TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Shkurt 2025, 22:46

“Dinastia”, si vazhdon të qëndrojë në pushtet autokrati Viktor Orban

Shkruar nga Simone Benazzo

“Dinastia”, si vazhdon të qëndrojë në pushtet

Investigimi nga Direkt36, tregon se si familja dhe miqtë e kryeministrit hungarez kanë ndërtuar një perandori përmes tenderëve të manipuluar dhe kontratave publike.

Një dokumentar i publikuar disa javë më parë, po hedh hije të forta dyshimi mbi regjimin autoritar të Viktor Orban në Hungari. Ai është realizuar nga media investigative Direkt36 dhe titullohet “The Dinasty” (A dinasztia, në hungarisht) dhe është në dispozicion në Youtube, me titra në anglisht.

Në më pak se një orë, ai përshkruan në detaje se si njerëzit më të afërt të Orban - dhëndri, babai dhe miqtë e fëmijërisë - janë pasuruan gjatë 14 viteve të diktaturës orbaniane, kryesisht falë kontratave publike dhe tenderave të manipuluar.

Deri tani dokumentari është parë nga 3 milionë njerëz, ose rreth një e treta e të gjithë popullsisë së Hungarisë. Autoritetet hungareze iu përgjigjën publikimit të dokumentarit duke akuzuar Direkt36 se financohet nga qeveria ukrainase.

Në fakt, Direkt36 është një nga mediat e pakta të pavarura të mbetura në Hungari. Muajt ​​e fundit, kanë qenë shumë të vështira për ato pak media të lira që mbijetojnë ende në Hungari. Ligji i sovranitetit i miratuar në fund të vitit 2023, dhe i modeluar sipas ligjeve kundër “agjentëve të huaj” të miratuara në vende që i nënshtrohen regjimeve plotësisht autoritare si Rusia dhe Gjeorgjia, i shërbeu qeverisë hungareze për të sulmuar Atlatszo, gazetën e dytë investigative ende aktive në Hungari, së bashku me Direkt36.

Goditja e dytë, erdhi me ndërprerjen e financimit të USAID-it, që mbështet shumë media të pavarura hungareze, duke përfshirë edhe vetë Atlatszo. Suksesi i dokumentarit investigativ të Direkt36, nxjerr në pah 3 elementë të rëndësishëm në atë që po duket gjithnjë e më shumë si një betejë ekzistenciale për të drejtën e informimit, në Hungari, por edhe në pjesën tjetër të asaj që deri vonë konsiderohej si Perëndimi.

Së pari, edhe pse në agoni gazetaria hungareze, është ende gjallë. Reagimi i egër i rrethit të Orban, fushatat shpifëse të nisura menjëherë pas publikimit të dokumentarit, tregojnë se ky hetim ka goditur aty ku dhemb.

Sipas politologëve rusë Daniel Treisman dhe Sergei Guriev, shumica e regjimeve autoritare aktuale kualifikohen si autokraci informative. Në këto lloj regjimesh, udhëheqësit priren të përdorin dhunën dhe terrorin më pak se homologët e tyre të shekullit XX-të.

Në vend të kësaj, ata ndihen të detyruar të demonstrojnë se janë drejtues të aftë, kompetentë, të motivuar nga fryma e shërbimit publik. Për këtë arsye, investigimet gazetareske si “Dinastia” apo ai i famshëm për “Pallatin e Putinit”, realizuar nga Alexei Navalny në 2020 i frikësojnë kaq shumë autokratët si Orban dhe Putin.

Sepse na kujtojnë se cilat autokraci fshihen pas narrativave ksenofobike, luftërave kulturore dhe retorikës sovraniste: kleptokraci apo regjime, ku një pakicë afër pushtetit pasurohet në kurriz të komunitetit, duke përvetësuar fondet publike dhe duke përjashtuar këdo që nuk është pjesë e rrethit të duhur.

Në thelb, një regjim autokratik është një bandë hajdutësh, një “shtet mafioz”, siç e kanë quajtur politikologët hungarezë Bálint Magyar dhe Júlia Vásárhelyi Hungarinë e Orban. Dhe si të gjithë hajdutët, autokratët jetojnë nën një frikë të vazhdueshme se mos zbulohen.

Së dyti, është thelbësore mbështetja e këtyre mediave nga konsorciumet e gazetarisë evropiane. Rezistenca gazetareske po evropianizohet. Dhe Direkt36 është një pioniere e bashkëpunimeve transnacionale.

Ajo është anëtare e Vsquare, bashkimi i mediave investigative në Evropën Qendrore, BIRN, një rrjet gazetash investigative aktive midis Ballkanit dhe Evropës Qendrore, dhe i OCCRP, rrjeti kryesor evropian i mediave investigative.

Edhe pse jo drejtpërdrejt e matshme, mbështetja e këtyre partnerëve ka luajtur ndoshta një rol të rëndësishëm në përhapjen e madhe të dokumentarit “Dinastia” edhe jashtë Hungarisë. Përveç solidaritetit ideal mes mediave, një arsye tjetër për evropianizimin e rezistencës gazetareske, buron nga fakti se dimensioni evropian është sot një element qendror për një shpjegim të plotë të dinamikave të brendshme politike.

Për shembull regjimi i Orban, jeton me subvencione dhe financime të BE-së.

Së treti, për të siguruar mbijetesën e gazetarisë kritike që mund të sfidojë autokratët, njerëzit duhet të jenë të gatshëm të paguajnë. Aktualisht, sipas raportit të fundit nga Instituti Reuters, vetëm 10 për qind e njerëzve në Hungari thonë se paguajnë për lajmet që lexojnë.

E njëjta përqindje si në Itali. Në regjimet ku është zhdukur dallimi mes shtetit dhe partisë qeverisëse, fondet publike i jepen thuajse tërësisht mediave pro-qeveritare dhe gjithnjë e më shumë asaj galaksie para-gazetarësh të përbërë nga influencues, podkaster, media alternative që kanë aftësinë të përmbytin vendet e tyre me kontribute propagandistike të transmetuara nga qeveria, siç po ndodh tani në Shtetet e Bashkuara.

Përveç Hungarisë, politizimi i shpërndarjes së fondeve publike në favor të mediave pro-qeveritare u vu re edhe në Poloni gjatë qeverisjes 8-vjeçare të partisë ultra-nacionaliste PiS. Një dukuri e ngjashme, po ndodh tani edhe në Sllovaki nën qeverinë e Robert Fico.

Regjimi hungarez ka hedhur tashmë hapin tjetër: financimin e mediave evropiane, të cilat publikojnë artikujt propagandistikë në anglisht pro Orban dhe që i drejtohen audiencës ndërkombëtare. Tani duket e mundshme që administrata Trump të ndjekë së shpejti këtë shembull.

Por ajo do të ketë shumë më tepër burime në dispozicion sesa homologët hungarezë. Për të mos përmendur faktin që qeveria amerikane, kontrollon tashmë një rrjet mediatik shumë të përhapur në mbarë botën, Zërin e Amerikës, që ishte subjekt i përpjekjeve për ta shndërruar atë në një megafon të propagandës sovraniste gjatë mandatit të parë të Donald Trump (2016-2020).

Ndërsa mbështetja publike po zvogëlohet dhe reklamuesit po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga frika e hakmarrjes, gazetat e pavarura detyrohen të mbështeten gjithnjë e më shumë tek lexuesit që zgjedhin të abonohen. Ndaj do të jenë ata që do të vendosin se sa vlen demokracia liberale. /Përshtati Pamfleti nga Linkiesta/

 

Lini një Përgjigje