Historia e anijes holandeze, ku disa persona humbën jetën pas infektimit me hantavirus, është kthyer në një situatë të ndërlikuar ndërkombëtare, pasi disa porte kanë refuzuar ta pranojnë atë.
Anija ndodhet aktualisht pranë brigjeve të Kepit të Gjelbër dhe pritej të nisej drejt Ishujve Kanarie në Spanjë për t’u ankoruar. Megjithatë, qeveria rajonale e Ishujve Kanarie kundërshtoi mbërritjen e saj, duke deklaruar se vendimi nuk mbështetet në kritere teknike të qarta dhe se mungon informacioni i nevojshëm për të garantuar sigurinë publike.
Nga ana tjetër, kompania holandeze që operon anijen tha se, pas evakuimeve mjekësore, Ishujt Kanarie mbeten ende destinacioni i planifikuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë konfirmoi një tjetër rast me hantavirus, duke e çuar numrin total në tre raste të konfirmuara dhe pesë raste të dyshuara në lidhje me anijen.
Më herët, autoritetet zvicerane njoftuan se një burrë është shtruar në spital pasi kishte udhëtuar me anijen holandeze. Ministria zvicerane e Shëndetësisë bëri të ditur se pacienti është infektuar me variantin “Andes”, një lloj i hantavirusit që gjendet në Amerikën e Jugut.
Sipas autoriteteve shëndetësore, transmetimi nga personi te personi është i rrallë dhe ndodh vetëm në raste kontakti shumë të afërt. Për këtë arsye, Zvicra vlerëson se rreziku për raste të tjera mbetet i ulët.
Ndërkohë, tre persona u evakuuan nga anija drejt Holandës të mërkurën.
Lini një Përgjigje