
Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Parisi, Berlini dhe Londra do t’i paraqesin Iranit sot në Gjenevë një “ofertë gjithëpërfshirëse, diplomatike dhe teknike për negociata”, ku përfshihen aktivitetet bërthamore, raketat balistike dhe financimin e grupeve terroriste në rajon.
Ai gjithashtu i kërkoi Izraelit të ndalojë sulmet ndaj ndaj "infrastrukturës civile" iraniane.
"Asgjë nuk justifikon bombardimet ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile. Mendoj se duhet të jemi në gjendje të rifillojmë punën politike dhe diplomatike. Absolutisht duhet t'i japim përparësi kthimit në negociata", tha Macron.
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian do të takohen këtë të premte në Gjenevë me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi, në përpjekje për të ulur tensionet e shtuara në krizën midis Iranit dhe Izraelit. Nëse takimet zhvillohen sipas planit, ato do të jenë bisedimet e para ballë për ballë midis Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit një javë më parë.
Këto takime do të përfaqësonin gjithashtu përfshirjen më të rëndësishme të Evropës në krizën në rritje. Vonesa e papritur prej dy javësh nga Presidenti Trump në marrjen e një vendimi për një ndërhyrje ushtarake u jep diskutimeve në Gjenevë më shumë peshë, ai ka deklaruar se ende dëshiron t’u japë një shans negociatave.
Përpara shpërthimit të konfliktit, Shtetet e Bashkuara po zhvillonin bisedime dypalëshe me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore, duke lënë mënjanë Evropën, e cila kishte luajtur një rol kyç në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila Presidenti Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Ministrat evropianë pritet t’i bëjnë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, Irani thotë se e dëshiron këtë, por jo ndërsa është nën sulm.
Ndërkohë, as Izraeli dhe as Irani nuk po tregojnë gatishmëri për të bërë hapa pas.
Lini një Përgjigje