Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt ishte parashikuar të përfundonte në maj 2024, por kushtet e luftës kanë shtyrë çdo proces zgjedhor...
Javën e kaluar, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Ukraina “do të shkojë në zgjedhje” nëse arrihet një armëpushim dy mujor me Rusinë. Ai ka theksuar më herët se procesi zgjedhor mund të zhvillohet vetëm nëse siguria e vendit garantohet nga aleatët, ndërsa autoritetet në Kiev shprehin shqetësim për ndërhyrje të mundshme ruse.
Ukraina ndodhet nën gjendje ushtarake që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022. Mandati pesëvjeçar i Zelenskyt ishte parashikuar të përfundonte në maj 2024, por kushtet e luftës kanë shtyrë çdo proces zgjedhor.
Debati për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte lidhet me disa sfida praktike dhe politike. Miliona qytetarë janë zhvendosur brenda dhe jashtë vendit, ndërsa një pjesë e territorit mbetet nën pushtim rus. Organizimi i votimit në këto kushte do të përballej me vështirësi të konsiderueshme logjistike dhe ligjore, përfshirë pamundësinë e pjesëmarrjes për qytetarët në zonat e pushtuara.
Një tjetër çështje është rreziku i ndërhyrjes së jashtme. Rusia ka vendosur administrata të sajat në territoret e pushtuara, përfshirë pjesë të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut në Donbas. Në rast zgjedhjesh, ekziston shqetësimi se Moska mund të përpiqet të ndikojë procesin përmes mjeteve politike, kibernetike ose informative.
Sa i përket mundësisë së një kandidati pro-rus, panorama aktuale politike në Ukrainë tregon mbështetje të lartë për kursin pro-perëndimor të vendit. Megjithatë, një proces zgjedhor në kushte të jashtëzakonshme mund të krijojë hapësira për tensione të brendshme dhe përpjekje për ndikim të jashtëm.
Në planin politik, një vendim për zgjedhje gjatë një armëpushimi të përkohshëm do të sinjalizonte angazhim institucional ndaj procedurave demokratike. Por zbatimi praktik do të kërkonte garanci të forta sigurie dhe mbështetje ndërkombëtare, në mënyrë që rezultati të gëzojë legjitimitet të plotë brenda dhe jashtë vendit.
Raportet e javës së kaluar gjithashtu sugjeruan se Zelensky, mund të paraqiste më 24 shkurt, në përvjetorin e katërt të pushtimit të plotë rus, planet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Kjo ka nxitur diskutime nëse një njoftim i tillë do të kishte përmbajtje konkrete apo do të shërbente kryesisht si mesazh politik.
Por sipas ekspertëve ekziston bindja se zgjedhjet presidenciale në Ukrainë nuk pritet të zhvillohen në kushtet aktuale. Argumenti kryesor lidhet me faktin se vendi ndodhet nën gjendje lufte dhe përballet me sfida serioze sigurie, çka e bën praktikisht të pamundur organizimin e një procesi zgjedhor të rregullt dhe gjithëpërfshirës.
Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, Zelenskyy deklaroi me ironi se “Ukraina do të ketë zgjedhje të lira kur Rusia të ketë zgjedhje të lira”, duke sinjalizuar se çështja e zgjedhjeve mbetet e lidhur ngushtë me zhvillimet e luftës dhe me standardet demokratike në rajon.
Ekspertët theksojnë se është e vështirë të gjendet një precedent historik ku një shtet ka zhvilluar zgjedhje kombëtare ndërkohë që lufton për mbijetesë brenda territorit të vet. Shembulli më i afërt përmendet ai i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara në vitin 1864, gjatë Luftës Civile. Megjithatë, edhe ato zgjedhje u zhvilluan në kushte të jashtëzakonshme: shtetet e Konfederatës nuk morën pjesë dhe një pjesë e votave nuk u numëruan.
Në këtë kontekst, diskutimi për zgjedhje në Ukrainë shihet më shumë si një debat politik dhe simbolik sesa si një proces i afërt praktik. Faktikisht, ligji ushtarak në fuqi dhe situata e sigurisë e kufizojnë ndjeshëm mundësinë për organizimin e një votimi të lirë dhe të barabartë në mbarë territorin e vendit.
Lini një Përgjigje