
Moska po pret një përgjigje nga Uashingtoni pas bisedimeve midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarve të SHBA-së në fillim të kësaj jave në kryeqytetin rus.
"Tani po presim reagimin e kolegëve tanë amerikanë ndaj bisedimeve që patëm të martën", u citua të thoshte këshilltari i Kremlinit Yuri Ushakov nga agjencia ruse e lajmeve RIA.
Ushakov shtoi se nuk është planifikuar asnjë bisedë telefonike midis Putinit dhe Donald Trump dhe se nuk është caktuar asnjë datë për një takim të ri me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff.
Takimi mes Putin dhe Witkoff erdhi pas një sërë takimesh midis zyrtarëve të lartë amerikanë dhe ukrainas, gjatë të cilave palët kërkuan të rishikonin propozimin origjinal të planit të paqes të paraqitur nga administrata Trump për Ukrainën muajin e kaluar.
Witkoff dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, përfshirë Kushnerin dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio u takuan të dielën në Florida me një delegacion ukrainas në përpjekje për të gjetur një marrëveshje që Ukraina dhe Rusia mund ta pranonin për t'i dhënë fund luftës.
Rusia shprehu gatishmëri për të vazhduar negociatat, me Ushakovin që i quajti çështjet territoriale "çështjen më të rëndësishme". Ushakov tha se aktualisht nuk ishte planifikuar asnjë takim midis Putinit dhe Trumpit dhe se një takim i tillë do të varej nga përparimi në arritjen e një zgjidhjeje paqeje.
Lini një Përgjigje