
Nigel Farage i Partisë Reforma në Britani po e ashpërson gjuhën e tij ndaj Vladimir Putinit, duke e cilësuar presidentin rus një "djalë shumë të keq".
Farage në një intervistë me Bloomberg, shprehu zhgënjimin e tij ndaj udhëheqësit rus, pasi ai nuk i ka dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Padyshim, Putini është një djalë shumë i keq. Shpresoja vërtet që Trump do ta nënshtronte Putinin, që të arrihej një lloj kompromisi, si ai që u arrit së fundmi me Gazën dhe Izraelin. Është e qartë se kjo nuk do të ndodhë”, tha Farage.
Lideri i Reform UK është kritikuar nga kundërshtarët politikë në Britani për komentet e tij në lidhje me Rusinë. Gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar, Farage tha se Perëndimi provokoi pushtimin e Ukrainës nga Putini përmes zgjerimit të NATO-s drejt lindjes.
Ndërkohë në intervistën për Bloomberg, Farage hodhi poshtë akuzat se ishte i dobët në politikën e jashtme.
“Është e qartë se Putini nuk është një person racional. Ideja se unë jam i dobët në këtë çështje është thjesht absurditet”, theksoi ai.
Farage theksoi se shtetet anëtare të NATO-s “duhet të rrëzojnë” avionët rusë që fluturojnë në hapësirën ajrore të aleancës dhe mbështeti përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar luftën e Kievit kundër Rusisë.
Megjithatë, ai duket hezitues në lidhje me dërgimin e trupave britanike për të ruajtur armëpushimin, siç ka paralajmëruar kryeministri Keir Starmer përmes idesë së tij për një koalicion të të vullnetshmëve në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje paqeje.
Lini një Përgjigje