TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Janar 2024, 18:59

Aromë lufte SHBA-Rusi? Putini po mendon të rimarrë Alaskën

Shkruar nga Pamfleti
Aromë lufte SHBA-Rusi? Putini po mendon të rimarrë Alaskën
Lufta për Alaskën

Alaska iu shit Shteteve të Bashkuara në vitin 1867 për 7.2 milionë dollarë...

Vladimir Putin dëshiron që të rivendosë kufijtë e vjetër të Bashkimit Sovjetik. Ne e dimë këtë gjë. Në vitin 2014 ai aneksoi Krimenë. Më pas pushtoi Ukrainën. Tashmë ka një vasal të tijin që drejton Bjellorusinë, një nga 4 vendet themeluese të BRSS. Bjellorusia është e gatshme të gllabërohet plotësisht nga Rusia.

Dhe e gjithë kjo situatën po nervozon jo pak vendet evropiane që ishin dikur pjesë e Rusisë. Nervozizmi është plotësisht i kuptueshëm. Por Putin nuk po ëndërron vetëm të rivendosë kufijtë e BRSS. Ai po ëndërron që të rivendosë kufijtë e Rusisë Perandorake.

Dhe kjo përfshin shumë më tepër se sa vetëm shtetet baltike dhe Evropën Lindore. Dëshmia e fundit mbi këtë u shfaq javën e kaluar, kur Bloomberg raportoi se Putin ka urdhëruar fillimin e një gjuetie për të gjitha asetet që i përkisnin dikur Perandorisë Ruse.

“Pasuritë” nuk ishin të përcaktuara qartë. Megjithatë perandoria ruse kishte shumë prej tyre, territore, pasuri mbi dhe nëntokësore etj. Ajo ishte e treta më e madhe në historinë e botës, e themeluar në vitin 1721 nga Pjetri i Madh dhe që ekzistoi deri në vitin 1917 nën Carin Nikolla II.

Në periudhën më të artë, ajo shtrihej në të gjithë Finlandën deri në Oqeanin Arktik, në jug në Detin e Zi, dhe gati në të gjithë Azinë Qendrore dhe Azinë Verilindore. Por nuk mbaron këtu. Perandoria vazhdoi të zgjerohej përgjatë ngushticës së Beringut deri në Alaskë.

Më pas, gjatë vitit 1812 poshtë bregut të Kalifornisë deri në Fort Ross, 70 milje në veri të një vendbanimi spanjoll që më vonë u bë San Francisko. Fort Ross nuk u emërtua sipas një familje skoceze. Ross rrjedh nga fjala ruse ‘rus’ ose ‘ros’, dhe e njëjta rrënjë për fjalën “Rusi”.

Në vend dominonte një kishë ortodokse ruse. Por ambiciet shkuan edhe më tej. Fati e pengoi Republikën Autonome Ruse të Havait që të shtohej në listën e territoreve që zotëronte Moska. Alaska kishte peshk dhe minerale, por pak prodhim ushqimor.

Për këtë arsye pati një plan zgjerimi në brigjet pjellore të Kalifornisë, për të ushqyer atë që Cari Aleksandër I shpresonte se do të ishte një popullsi në rritje ruso-amerikane. Mjerisht, në vitin 1842 Fort Ross nuk ishte më i nevojshëm për rusët dhe iu shit një meksikani me origjinë zvicerane të quajtur John Sutter, që më vonë u bë i famshëm si njeriu që zbuloi arin në Kaliforni në vitin 1849.

Alaska iu shit Shteteve të Bashkuara në vitin 1867 për 7.2 milion dollarë. Pas humbjes në Luftën e Krimesë, Rusia e humbi interesin për Paqësorin. Rusia duhet ta kishte ruajtur interesin e saj. 27 vjet pas shitjes tek amerikanët, në Yukon u zbulua ar, duke çuar në një tjetër valë të “etheve të arit”.

Humbja e arit dhe e gjithë pjesës tjetër duhet ta ketë trishtuar Putinin. Sigurisht, ai mund të përpiqet të pretendojë se amerikanët nuk e zotërojnë ligjërisht Alaskën. Disa shkrimtarë rusë pretendojnë se Sutter nuk ua ka pagoi dot kurrë rusëve çmimin e plotë të shitjes.

Prandaj Rusia mund ta kërkojë të rimarrë. Është pak a shumë si argumenti që po përdorin sot grekët për të kërkuar kthimin nga Muzeu Britanik i Mermereve Elgin, që qindra vite më parë u morën në Akropoli në Athinë.

Asaj i duhet uruar shumë fat nëse këtë çështje e paraqet në një gjykatë në SHBA. Por Putin, ashtu si Carët dikur, ëndërron shumë. Mund të jeni i sigurt se ai njeh çdo pjesë të çdo territori të kontrolluar dikur nga Perandoria Ruse. Dhe mund të dyshoni se ai vdes të rikthejë pjesën më të madhe të saj nën sundimin e Moskës.

Pra Alaska duhet të rikthehet nën sundimin e Nënës Rusi. Por jo Kalifornia. S’ka gjasa që Putin të dëshirojë të kthejë ndonjë pjesë të Kalifornisë. Por Putin është një tiran, por jo një idiot. Sepse në ëndërrimin e perandorisë së tij, Putin nuk ka lënë pas dore pjesët më lindore të Rusisë që përplasen me Ngushticën e Beringut.

Pavarësisht se Perëndimi i kushton vëmendje vetëm luftës së tij në Ukrainë dhe kërcënimeve të tij ndaj vendeve të ish-BRSS. Nga Ngushtica e Beringut, ai është vetëm 55 milje larg nga Alaska. Në fillim të këtij muaji, Putin udhëtoi në Lindjen e Largët për të promovuar turizmin.

Ne e dimë që kjo nismë nuk do të funksionojë. Sepse ky rajon thuajse i boshatisur nga njerëzit i jep shumë domethënie fjalës “shkretim”. Por atë e ndajnë nga SHBA-ja vetëm 55 milje det…. dhe Putin shkoi atje për të mbështetur turizmin.

Po çfarë synon Putin? Me shumë gjasa ai po përdor turizmin si një mbulesë për të arritur një marrëveshje me kinezët. Natasha Kuhrt, lektore mbi çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare në Kolegjin Mbretëror të Londrës, ka analizuar arsyet e vizitës së fundit të Putinit në lindje.

Javën e kaluar ajo shkroi: “Në vitin 2001, një vit pasi Putini u bë president, u shpall një ‘partneritet strategjik fleksibël’ me Kinën. Dhe që nga ajo kohë marrëdhëniet dypalëshe vetëm sa janë forcuar. Në vitin 2023, tregtia midis dy vendeve arriti një rekord prej 240 miliardë dollarësh”.

Pjesa më e madhe e asaj që eksporton Rusia në Kinë është energji dhe lëndë e parë, kryesisht nga Lindja e Largët ruse. Megjithatë, Kina investon shumë pak atje. Ashtu si Putin, edhe Xi Jinping nuk është idiot. Siç thotë dr.Kuhrt “territoret e largëta në lindje të Rusisë janë të prapambetura si pasojë e infrastrukturës së dobët, kostos së lartë të punës dhe burokracisë së madhe”.

Megjithatë, Putin duhet të mbajë të ulëta tensionet në atë rajon kufitar me Kinën. Dhe të luash me çështje e turizmit në një tokë të shkretuar është një nga mënyrat. Sepse ajo do të garantojë vazhdimin e marrëdhënieve miqësore midis Xi dhe Putin.

Putin ka nisur një luftë në Evropë, dhe analistët ushtarakë thonë se Xi është gati të bëjë lëvizjen e tij kundër Tajvanit. Kjo do të thotë luftë në rajonin e Paqësorit. Rusia do të jetë në gjendje t’u ofrojë kinezëve portin e saj më të madh të Paqësorit në Vladivostok, dhe aq naftë sa t’u nevojitet forcave kineze.

Gazeta ushtarake amerikane “Stars & Stripes”, ka vëzhguar portin dhe “thellimin e lidhjeve midis dy kombeve, pikërisht në mesin e luftës Rusi-Ukrainë”. Gazeta citon një analist ushtarak që thotë: “Nëse forcat kineze do të kenë qasje në Vladivostok, kjo do të zgjeronte jo pak opsionet operacionale të (Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës. Po ashtu përbën një arsye tjetër shqetësimi për ushtritë japoneze, amerikane dhe koreano-jugore…”.

Nëse do të nisë lufta dhe territoret e Paqësorit ndryshojnë duar - pas luftërave, kjo ndodh gjithmonë - Rusia do të dëshirojë të jetë në anën që mund ta lejojë atë të rimarrë territoret e saj të vjetra perandorake. Putini duhet të mendojë se pala fituese do të jetë Kina.

Nëse mbështet Xi, ai mund të përfundojë duke marrë pjesë të Alaskës, pasi tani ka pjesë të Ukrainës. Ose nëse është me shumë fat, me copa të Republikës Autonome Ruse të Havait. /Përshtati “Pamfleti” nga “Brussels Signal”

putin shba alaska

Lini një Përgjigje