TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Dhjetor 2025, 18:55

Dhjetë superkompjuterët më të fuqishëm sot në botë, kush i zotëron dhe përse përdoren

Shkruar nga Pamfleti

Dhjetë superkompjuterët më të fuqishëm sot në

“Coatlicue” mund të përfshihet tek lista e 10 superkompjuterëve më të fuqishëm në botë, një renditje që aktualisht dominohet nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Japonia.

Kohët e fundit, Meksika njoftoi se do të projektojë “Coatlicu”, një superkompjuter të ri me aftësi 314 petaflop, ose e barazvlefshme me 314 mijë trilionë operacione në sekondë. Infrastruktura, e cila do të përfundojë në vitin 2028, synon të bëhet qendra më e fuqishme kompjuterike në Amerikën Latine.

Jo vetëm kaq, “Coatlicue” mund të përfshihet tek lista e 10 superkompjuterëve më të fuqishëm në botë, një renditje që aktualisht dominohet nga Shtetet e Bashkuara, Evropa dhe Japonia. Ja cila është konkretisht renditja aktuale:

10. Leonardo (Itali)

Italia e përuroi Leonardo-n në vitin 2022. Sistemi arrin një kapacitet prej 241 petaflopësh për sekondë falë 1.8 milion bërthamave, të shpërndara në një hapësirë fizike prej afërsisht 900 metrash katrorë. Ai kërkon 7.494 kilovat energji për të funksionuar. Leonardo përpunon të dhëna për aplikime mjekësore, klimatike, ekonomike dhe astrofizike.

9. Lumi (Finlandë)

Lumi (Infrastruktura e Madhe e Unifikuar Moderne), hyri në funksionim në vitin 2022 në Finlandë, në vendin e një ish-fabrike letre. I zhvilluar nga konsorciumi EuroHPC, ai arriti një rendiment prej 379.7 petaflop për sekondë dhe konsumon 7.107 kilovat energji, të furnizuar enkas nga një hidrocentral.

Projekti përqendrohet në qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e energjisë. Lumi ka krijuar tashmë një binjak dixhital të planetit tonë, dhe gjeneron çdo vit parashikime klimatike shumë të sakta.

8. Alps (Zvicër)

Alps (Alpet), është një nga superkompjuterët më të rinj. Në punë që nga viti 2024 në Qendrën Kombëtare Zvicerane të Superkompjuterëve, ai arrin një performancë prej 434.9 petaflop për sekondë falë 2.1 milion bërthamave të shpërndara në 4 qendra të dhënash.

Ai kërkon 7.124 kilovat energji për të funksionuar. Sistemi gjeneron parashikime klimatike, trajnon modele të inteligjencës artificiale. Ndërkohë, një pjesë e kapacitetit të tij përdoret për kërkime të përgjithshme shkencore.

7. Fugaku (Japoni)

Superkompjuteri Fugaku ndodhet në Qendrën Riken për Shkencën Kompjuterike

në Japoni. I hapur në vitin 2020, ai arrin një performancë maksimale prej 442 petaflopësh për sekondë dhe konsumon 29.899 kilovat energji.

Përdor 7.6 milionë bërthama të shpërndara në 158.976 CPU (procesorë kompjuterikë) të ndërlidhur midis tyre. Studiuesit e kanë përdorur Fugaku-n për të modeluar proteinat që lidhen me studimin e Covid-19 , për të simuluar tërmetet dhe cunamet, si dhe për të trajnuar sistemet e inteligjencës artificiale. Fugaku është gjithashtu autori i njërit prej përfaqësimeve më të detajuara të korteksit cerebral të krijuara ndonjëherë.

6. HPC6 (Itali)

HPC6 është superkompjuteri i gjigantit energjitik ENI në Itali. Sistemi arrin një shpejtësi maksimale prej 477.9 petaflop për sekondë, me operacione të shpërndara në 3.1 milion bërthama. Konsumi i tij i energjisë arrin në 8.461 kilovatorë. HPC6 përdoret për eksplorimin e burimeve të energjisë, optimizimin e biokarburantit dhe kërkimin e bashkimit bërthamor .

5. Eagle  (Shtetet e Bashkuara)

Superkompjuteri i Microsoft-it, Eagle (Shqiponja), debutoi në vitin 2023. Sipas të dhënave më të fundit, ai arriti një performancë maksimale prej 561 petaflopësh për sekondë. Tipari i tij unik është se është një superkompjuter virtual , i krijuar nga disa qendra të dhënash të Microsoft-it të lidhura nëpërmjet shërbimit ‘Icloud’ të kompanisë.

Performanca e tij është e shkallëzueshme dhe rritet me shtimin e grupeve të reja të serverëve. Eagle është përdorur për të trajnuar modele të inteligjencës artificiale si GPT, por është menduar kryesisht për përdorime tregtare.

4. Jupiter Booster (Gjermani)

Me Jupiterin gjerman, superkompjuterët hynë zyrtarisht në shkallën eksaflop, 10 në fuqi 18 ose 1 kuintilion operacione në sekondë. Në kapacitetin e tij maksimal, sistemi arriti një eksaflop, me një konsum energjie prej 15.794 kilovat.

Ai zë një sipërfaqe të krahasueshme me gjysmën e një fushe futbolli dhe është projektuar me një arkitekturë modulare. Sot, Jupiter Boosgter trajnon modele të inteligjencës artificiale në shkallë të gjerë, gjeneron simulime të Tokës, prodhon binjakë dixhitalë të organeve njerëzore dhe ndihmon në studimin e fizikës së grimcave.

3. Aurora (Shtetet e Bashkuara)

Aurora është superkompjuteri i Laboratorit Kombëtar Argon, pjesë e Departamentit të Energjisë të SHBA-së. Me një fuqi përpunimi prej 1.012 ekzaflop për sekondë, ai renditet ndër superkompjuterët më të fuqishëm në botë.

Kërkesa e tij për energji është gjithashtu mbresëlënëse: 38.698 kilovat. Aurora përdoret për të analizuar materiale të reja, për të përpunuar të dhëna biomjekësore, për të optimizuar teknologjitë e energjisë së pastër si dhe për të modeluar skenarë të ardhshëm që lidhen me ndryshimet klimatike.

2. Frontier (Shtetet e Bashkuara)

Frontier është një nga superkompjuterët më të cituar, kur flitet për zbulimet në fusha të tilla si astronomia, inteligjenca artificiale dhe mjekësia. I zhvilluar nga qeveria amerikane, ai arrin një shpejtësi maksimale prej 1.35 ekzaflop për sekondë, duke përdorur 9 milionë bërthama. Ai zë një sipërfaqe prej afërsisht 7.000 metra katrorë, të shpërndarë në 74 njësi.

1. El Capitan (Shtetet e Bashkuara)

El Capitan (Kapiteni) është zyrtarisht superkompjuteri më i fuqishëm që ekziston sot në.

Ai ka 11.3 milionë bërthama, dhe në testin e tij të fundit, arriti një performancë prej 1.8 ekzaflop, me një maksimum potencial prej 2.8 ekzaflopësh për sekondë. I inauguruar më 9 janar 2025, qëllimi i tij kryesor për momentin është të analizojë potencialin bërthamor të Shteteve të Bashkuara./ Përshtati Pamfleti

 

Lini një Përgjigje