Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, i përcolli Kubës një mesazh nga presidenti amerikan Donald Trump.
Ratcliffe u takua me nipin e Raúl Castros, Raúl Guillermo Rodríguez Castro, me ministrin e Brendshëm të Kubës, Lázaro Álvarez Casas, si edhe me kreun e shërbimeve kubane të inteligjencës. Ata diskutuan çështje të bashkëpunimit në fushën e inteligjencës, stabilitetit ekonomik dhe sigurisë. Një zyrtar i CIA-s i konfirmoi këto takime për Associated Press.
Drejtori i CIA-s ndodhej atje “për të përcjellë personalisht mesazhin e presidentit Donald Trump se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen seriozisht në çështjet ekonomike dhe të sigurisë, por vetëm nëse Kuba ndërmerr ndryshime themelore”.
Në një deklaratë zyrtare të qeverisë kubane u theksua se takimi i së enjtes “u zhvillua në një kontekst marrëdhëniesh dypalëshe komplekse”.
Shtetet e Bashkuara theksuan se Kuba nuk mund të vazhdojë të jetë “strehë e sigurt për armiqtë në hemisferën perëndimore”. Delegacioni kuban këmbënguli se ishulli nuk përbën kërcënim për sigurinë e SHBA-së. Zyrtarët kubanë kundërshtuan gjithashtu faktin që SHBA vazhdon ta mbajë Kubën në listën e shteteve që mbështesin terrorizmin.
Rodríguez Castro ishte takuar fshehurazi me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në margjinat e samitit të Komunitetit të Karaibeve në Saint Kitts, në shkurtin e kaluar. Edhe pse nuk ka mbajtur ndonjëherë post qeveritar, ai shërbeu si truprojë i gjyshit të tij dhe më pas si drejtues i shërbimit sekret kuban.

Takimi i së enjtes vjen vetëm disa javë pasi qeveria kubane konfirmoi se kishte zhvilluar së fundmi takime me zyrtarë amerikanë në ishull, ndërsa tensionet mes dy palëve vazhdojnë për shkak të embargos energjetike amerikane ndaj Kubës. Rrjeti elektrik i Kubës është shembur dhe furnizimi me energji në provincat lindore është ndërprerë.
Embargoja amerikane e karburanteve ndaj Kubës ka përkeqësuar problemet ekonomike të vendit, duke sjellë ulje të orëve të punës dhe prishje të ushqimeve, pasi frigoriferët ndalojnë së funksionuari për shkak të mungesës së energjisë.

Më herët gjatë kësaj jave, Departamenti Amerikan i Shtetit përsëriti se SHBA do t’i ofrojë Kubës ndihmë humanitare në vlerë 100 milionë dollarë dhe mbështetje për internet satelitor, “nëse regjimi kuban e lejon”.
Lini një Përgjigje