TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Mars 2026, 21:35

"Do të masakrohen"/ Si Trump hodhi poshtë sugjerimin e Netanyahut për kryengritje në Iran

Shkruar nga Pamfleti
"Do të masakrohen"/ Si Trump hodhi poshtë sugjerimin e
Netanyahu-Trump

Ndonëse SHBA dhe Izraeli duket se janë në një linjë të përbashkët për shumicën e objektivave ushtarake në konflikt, ekzistojnë dallime të qarta në lidhje me çështjen e ndryshimit të regjimit në Iran...

Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar një propozim të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të bërë një thirrje publike ndaj qytetarëve iranianë që të dalin në protesta kundër qeverisë së tyre. Lajmi raportohet nga Axios, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim izraelit.

Sipas burimeve, Trump ka vlerësuar se një thirrje e tillë do të ishte e rrezikshme dhe mund të çonte në pasoja të rënda për popullsinë civile. Një zyrtar i informuar mbi bisedën ka deklaruar se presidenti amerikan ka paralajmëruar për mundësinë e një reagimi të dhunshëm nga autoritetet iraniane, me pasoja të drejtpërdrejta për protestuesit. “Pse tu themi njerëzve të dalin në rrugë kur thjesht do t’i masakrojnë?”, citohet të ketë thënë Trump gjatë një bisede telefonike me Netanyahu.

Raporti thekson se, ndonëse SHBA dhe Izraeli duket se janë në një linjë të përbashkët për shumicën e objektivave ushtarake në konflikt, ekzistojnë dallime të qarta në lidhje me çështjen e ndryshimit të regjimit në Iran. Ndërsa Izraeli e konsideron nxitjen e një revolte popullore si një element kyç të strategjisë së tij, administrata amerikane e sheh këtë si një rezultat të mundshëm dytësor dhe jo si qëllim kryesor.

Sipas burimeve izraelite, krijimi i kushteve për një kryengritje të brendshme mbetet një nga objektivat strategjikë të Tel Avivit. Në këtë kuadër, operacionet e fundit izraelite kanë vënë në shënjestër figura të larta të aparatit të sigurisë iraniane, përfshirë Ali Larijanin dhe Gholamreza Soleimanin, komandant i milicisë Basij, e njohur për rolin e saj në shtypjen e protestave.

Gjatë një komunikimi të mëvonshëm me Trump, Netanyahu ka argumentuar se regjimi iranian ndodhet në një fazë dobësimi dhe se ekziston një mundësi për të rritur presionin përmes mobilizimit të qytetarëve. Megjithatë, presidenti amerikan ka mbajtur një qëndrim më të rezervuar, duke rikujtuar se në të kaluarën protestat antiqeveritare në Iran janë shoqëruar me mijëra viktima.

Në të njëjtën kohë, ndërsa operacionet ushtarake vazhdojnë dhe mbetet e hapur mundësia për përshkallëzim të mëtejshëm, SHBA duket se po shqyrton edhe një rrugë diplomatike që mund të çojë në një marrëveshje pa përmbysje të menjëhershme të regjimit. Zyrtarët izraelitë, nga ana e tyre, shprehin dyshime për mundësinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje të pranueshme.

trump netanyahu

Lini një Përgjigje