Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës iraniane u mblodhën sot në Berlin në një demonstratë të madhe kundër regjimit aktual në Iran, duke shprehur solidaritet me protestat dhe kryengritjen e vazhdueshme në vend.
Tubimi u organizua nga mbështetës të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe u mbajt në përvjetorin e revolucionit që rrëzoi diktaturën e Shahut, duke u përcjellë si një mesazh kundër çdo forme diktature. Pjesëmarrësit kërkuan rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj autoriteteve iraniane, ndërsa shumë prej tyre deklaruan se kanë familjarë të arrestuar, të zhdukur ose të vrarë gjatë protestave të fundit në Iran.
Fjalën kryesore në tubim e mbajti Maryam Rajavi, presidente e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Ajo deklaroi se rënia e regjimit iranian është e pashmangshme dhe bëri thirrje për njohjen e dekadave të rezistencës së organizuar të popullit iranian, duke theksuar se ndryshimi politik duhet të vijë nga vetë qytetarët e Iranit.
Në tubim folën edhe personalitete të njohura ndërkombëtare. Ish-presidenti i Këshillit Evropian dhe ish-kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, u shpreh se lëvizja opozitare iraniane përfaqëson një forcë reale për ndryshim demokratik. Ndërsa ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i cili iu drejtua pjesëmarrësve përmes një lidhjeje video, theksoi se opozita iraniane ka ndërtuar një strukturë politike që synon zëvendësimin e regjimit aktual me një qeveri që pasqyron vullnetin e qytetarëve.
Mbështetje u shpreh edhe nga ish-ministri gjerman i Ekonomisë dhe Energjisë, Peter Altmaier, i cili përmendi iranianët që jetojnë brenda dhe jashtë vendit, përfshirë anëtarët e opozitës të vendosur në Ashraf 3 në Shqipëri, duke theksuar solidaritetin me përpjekjet e tyre për ndryshim demokratik.
Nga ana e saj, ish-ministrja gjermane e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, vlerësoi planin me dhjetë pika të Maryam Rajavit për të ardhmen e Iranit, i cili parashikon lirinë e shprehjes, zgjedhje të lira, barazinë gjinore dhe ndarjen e fesë nga shteti.
Sipas organizatorëve, tubimi u mbështet nga qindra organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sindikata dhe figura politike nga vende të ndryshme. Pas përfundimit të fjalimeve, pjesëmarrësit marshuan në rrugët kryesore të Berlinit, duke mbajtur pankarta dhe slogane kundër regjimit iranian.
Ndërkohë, 114 fitues të Çmimit Nobel kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku dënojnë dhunën ndaj protestuesve në Iran dhe shprehin mbështetje për kërkesat e tyre kundër diktaturës, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë më vendosmërisht.
Lini një Përgjigje