
Trump & Kushner vizatojnë të ardhmen e Gazës: më shumë resorte se njerëz?
Në Uashington, një takim i madh i drejtuar nga Presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë për të ardhmen e Gazës pas luftës ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për faktin se mes të pranishmëve është edhe Jared Kushner, dhëndri i Trump-it dhe këshilltari i tij i dikurshëm më i afërt për Lindjen e Mesme.
Kushner nuk ka një rol zyrtar në administratën e re, por duket se vazhdon të mbajë një ndikim të heshtur në prapaskenë, duke këshilluar për negociatat me udhëheqësit arabë dhe sidomos për vizionin e ardhshëm të Gazës.
Burime të afërta të CNN konfirmojnë se ai ka qenë një nga zërat që ka shtyrë përpara idenë e diskutimit të “ditës pas”, duke ngritur pikëpyetje mbi rindërtimin e territorit, shërbimet bazike dhe mbi të gjitha mbi atë që është thelbi i debatit: kush do ta kontrollojë Gazën pas rrëzimit të Hamasit. Dhe këtu historia merr një kthesë të njohur.
Që muaj më parë, Kushner ishte i pari që artikuloi publikisht një plan të pazakontë e provokues, zhvendosjen e banorëve të Gazës dhe kthimin e saj në një oaz turistik, një “Rivierë e Lindjes së Mesme” e mbushur me resorte luksoze dhe ndërtime gjigante. Në atë kohë kjo ide u duk si një fantazi absurde e një miliarderi me sy nga betoni dhe deti. Sot, rikthimi i tij në tryezat e larta të Shtëpisë së Bardhë e bën këtë fantazi më pak të parëndësishme.
Takimi i sotëm, që sipas emisarit të Trump-it Steve Witkoff ishte “i madh dhe gjithëpërfshirës”, duket se ka si bosht pikërisht vizionin e tillë. Witkoff deklaroi në Fox News se plani është “humanitar dhe i mirëkuptuar”, një përpjekje për të bindur se prapa zhvendosjeve masive e projekteve luksoze ka edhe motive paqeje. Por përtej retorikës, është e qartë se projekti i Trump-it dhe Kushner-it synon të fshijë nga harta një realitet politik e shoqëror që ka ekzistuar për dekada dhe të zëvendësojë një popull të tërë me një utopi betoni e plazhi.
Ironia është se ndërsa administrata amerikane pretendon se po mendon për “paqen dhe prosperitetin e të gjithëve në rajon”, realiteti në terren është krejt tjetër: Gaza është e rrënuar nga bombardimet, mijëra të vdekur, miliona të zhvendosur dhe një popull që lufton për mbijetesë. Dhe mes gjithë këtij gjaku e shkatërrimi, Trump e Kushner vizatojnë me laps projekte luksoze ndërtimi si të ishin planifikues urbanë në një ishull të Karaibeve.
Nëse ky plan do të marrë trajtë konkrete, apo do të mbetet vetëm një ide provokuese për të testuar reagimin e opinionit ndërkombëtar, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: rikthimi i Kushner-it në skenën e madhe të politikës së jashtme amerikane është një sinjal i qartë se për Trump-in, çështja e Gazës nuk është vetëm një dosje gjeopolitike, por edhe një projekt personal, ku politika, biznesi dhe fantazia e betonit shkrihen në një. /Pamfleti
Lini një Përgjigje