. Ne u përballëm me rezistencën e qeverive, të cilat nuk donin detyrime kaq të rrepta. Na u desh të gjenim një ekuilibër mes ambicies sonë dhe traditave të ndryshme ligjore të vendeve anëtare.
Por rezultati është ligji më i fortë që mund të miratonim. Ne kemi vendosur standardet, por nuk mjaftohemi me kaq. Presim që lufta ndaj korrupsionit të jetë reale, jo thjesht në letër. Ky është një mjet i ri dhe i fuqishëm në arsenalin tonë për t’i kërkuar llogari shteteve dhe për t’i çuar të korruptuarit atje ku e kanë vendin: para drejtësisë.
Kjo marrëveshje është një fitore e madhe, por nuk është fundi i rrugëtimit. Tani na pret puna për miratimin e shpejtë, dhe mbi të gjitha për një zbatim që respekton jo vetëm gërmën por edhe frymën e këtij ligji./Përshtati "Pamfleti" nga “Times of Malta”
*Shënim: David Casa është eurodeputet i Partisë Nacionaliste.
Lini një Përgjigje