TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2026, 08:58

BE i shpall luftë TikTok-ut: “Scroll”-i i pafund krijon varësi te fëmijët dhe të rinjtë!

Shkruar nga Pamfleti

BE i shpall luftë TikTok-ut: “Scroll”-i i pafund krijon

Bashkimi Europian ka akuzuar platformën online TikTok se po nxit varësi te përdoruesit, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, përmes dizajnit të aplikacionit dhe rekomandimeve agresive që inkurajojnë “scroll”-in e pafund. Komisioni Europian i ka kërkuar kompanisë kineze të ndryshojë mënyrën e funksionimit të platformës në Europë, ndërsa TikTok i ka hedhur poshtë akuzat.

Sipas Komisionit të BE-së, TikTok nuk merr parasysh në mënyrë të mjaftueshme ndikimin që funksionet që nxisin varësinë kanë mbi shëndetin fizik dhe psikik të përdoruesve. Në deklaratën zyrtare theksohet se platforma nuk vlerëson si duhet “se si këto funksione që nxisin varësinë mund të ndikojnë në shëndetin fizik dhe psikologjik të përdoruesve të saj”.

Komisioni përmend si shembuj konkretë nevojën për heqjen e funksionit të “scroll”-it të pafund, aplikimin e pushimeve efektive gjatë përdorimit të aplikacionit, si dhe ndryshimin e “sistemit të rekomandimeve për personalizim në shkallë të lartë”. Po ashtu, kritikohet fakti që videot aktivizohen automatikisht, pa ndërhyrjen e përdoruesit.

Në fokus të kritikave është edhe mënyra se si platforma i nxit fëmijët të qëndrojnë të lidhur për orë të gjata. Sipas Komisionit, TikTok “injoron shenja të rëndësishme që tregojnë përdorim të imponuar të aplikacionit”, përfshirë kohën e natës që fëmijët kalojnë në platformë.

“Kompania duhet ta ndryshojë mënyrën se si funksionon në Europë për të mbrojtur minorenët tanë dhe shëndetin e tyre”, deklaroi komisarja e BE-së për Digjitalizimin, Henna Virkkunen.

Komisioni thekson gjithashtu se “shpërblimi” i vazhdueshëm i përdoruesve me përmbajtje të reja e shtyn trurin në një gjendje “autopiloti”, duke nxitur sjellje kompulsive. Sipas studimeve shkencore, kjo dëmton vetëkontrollin, veçanërisht te të rinjtë.

Hetimi ndaj TikTok nisi në shkurt 2024 dhe është i pari i hapur kundër platformës në kuadër të ligjit të BE-së për Shërbimet Digjitale, Digital Services Act (DSA). Ky ligj synon të garantojë transparencë më të madhe dhe të kufizojë praktikat e dëmshme online, ndërsa është kritikuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe nga disa gjigantë të teknologjisë në SHBA.

Ndërsa kompania TikTok i ka cilësuar akuzat e Komisionit Europian si “të pabaza” dhe ka deklaruar se “do të mbrohet me të gjitha mjetet e mundshme”. Nëse qëndrimi i Komisionit konfirmohet, platforma rrezikon një gjobë deri në gjashtë për qind të xhiros së saj vjetore globale.

Lini një Përgjigje