
Ndërsa në Moskë ka nisur një takim mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe negociatorëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Presidenti Donald Trump ka mbledhur në një takim stafin e Shtëpisë së Bardhë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk kishte afat kohor për bisedimet mes negociatorëve amerikanë dhe Putin, ndërsa shtoi se ata do të flasin “për aq kohë sa të duhet”.
Paralelisht, në Uashington, po zhvillohet takimi i Presidentit Donald Trump me anëtarët e Kabinetit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi vjen ndërsa Putin sinjalizon se nuk sheh nevojë për lëshime, duke hedhur poshtë perspektivat për përparim dhe duke e lidhur çdo armëpushim me tërheqjen e Ukrainës nga territori i papushtuar, një gjë e pafavorshme për Kievin.
Kirill Dmitriev, një negociator i lartë ekonomik rus, u takua më parë me Witkoff në Aeroportin Ndërkombëtar Vnukovo të Moskës, raportuan mediat shtetërore ruse. Më pas, të dy ecën së bashku nëpër qendër të Moskës dhe drekuan në një restorant lokal.
Zelensky tha më 2 dhjetor se nëse bisedimet me palën ruse vazhdojnë pa probleme, ai mund të takohet së shpejti me presidentin amerikan, megjithëse "gjithçka varet nga diskutimet e sotme".
"Ata duan të na raportojnë menjëherë pas takimit të tyre. Mendoj se hapat e mëtejshëm do të varen nga këto sinjale", tha ai, duke shtuar se është gati të takohet me Trumpin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Witkoff do t'i paraqesë Putinit versionin më të fundit të kuadrit të marrëveshjes SHBA-Ukrainë, të hartuar gjatë raundeve të fundit të bisedimeve në Gjenevë dhe Florida.
Në këto diskutime morën pjesë Witkoff, Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio dhe Jared Kushner, dhëndri i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili u takua me një delegacion ukrainas të udhëhequr nga Sekretari i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare Rustem Umerov më 30 nëntor.
Lini një Përgjigje