
Ai e bëri të qartë se do të emërojë një kryeministër të ri në ditët në vijim.
Mes krizës politike që ka pushtuar Francën, presidenti Emmanuel Macron i është drejtuar me një fjalim popullit francez, ku ka theksuar se pavarësisht rënies së kryeministrit Barnier dhe thirrjes së opozitës për dorëheqje, ai do ta çojë deri në fund mandatin e tij presidencial.
Ai falënderoi Michel Barnier për kohën e tij si kryeministër, për të cilin tha se ishte personi i duhur për të punuar në parlament. Macron dënoi mocionin e mosbesimit që rrëzoi kryeministrin Barnier, dhe akuzoi opozitën se po mendon për interesat personale dhe jo për të mirën e Francës dhe popullit francez.
“Duke mbajtur një votë mosbesimi ndaj tij, e djathta dhe e majta ekstreme u bashkuan në një front "anti-republikan. Kjo është në kundërshtim me shumë nga premtimet e bëra për votuesit dhe shkakton çrregullim dhe kaos. Palët e përfshira po mendojnë në mënyrë cinike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe jo për popullin francez”, tha Macron.
Kreu i shteti francez shtoi më tej se në fokusin e tij mbetet projektligji për buxhetin e viti të ardhshëm i cili do të jetë gati brenda pak ditësh.
“Prioriteti i tyre do të jetë buxheti, me një projektligj para parlamentit në dhjetor për të mbajtur qeverinë në funksion, përpara se të përgatitet një buxhet i ri në vitin e ri”, u shpreh ai.
Macron theksoi se veprimet e tij janë në të mirë të Francës, duke argumentuar se nuk është i shtyrë nga ambicia në vendimet e tij, pasi nuk mund të kandidojë sërish për president në 2027. Gjithashtu ai bëri të qartë se do të emërojë një kryeministër "në ditët në vijim".
Ai e mbylli fjalimin me fjalët:"Rroftë republika, rroftë Franca".
Kriza politike dhe roli i Macron në nisjen e saj ka bërë që disa nga kundërshtarët e tij t'i bëjnë thirrje atij të japë dorëheqjen. Një sondazh interaktiv, i kryer për transmetuesin RTL disa orë pasi qeveria e Barnier u rrëzua nga një votë mosbesimi, sugjeroi se 64% e të anketuarve donin që presidenti të largohej.
Macron, mandati i të cilit si president zgjat deri në vitin 2027, deri më tani nuk ka treguar shenja të përkuljes ndaj presionit.
“Unë u zgjodha për të shërbyer deri në vitin 2027 dhe do ta përmbush atë mandat,” u tha ai gazetarëve në fillim të kësaj jave.
Lini një Përgjigje