
Lukashenko e ndryshoi kursin e tij në vitin 2022, kur vendosi të rreshtohej me Putinin.
Ukraina mund të pushtohet brenda këtij viti nga ish-republika sovjetike fqinje e Bjellorusisë.
Njoftimi erdhi pas një takimi të datës 5 shkurt midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe David Lammy, që zhvilloi vizitën e tij të dytë zyrtare në kryeqytetin Kiev.
Nëse do të ndodhë vërtet, ky do të ishte sulmi i dytë i tillë i fshehtë nga një vend që nuk është “zyrtarisht” një nga palët në luftë midis Ukrainës dhe fqinjes të saj shumë më të madhe. Në shkurtin e vitit 2022, presidenti i Bjellorusisë Aleksandr Lukashenko, lejoi që vendi i tij të përdorej si trampolinë për pushtimin e Ukrainës.
Ai i garantoi Rusisë rrugën më të shkurtër të mundshme tokësore drejt Kievit. Por Moska nuk i arriti dot objektivat e saj maksimalë. Pas bisedës me shefin e diplomacisë britanike, Zelenskiy deklaroi: “Putin po bën gjithçka që ka në dorë për të mos ndalur këtë luftë. Përkundrazi, ka fakte se synon të shkojë më tej drejt Perëndimit. Në listë janë vendet e tjera. Nuk dua të jem pesimist, por i paralajmëroj me sinqeritet miqtë dhe aleatët tanë.
Do ta shihni që ai do të provokojë vende të tjera. Ndoshta shënjestra e ardhshme do të jetë Polonia, ose shtetet baltike. Dhe kjo nuk është vetëm retorikë. Në pranverë, verë ose vjeshtë të këtij viti, ai do të vendosë forca të reja në territorin e Bjellorusisë.
Dhe shumë evropianë, ndoshta edhe SHBA, do ta shohin atë si një përpjekje për të frikësuar Poloninë, Lituaninë, partnerët tanë të tjerë baltikë. Por do ta shihni se ai do të bëjë gjithçka për t’u përplasur me ta, duke menduar se si t’i provokojë. Nuk e di më saktësi nëse do të ketë një pushtim. Por në çdo rast, ai do ta tërheqë në luftë Bjellorusinë”.
Në fillim të këtij konflikti, Bjellorusia kishte një udhëheqës të shquar të opozitës që vepronte nga mërgimi, Vadim Prokopiev. Një biznesmen dikur i profilit të lartë në kryeqytetin, Minsk, ai u largua nga Bjellorusia në vitin 2020, pak përpara zgjedhjeve presidenciale të atij viti, të cilat vlerësohen gjerësisht si të vjedhura dhe plot parregullsi.
Nga zyra e tij në Uashington, ai përshkruan atë që ndodhi menjëherë pas fillimit të luftës. “Unë shkova në Kiev në ditën e tretë pas pushtimit. Puna me njësitë ukrainase në zonën që kishim propozuar, ishte një përgjigje asimetrike në territorin bjellorus që do të kishte pasur mbështetjen e plotë të popullsisë vendase. Rezultatet do të kishin një ndikim psikologjik të ngjashëm, me atë që ndodhi kur ushtria e Ukrainës ndërmori një inkursion në rajonin Kursk të Rusisë në gusht 2024”- tregon ai.
Por plani i Prokopiev u hodh poshtë nga komanda e lartë ushtarake e Ukrainës, dhe pjesa tjetër është histori. Në vend të kësaj, atë vit midis Bjellorusisë dhe Ukrainësu negociua një paqe e trazuar dhe e lëkundur.
“Pajtimi me atë lloj paqeje me një vend që sapo ndihmoi në pushtimin e tij, është mënyra tipike se si Lukashenko ka qëndruar në pushtet gjatë gjithë kësaj kohe. Gjithmonë duke ndryshuar anë, ose duke ‘mbijetuar për të luftuar një ditë tjetër”- shprehet Prokopiev.
Kështu në fillim të konfliktit Ukrainë-Rusi, Lukashenko luajti rolin e bashkëbiseduesit me Perëndimin. “Ai u bë një agjent i dyfishtë, dhe përcillte mesazhe mes Putinit dhe qeverive perëndimore. Ai vazhdon të jetë ndërmjetësi i domosdoshëm, duke i mbajtur të gjithë të pezull për vite me radhë”- thekson më tej lideri opozitar bjellorus.
Ky aktivitet çoi në marrëveshjen Minsk-1 të vitit 2014 dhe Minsk-2 në vitin 2015, për ndërprerjen e luftimeve, të cilat u shkelën shumë shpejt. Sipas Prokopiev dhe të tjerëve, fakti ato nuk ishin të qëndrueshme nuk kishte aspak rëndësi për Lukashenkon.
“Ai vetëm donte të ishte në skenën kryesore me liderët e tjerë botërorë, dhe të luante rolin e ndërmjetësit për të rritur legjitimitetin e tij dhe për të krijuar imazhin e drejtuesit të një shteti neutral ndaj konfliktit”- theksoi lideri opozitar bjellorus.
Por Lukashenko e ndryshoi kursin e tij në vitin 2022, kur vendosi të rreshtohej me Putinin, dhe lejoi që vendi i tij të përdorej si një skelë për mijëra trupa, forca të blinduara dhe avionë rusë që u përdorën për pushtimin e Ukrainën. Po cili ishte motivimi i tij?
“Perëndimi e toleroi Lukashenkon për shkeljet e shumta të të drejtave të njeriut, manipulimet e zgjedhjeve, për një numër të lartë të burgosurish politikë, torturat në burgje, dhe krijoi stimuj që ai të bëhej bashkëpunëtor i gatshëm në pushtimin e Putinit”-thotë një analist i vjetër në pension i qeverisë amerikane mbi ish-BRSS.
“Ne vazhduam të shpresonim se ai do të moderonte sjelljen e tij, dhe do të shkonte drejt njëfarë pavarësie nga Vladimir Putini. Por e nënvlerësuam gatishmërinë e tij për të shkuar në luftë dhe për të mos shmangur gjykimin e mundshëm si kriminel lufte”- thekson ai.
“Por vetë Lukashenko bëri një gabim edhe më të madh, duke vënë bast për suksesin e sulmit të rrufeshëm (Blitzkrieg) të Putinit ndaj Ukrainës. Ai luajti kumar dhe humbi gjithçka”- deklaroi Prokopiev. Opozitari rus thotë se tani Lukashenko dëshiron të shmangë nga sanksionet, dhe mbi të gjitha shpreson se lobistët e angazhur prej tij do ta bëjnë mirë punën e tyre.
Ai do t’u thotë politikanëve perëndimorë, se mund të bëhet një aleat i tyre. Por Prokopiev dhe të tjerët, thonë se nuk ka asnjë shans të shohim një Lukashenko më të sjellshëm dhe më të butë. Sepse vendi është shumë i varur ekonomikisht nga Moska dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë aleancës me Kinën.
Organizatat opozitare pretendojnë se kanë shtënë në dorë kopje të kontratave dhe informacione të tjera nga burime të shumta të industrisë, të cilat zbuluan detaje të blerjeve të fundit të Bjellorusisë të shumë armëve të rëndësishme. Ato prodhohen në Kinë dhe dërgohen në Rusi përmes Bjellorusisë.
Nëse është e saktë, kjo i lejoi Pekinit të shmangte sanksionet për mbështetjen e paligjshme të makinerisë së luftës së Putinit. Ka shumë të ngjarë që pjesët kineze, ta kenë lejuar Rusisë të vazhdonte të ndërtonte bomba dhe raketa me rendiment të lartë, që kanë i shkatërruar qytetet e Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia lëshoi mbi 3.000 prej tyre vetëm në marsin e vitit 2024. Lidhjet e dyshimta me Kinën, janë pjesë e një përpjekjeje afatgjatë të Pekinit për të vendosur flamurin e tyre në Evropën Lindore.
Që në vitin 2017, kompanitë kineze të mbrojtjes dërguan delegacione të gjera në ekspozitën e mbrojtjes kombëtare të Bjellorusisë, MILEX. Kreu i delegacionit kinez, ishte një nga figurat më të fuqishme të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, gjenerali Zhang Youxia, një nga anëtarët më të lartë të Komisionit Qendror të Ushtrisë.
Kjo është një shenjë që Bjellorusia është klientja më e rëndësishme e Pekinit në rajon. Prandaj, thotë Prokopiev, është koha që të kemi një strategji të veçantë për Bjellorusinë, një strategji që e trajton veçmas dhe në mënyrë të pavarur nga çdo politikë ruse.
Sa i përket Lukashenkos, largimi i tij nga orbita e Moskës vetëm sa e shtyn atë në orbitën e Kinës. Nuk ka asnjë skenar të lumtur që përfshin qëndrimin e tij në pushtet. Ai do të jetë gjithmonë një problem./ Përshtati "Pamfleti" nga “19FortyFive”
Shënim: Reuben F.Johnson, ish konsulent i Pentagonit dhe i disa qeverive të vendeve të NATO-s në fushën e teknologjisë së mbrojtjes. Gjatë 30 viteve të fundit ka raportuar nga Rusia, Ukraina, Polonia, Brazili, Kina dhe Australia.
Lini një Përgjigje