
Serbia do të prezantojë pas një muaji një sistem të ri antidron të cilin e ka blerë nga Rusia.
Presidenti serb Aleksander Vuçiç ka njoftuar se sistemi antidron që quhet Repellent është blerë kohë më parë nga Rusia.
Prezantimi i tij do të bëhet në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin jugor Nish.
Njoftimi i Vuçiç vjen disa javë pasi SHBA-të pranuan kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan.
Po ashtu disa muaj më parë kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte njoftuar blerjen e dronëve Bayraktar nga Turqia.
Sakaq Vuçiç nuk e ka bërë të ditur se kur është blerë sistemi antidron, por sqaroi se është në duart e Serbisë.
Më herët Vuçiç kishte thënë se nga buxheti ishin ndarë para për blerjen e 701 sistemeve komplekse të armëve.
Edhe një herë ai theksoi se Serbia është një superfuqi rajonale e tankeve dhe se është afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina.
Vuçiç gjithashtu njoftoi se do të nisë një iniciativë të re për të rikthyer në fuqi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Serbia e deklaron veten si një vend ushtarakisht neutral dhe blen armë si në lindje ashtu edhe në Perëndim.
Lini një Përgjigje