Në një analizë kritikohet politika e BE-së, duke argumentuar se mbështetja aktuale rrezikon standardet demokratike në vend…
Bashkimi Europian e ka ndërtuar identitetin e tij mbi eksportin e normave demokratike. Kushtëzimi me sundimin e ligjit, monitorimi i zgjedhjeve dhe mbështetja për shoqërinë civile janë mjetet që Brukseli përdor për të reflektuar këtë qasje.
Në Armeni, 6 javë përpara zgjedhjeve më të rëndësishme parlamentare të një brezi, BE-ja po përdor të gjitha këto instrumente dhe po i drejton ato në objektivin e gabuar.
Ekipi i Reagimit të Shpejtë ndaj Kërcënimeve Hibride i BE-së në Armeni nuk është një trupë monitorimi e pavarur. Mandati i tij formal është të këshillojë zyrën e kryeministrit Nikol Pashinyan.
Në mënyrë të veçantë, një paketë prej 12 milionë eurosh e BE-së për “kundërshtimin e dezinformimit” para zgjedhjeve të 7 qershorit kanalizon fondet përmes institucioneve që janë drejtpërdrejt nën ndikimin e qeverisë.
Opozita në Armeni dhe shumë vëzhgues të pavarur e kanë cilësuar këtë mbështetje si një “dritë jeshile” për manipulim zgjedhor, pasi i jep legjitimitet europian një qeverie që, sipas tyre, nuk e ka fituar atë.
Nëpërmjet një procedure emergjente legjislative që lejon miratimin brenda 24 orësh, një afat që e bën të pamundur debatin public,partia në pushtet “Kontrata Civile” miratoi ndryshime të gjera në Kodin Zgjedhor. Këto përfshijnë dhënien e kompetencave të reja të gjera për autoritetet për të përjashtuar organizatat vëzhguese të zgjedhjeve.
Brukseli nuk ka dhënë asnjë reagim publik për këtë çështje.
Ndërkohë, Samvel Karapetyan, një nga figurat kryesore të opozitës në Armeni, biznesmen armeno-rus dhe mbështetës i rëndësishëm financiar i Kishës Apostolike Armene, ndodhet në arrest shtëpie për akuza që në vend përshkruhen gjerësisht si të fabrikuara. BE-ja, e cila e kushtëzon procesin e negociatave me vendet kandidate me pavarësinë e gjyqësorit, nuk e ka lidhur këtë rast me programet e saj në Armeni.
Një histori suksesi për Brukselin?
Brukseli do të kundërshtonte duke e paraqitur Armeninë si një histori suksesi, një vend që ka nënshkruar Marrëveshjen e Partneritetit Gjithëpërfshirës dhe të Zgjeruar me BE-në dhe ka shprehur aspirata për integrim europian. Por, sipas analizës, vetë deklaratat e kryeministrit Pashinyan tregojnë një realitet tjetër.
Gjatë prezantimit të programit zgjedhor të partisë së tij, ai deklaroi se “është e vështirë të mbivlerësohet rëndësia e marrëdhënieve tona me Rusinë” dhe u zotua se “nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të krijuar probleme në marrëdhëniet Armeni–Rusi”.
Ai ka shkuar edhe më tej: ata që përpiqen të “minojnë miqësinë dhe vëllazërinë Armeni–Rusi”, sipas tij, “janë thjesht agjentë të huaj”, duke përdorur të njëjtin term që Kremlini përdor për të shtypur kundërshtarët.
Sipas autorit, afrimi i tij me Europën shërben si një kartë negociuese për të marrë burime dhe legjitimitet, ndërsa mbetet i lidhur ngushtë me Moskën dhe Ankaranë. Analiza thekson se kjo nuk përbën një orientim të ri gjeopolitik, por një situatë ku BE-ja po manipulohet.
Kjo, sipas autorit, nuk duhet të jetë surprizë për ata që kanë ndjekur zhvillimet. Ai i referohet një raporti të vitit 2024 të ECIPE, ku sugjerohet se Pashinyan mund të ketë pasur kontakte me kreun e shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse që në vitin 2015, para “Revolucionit të Kadifenjtë”.
Pas ardhjes në pushtet, ai dërgoi trupa armene përkrah forcave ruse në Siri, drejtoi samitin e Unionit Euroaziatik në Moskë në maj 2024 dhe ka zhvilluar dhjetëra takime me presidentin rus Vladimir Putin që nga viti 2018.
Sipas analizës së David Grigorian, të publikuar në Euobserver, BE-ja nuk po financon një partner demokratik, por po subvencionon një aktor të lidhur me Rusinë. Artikulli shton se BE-ja ka qenë në dijeni të këtyre sinjaleve paralajmëruese, por ka zgjedhur t’i injorojë. Një shpjegim më strukturor lidhet me energjinë.
Pas pushtimit rus të Ukrainës, Europa u detyrua të diversifikojë furnizimet me gaz dhe iu drejtua Azerbajxhanit. Në korrik 2022, presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen e quajti Azerbajxhanin “partner të besueshëm” dhe nënshkroi një marrëveshje për dyfishimin e importeve të gazit, ndonëse vendi klasifikohet si “jo i lirë” nga Freedom House.
Në këtë kontekst, Armenia e Pashinyan ndodhet mes Brukselit dhe Bakusë. Mbajtja e tij në pushtet, sipas analizës, siguron vazhdimësinë e furnizimeve me gaz dhe funksionimin e korridorit të Kaukazit Jugor. Kështu, sipas autorit, dështimi i Europës në Armeni nuk është thjesht neglizhencë, por një marrëveshje pragmatike.
Tre hapa përpara samitit
Samiti i parë BE–Armeni, që zhvillohet më 4 dhe 5 maj në Jerevan, me pjesëmarrjen e presidentit të Këshillit Europian António Costa dhe Ursula von der Leyen, mund të përkeqësojë situatën. Vizita e liderëve europianë në një kohë kur qeveria akuzohet për ndalim të kundërshtarëve, presion ndaj kishës dhe ndryshime të rregullave zgjedhore, mund t’i japë kryeministrit legjitimitetin që kërkon para zgjedhjeve.
Autori propozon tre masa korrigjuese para 7 qershorit:
Së pari, BE-ja duhet të ridrejtojë monitorimin drejt organizatave të pavarura të shoqërisë civile dhe grupeve vëzhguese të lidhura me opozitën.
Së dyti, Brukseli duhet të deklarojë qartë se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, që rrisin kompetencat e qeverisë, janë të papajtueshme me standardet demokratike.
Së treti, BE-ja duhet të bëjë të qartë se burgosja e kundërshtarëve politikë dhe përdorimi i burimeve shtetërore kundër institucioneve fetare nuk përputhen me aspiratat për integrim europian.
Në analizë theksohet se BE-ja ka ndihmuar Armeninë të hapë një derë drejt Europës, por ekziston rreziku që mbështetja aktuale financiare dhe institucionale t’i japë mundësi qeverisë ta mbyllë atë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje