
Nëse avionët luftarakë izraelitë godasin dhe dëmtojnë termocentralet bërthamore iraniane, bota do përballet me një tjetër katastrofë si ajo e Çernobilit. Ndërsa, bombardimi i impianteve të pasurimit të uraniumit ka pasoja vdekjeprurëse, por vetëm për ata që janë afër tyre.
Në rast se avionët bombardues izraelitë, do të godasin dhe dëmtojnë centralet bërthamore iraniane, do të ishte një katastrofë shumë e rrezikshme, një tjetër Çernobil apo Fukushima, me pasoja të tmerrshme. Ndërsa, nëse godasin dhe shkatërrojnë centralet e pasurimit të uraniumit, shpërndarja e këtij materiali ka gjithmonë pasoja potencialisht vdekjeprurëse, por vetëm për ata që janë afër. Kështu shprehet Marco Ricotti, profesor mbi centralet bërthamore në Universitetin Politeknik të Milanos, një nga ekspertët më të njohur italianë në këtë fushë.
Bombardimi i centraleve bërthamore, rafinerive të uraniumit dhe objekteve të tjera të këtij lloji, duket një ide shumë e gabuar. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, ka shprehur vazhdimisht një frikë të madhe mbi luftimet dhe veprimet ushtarake rreth centralit të Zaporizhzhias në Ukrainë…
Sigurisht, rreziqet ekzistojnë. Por ato janë të ndryshme, në varësi të llojit të centralit që dëmtohet. Dëmtimi i një reaktori bërthamor në punë, është shumë më i rrezikshëm se dëmtimi i një centrali ku prodhohet ose pasurohet karburanti bërthamor.
Kjo për një arsye të thjeshtë: në reaktorin bërthamor ka karburant që “digjet”, i cili bombardohet nga neutronet, nxit ndarjen bërthamore, ndaj prodhon edhe mbetje radioaktive, të cilat përbëjnë 99 për qind të radioaktivitetit të pranishëm në reaktorin bërthamor.
Ndërsa dëmtimi i një impianti të pasurimit të uraniumit, pra i karburantit bërthamor, nënkupton dëmtimin e një centrali karburanti të pa përdorur, i cili nuk është shumë radioaktiv.
Në çfarë situate jemi aktualisht?
Izraelitët nuk e kanë bombarduar centralin bërthamor në Bushehr, që është një central me teknologji të furnizuar nga Rusia në fundin e viteve 1990, dhe as reaktorin eksperimental Arak, reaktorin kërkimor në Teheran. Nëse i godasin, do të shkaktojnë një aksident shumë serioz. Në vend të tyre, janë fokusuar tek centralet e pasurimit të uraniumit, ku prodhohet material bërthamor, i cili nëse pasurohet më tej, mund të përdoret për të ndërtuar bombën atomike. Ndaj ato cilësohen objektiva ushtarake.
Këtë mëngjes u dha lajmi: është bombarduar reaktori i ujit të rëndë në Arak/Khondab...
Impianti i Khondab, është në ndërtim e sipër. Ai nuk mund të quhet central bërthamor, derisa edhe pas përfundimit, të jetë furnizuar me karburant bërthamor. Reaktorët e ujit të rëndë janë për përdorime civile. Por ato mund të përdoren edhe për të prodhuar plutonium me qëllim prodhimin e bombës, siç bëri dikur India.
Megjithatë, deklarata zyrtare e IAEA, e përsëritur shumë herë, vlen ende: “Çdo sulm i armatosur kundër instalimeve bërthamore për qëllime paqësore, përbën shkelje të parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, të drejtës ndërkombëtare dhe statutit të Agjencisë.
Le të ndalemi tek impiantet e pasurimit të uraniumit. Urani është një lëndë radioaktive. A nuk është i rrezikshëm dëmtimi i tyre?
Uraniumi është vërtet radioaktiv, por shumë më pak sesa karburanti gjatë funksionimit të një reaktori bërthamor. Është një radioaktivitet, të cilin mund ta përkufizojmë si “natyral”, pra jo i shkaktuar nga përdorimi i karburantit, dhe rreziku i të cilit mund të menaxhohet, kufizohet dhe mbrohet lehtësisht.
Uraniumi i pasuruar, ashtu si uraniumi natyror, është i rrezikshëm për njerëzit nëse thithet ose gëlltitet. Pra, mjafton të mbahet një maskë në fytyrë për ta shmangur këtë lloj dëmtimi. Nuk është një radioaktivitet që dëmton nga jashtë, por vetëm nga brenda, dhe vetëm nëse e gëlltisni apo thithni.
Pra janë më shumë të rrezikuar ata që janë pranë impiantit...
Sigurisht, ky është një problem për ushtrinë dhe për personelin që ndodhet brenda vendeve të prekura, dhe jo për popullsinë, e cila normalisht është kilometra larg, duke pasur parasysh që impiantet e pasurimit ndodhen në zona me popullsi të pakët. Rreziku i ndotjes së përhapur si në Fukushima dhe Çernobil, është shumë i vogël.
Madje do të thosha se rreziku më i madh në lidhje me uraniumin dhe përbërjet që përdoren për pasurim, është më shumë kimik sesa radiologjik. Në fakt, në këtë proces përdoren përbërje fluori që mund të gjenerojnë acide kur bien në kontakt me ujin.
Nëse ky uranium do të hidhet në erë me një bombë, do të përfundojë më pas në tokë dhe në ujë, gjë që do kishte pasoja të rënda afatgjata...
Sigurisht që po. Rreziku i ndotjes rreth e rrotull zonës është shumë i lartë. Dhe nuk është e mundur të përcaktohet një zonë e saktë. Gjatë incidenteve në Çernobil apo Fukushima, raktorët ishin në punë. Pra kishte një burim të vazhdueshëm termik që e ngrinte materialin radioaktiv lart në qiell. Në Çernobil, nxehtësia e prodhuar nga reaktori e ngriti renë radioaktive deri në 4 kilometra lart, e cila më pas u shpërnda në dhjetëra, qindra e mijëra kilometra./ Përshtati "Pamfleti" Nga "Huffington Post"
Lini një Përgjigje